Jezus, më pri nё udhën e Shndërrimit
R.SH. - Vatikan
Shndërrimi i Jezu Krishti!
Do të desha të isha edhe unë, o Zot Jezus,
ngjitas me Ty,
mbi Malin ku u shndërrove në dritë.
Do të desha të isha krah për krah
me Pjetrin e Jakun e Gjonin.
Ta shihja fytyrën tënde të bërë rreze,
si rreze dielli…
e ta dëgjoja dhe zërin e Atit!
Do të ishte çast që s’harrohet,
çast, kur krejt pa lëkundje
unë do të besoja se Ti je Zoti im!
S’kam turp ta them se dëshiroj
t’i shoh e t’i prek me dorën time
shenjat e mrekullisë,
t’i dëgjoj fjalët, që jehojnë nga lart.
Dua prova, o Zot,
që s’mund t’i mohojë askush!
Atë ditë e mbi atë mal
do të më zhdukej çdo dyshim.
Çdo frikë e çdo hije, o Zot
do të mundej nga drita jote.
E do të më pëlqente
të ngjisja krejt me Ty:
“Njeri, sa qielli i gjërë,
e Zot i ndritshëm si diell”.
Po ç’do t’ më ndodhte,
si u ndodhi Apostujve,
po të kisha ndjekur pas
në Kopsht t’ Ullinjve?
Thua e kisha njohur në Ty
përsëri Birin e Zotit?
Tim Zot me kurorë ferrash kurorëzuar?
Zotin, në njeriun që djerset gjak
e lyp një lutje
nësa shikon mortjen në sy?
E pastaj mbi kodër të Kalvarit,
thua do të besoja prap në Ty
me korpin gozhduar mbi kryq,
gjymtyrët dërmuar nga dhimbja
e frymën e fundit mbi buzën e irnuar?
Zot, ti e di se me gjithë shpirt,
unë ngjitem mbi Malin e Shndërrimit,
ngjitem pa frikë se shndërrohem!
Por më tmerron Golgota,
më tremb vetmia tragjike,
e Kopshtit të Ullinjve
e pikat e djersës që të kullojnë
si pika gjaku!
S’e dua braktisjen,
nuk e duroj dot dhimbjen.
Se nuk jam shkëmb, që ta thyej,
fuqinë e kryqëzuesve…
E pra në këtë shteg
ku më prin ti sot
më duhet të ec,
deri në fund të fundit.
Atje ku më presin
Pashkët e tua të pamort.