Kërko

Kardinali Stanisław Dziwisz, në shenjtëroren dioqezane të Kodeń-it, në Poloni Kardinali Stanisław Dziwisz, në shenjtëroren dioqezane të Kodeń-it, në Poloni

Kardinali Dziwisz: mjaft me gjakderdhjen në Ukrainë

I dërguari i Papës në kremtimet e 300-vjetorit të kurorëzimit të fugures së Zojës së Kodenit, Mbretëresha e Podlasie - Nëna e Bashkimit, bëri thirrje për të ndaluar luftën ruso-ukrainase dhe "dorën e Kainit", sepse " vëllezërit sllavë nuk mund të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Nuk mund të vriten”

R.SH. – Vatikan

Nuk mund të pranojmë ç’po ndodh në Evropë, para syve të gjithë botës, sepse kjo tragjedi "po i privon vëllezërit dhe motrat tona në Ukrainë nga toka e tyre, nga e drejta për jetën, gjuhën dhe kulturën e tyre, duke mbjellë vdekje dhe shkatërrim". Kështu pohoi kardinali Stanisław Dziwisz, kryeipeshkëv nderi i Krakovit, i emëruar nga Papa si i dërguari i tij i posaçëm për kremtimin e 300-vjetorit të kurorëzimit të fugures së Zojës, Mbretëreshë e Podlasie – Nënë e Bashkimit, më 15 gusht, në shenjtëroren dioqezane të Kodeń-it, në dioqezën e Siedlce. “Vëllezërit sllavë – theksoi kardinali në homeli – nuk mund të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Ata nuk mund të vriten, nuk mund ta shkatërrojnë njëri-tjetrin, nuk mund të mbjellin shkatërrim, nuk mund t’i shumëfishojnë vuajtjet e mëdha, që po shohim. Duhet ta ndalim dorën e Kainit. Duhet t'i japim fund urrejtjes, dhunës, luftës vëllavrasëse. Mjaft me gjakderdhjen!” Kardinali polak, ish-sekretar personal i Papës shenjt Gjon Pali II, iu drejtua drejtpërdrejt “vëllezërve sllavë”, duke u bërë thirrje t’i japin botës “shembullin e bashkëjetesës vëllazërore ndërmjet popujve dhe jo atë të urrejtjes së verbër”. Më pas, iu lut Zojës së Kodenit, që t’i udhëheqë të gjithë "në udhën drejt fundit të luftës, drejt pajtimit e paqes".

Një vend mrekullish

Në letrën me të cilën e emëronte kardinalin Dziwisz si të dërguarin e tij, Françesku nënvizonte se shenjtërorja e Zojës së Kodenit është vend mrekullish, ku shumë njerëz shkojnë të luten, duka ia besuar jetën shën Marisë. Pikërisht këtu, Papa i ardhshëm Gjon Pali II - atëherë, kryeipeshkëv metropolit i Krakovisë - pati bërë një shtegtim para se të zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit, duke kundruar tiparet e veçanta të Nënës së Krishtit. “Maria – pohoi Dziwisz – e bashkon Popullin e Zotit. Ndodhemi në një tokë ku ky bashkim i Popullit të Zotit ka pasur rëndësi të veçantë historike. Pikërisht këtu u zhvillua takimi i Kishave të ndara të Perëndimit dhe të Lindjes”. Papa i ardhshëm Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Koden, deklaroi se në rajonin e Podlachia-s, në Poloninë Lindore, “ishte e nevojshme prania e Nënës, e Nënës që bashkon, e Nënës që i njeh mirë bijtë e vet, pa bërë dallime ndërmjet tyre, qoftë kur flasin polonisht, qoftë kur flasin rusisht apo lituanisht”.

Kurorëzimi i Zojës së Kodenit

Ceremonia u shoqërua me vendosjen e kurorave të reja në fuguret e shën Marisë dhe të Jezusit, bekuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, më 3 gushtin e vitit të kaluar. Të shumtë, shtegtarët e mbërritur për këtë rast, me ftesën e imzot Kazimierz Gurda, ipeshkvit të dioqezës së Siedlce dhe meshtarëve të shenjtërores së Misionarëve Oblatë të Zojës së Papërlyer. Historia e shenjtërores së Kodenit daton në fillim të shekullit XVII. Mikołaj Sapieha u shërua pasi u lut në kapelën papnore, me ftesën e Papës Urbani VIII, para fugures së Zojës. Më 1631, Sapieha e mori ikonën dhe e solli në Koden, ku ndodhet edhe sot. Fugurja e Nënës së Zotit ishte një nga ikonat e para të Polonisë, që u kurorëzua me kurora papnore në vitin 1723.

16 gusht 2023, 15:26