Kili: digjet kapela e Shën Marisë së Udhës në Cañete
R.SH. - Vatikan
Një tjetër Kishë në zjarr, në Kilin qendror-jugor. Kryedioqeza e Concepción njoftoi dje se kapela e Shën Marisë së Udhës, që i përket famullisë kishtare 'Nuestra Señora del Carmen', në Cañete, u shkatërrua plotësisht nga një sulm zjarrvënës, rreth orës dy të mëngjesit të së martës, 22 gusht, në zonat fshatarake, sektori i Vilvilco. Kapela e dëmtuar kishte një kapacitet prej 80 personash dhe përdorej nga bashkësia katolike si dhe nga Këshilli i Lagjes, nga një grup pleqsh, komitetet e fermerëve, një komitet i ujit dhe organizatat territoriale.
Reinaldo Silva, kreu i bashkësisë katolike, shprehu dhimbjen e tij për atë që ndodhi: “Gati 40 vjet punë e bashkësisë dhe, papritmas, Kisha jonë u bë hi e pluhur! Edhe nëse është diçka materiale, hapësira ka kushtuar shumë për t’u ndërtuar e, sidomos, ka qenë vend takimi për bashkësinë e krishterë. Në të njëjtën kohë, ka shërbyer edhe për pjesën tjetër të bashkësisë”. Ai shpjegoi se grupet e ndryshme mblidheshin në sallë të Kishës, ku “kishin të gjitha mjetet e tyre, tani të shndërruara në hi”.
Ipeshkvi ndihmës i kryedioqezes se Concepción dhe vikari ipeshkvnor i Arauco, imzot Oscar García, pohuan se kjo ngjarje "shkakton dhimbje dhe shqetësim të thellë për gjithë bashkësinë". Prelatët ftuan që tani për tani “të mos gjykohet e as të dënohet askush për kryerjen e këtij sulmi, sepse nuk mund të dihet me siguri se kush ia vuri flakën”.