Jezuitët në Nikaragua: "Vlerat e krishtera fitojnë gjithmonë”
R. SH. - Vatikan
Shoqëria e Jezusit në Amerikën Qendrore merret me një veprimtari tejet të pasur baritore në universitete dhe në ndihmë të migrantëve, gjë që i krijon mundësinë të jetë pranë realitetit të një populli si ai i Nikaraguas, vend ku, megjithëse statusi juridik i Shoqërisë u anulua e u shpronësua edhe Universiteti i Amerikës Qendrore, jezuitët vazhdojnë punën e tyre. Zëdhënësi i jezuitëve në Amerikën Qendrore, At José María Tojeira i El Salvadorit, duke folur për Vatican News, shpjegon se "për shkak të veprimtarisë së universitetit, parë si prodhues i njohurive dhe mendimit kritik, qeveria priret ta shohë atë pothuajse automatikisht si armik të saj".
“Vlerat e krishtera, me këmbënguljen dhe rezistencën e tyre, fitojnë gjithmonë, edhe nëse ka çaste që duhet t’i kalojmë në kryq” - pohon jezuiti - duke pranuar se “përzënia apo konfiskimi i pronës është gjithmonë pjesë e horizontit që parashikojnë rregulltarët dhe rregulltaret e pranishme në vend”.
E pyetëm zëdhënësin e Jezuitëve, atë Josè Maria Tojeira:
Cila mendoni se është arsyeja që e shtyu qeverinë e Nikaraguas të merrte këtë vendim kundër Shoqërisë së Jezusit?
Qeveria e Nikaraguas po përpiqet të ketë kontroll të plotë mbi opinionin publik, në favor të saj. Pikërisht në këtë drejtim po e përndjek Kishën dhe Shoqërinë e Jezusit. Në veçanti, Shoqërinë e Jezusit, që e bezdisi me mbrojtjen e të drejtave të njerëzve në vitin 2018, veçanërisht nga Universiteti i Amerikës Qendrore UCA dhe mbështetja e kërkesave për demonstrata të mëdha, në kërkim të lirisë dhe të respektimit të të drejtave konkrete të popullsisë. Edhe puna e ndërmjetësimit ndërmjet studentëve të rinj dhe qeverisë, që iu besua kardinalit Brenes si rektor i UCA-s, e mërziti qeverinë. Duke qenë se universiteti është gurrë e njohurive dhe e të menduarit të lirë kritik, doemos që qeveria nuk mund të mos e shikonte si armik.
Dy fjalë për veprimtarinë baritore e jezuitëve në Nikaragua, përveç UCA-së?
Përveç UCA, e cila tani është në duart e qeverisë, jezuitët drejtojnë dy shkolla të mesme dhe rrjetin ndërkombëtar Fe y Alegría, i cili ka më shumë se 800 bashkëpunëtorë laikë, rregulltarë e priftërinj dhe mbështet rreth 54,000 njerëz në fushën e arsimit formal dhe joformal. Deri vonë ne kishim edhe një famulli e cila do të transferohej në kryeipeshkvinë e Managuas për shkak të largimit të jezuitit që kujdesej për të dhe vështirësisë për të gjetur zëvendësues.
Pas mbylljes së Universitetit të Amerikës Qendrore dhe revokimit të statusit ligjor të Shoqërisë së Jezusit në Nikaragua, a do të largoheni, nga frika e dëbimit a e burgut?
Disa jezuitë të moshuar dhe të sëmurë janë larguar nga vendi, sepse në mjedisin aktual e kanë pasur të vështirë t'u jepet ndihma e duhur. Por të tjerët vazhdojnë të punojnë në drejtimet e përmendura. Dëbimi apo konfiskimi i pasurisë është gjithmonë në horizont për besimtarët e pranishëm në vend. Motrat e Bamirësisë (të Shën Nënë Terezës), Bijat e Bamirësisë (të Shën Luizës de Marillac), Motrat Domenikane të Lajmërimit të Zotit, ndërmjet kongregatave të tjera, tashmë u detyruan të dorëzojnë gjithçka kishin mbas shpirtit dhe u dëbuan nga vendi, tërësisht ose pjesërisht. Në çdo rast, këmbëngulja në punë e atyre që jo vetëm qëndrojnë, por dëshirojnë të qëndrojnë pavarësisht nga rreziqet dhe armiqësia e qeverisë, është vërtetë shembullore.
Si mund ta përballojnë jezuitët detyrën misionare në një vend ku janë të persekutuar?
Në situata si ato të Nikaraguas është e rëndësishme të jesh i fortë, të jesh pranë njerëzve, të jesh gati për dialog kur është e mundur dhe t’i shoqërosh ata, që vuajnë. Këtë përpiqet të bëjë Kisha, e edhe jezuitët, natyrisht.
Pas një viti burgim të ipeshkvit Rolando Álvarez dhe shumë situatave të tjera të persekutimit kundër Kishës, cili është mesazhi juaj, si jezuitë, për popullin e Nikaraguas?
Rolando Álvarez është një shenjë e besnikërisë së Kishës ndaj popullit Nikaraguas. Shën Qipriani i Kartagjenës, në shekullin e tretë, i quajti martirë të krishterët që kishin rezistuar dhe që dolën gjallë pas dënimit të rëndë me punë të detyruar në minierat e Siçilisë. Ipeshkvi i Matagalpës është në një situatë të ngjashme me ato që vuajtën në miniera, në kohën e Perandorisë Romake. Ne, jezuitët, duam të jemi simbole rezistence në besnikërinë ndaj urdhrit të Jezusit, pranë atyre që vuajnë, edhe për t’u thënë një fjalë shprese në mes të dhimbjes. Qëndrueshmëria dhe rezistenca e vlerave të krishtera fiton gjithmonë, edhe nëse ka raste kur duhet të fitojmë të kryqëzuar!
Përballë kësaj situate, çfarë përgjigjeje i japin jezuitët qeverisë së Nikaraguas?
Shpresa jonë është dialogu, kthimi i mallrave, garancia për të qenë pranishëm, shfuqizimi i dënimeve dhe masave që cenojnë të drejtat e njeriut, si heqja e shtetësisë dhe internimi. Fillimi i një procesi dialogu, për të cilin Kisha në Nikaragua ka punuar aq shumë, është themelor për të dalë nga një situatë shtypëse, që mund të çojë vetëm në shkallëzimin e konflikteve.