Imzot Pizzaballa: Herzog në Stella Maris: gjest i rëndësishëm për të krishterët
R. SH. - Vatikan
Në një periudhë të vështirë për Izraelin, me tensione të mëdha, e të ndërlikuar për bashkësinë e krishterë, vizita e presidentit izraelit Isaac Herzog dhe gruas së tij në Manastirin Stella Maris është "gjest që tregon vendosmërinë për të luftuar fenomenin e dhimbshëm të sulmeve kundër të krishterëve”. Patriarku latin i Jeruzalemit - që do të jetë Kardinal në Koncistorin e 30 shtatorit të ardhshëm - Fortlumturia e tij Pierbattista Pizzaballa, e komenton kështu në Vatican Radio-Vatican News, praninë e djeshme, 9 gusht, të kreut të shtetit izraelit në Manastirin Karmelit, në Haifa, kohët e fundit objekt i sulmeve nga hebrenjtë ekstremistë, të cilët pretendojnë se u përket, ndaj vijojnë t’i sulmojnë vendet e shenjta të krishtera, veçanërisht Haifën dhe Jeruzalemin.
Zëri i Herzogut, më autoritar
Për të mirëpritur Presidentin Herzog, sipas një deklarate të Patriarkanës, përveç Pizzaballës, ishin edhe karmelitanët e Haifës, së bashku me patriarkun e Kishës Ortodokse të Jeruzalemit Theophilos, si dhe ipeshkvijtë dhe krerët e kishave, të cilët, sipas një note, shprehin "kënaqësinë e tyre për këtë akt që mbështet thirrjen për të krijuar një kornizë më të ngushtë paqeje, mirëkuptimi dhe bashkëjetese". “Në këto çaste të ndërlikuara - shpjegon patriarku - veçanërisht për bashkësinë e krishterë, por jo vetëm, tensionet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve janë të vazhdueshme, e zëri i presidentit izraelit, veçanërisht përsa i përket sulmeve, posaçërisht kundër të krishterëve, ishte shumë i qartë, shumë i vendosur, ndoshta i vetmi zë kaq autoritar në botën politike izraelite, i vlerësuar nga të gjithë. Edhe vizita e tij në një nga vendet më të prekura në këtë periudhë, është gjest që flet qartë për luftën e vendosur kundër këtij fenomeni të dhimbshëm”.
Presidenti izraelit, të krishterëve: të gatshëm për mbrojtjen e lirisë fetare
Shefi i policisë, Yaakov Shabtai ishte i pranishëm me Herzogun në Stella Maris. Për Imzot Pizzaballë-n, shenjë e qartë që tregon synimin "për ta marrë seriozisht çështjen". Fenomeni i sulmeve kundër vendeve të shenjta të krishtera, sipas Patriarkut, ka krijuar edhe diçka pozitive, e pikërisht, “ndërgjegjësim më të madh për problemin, që ndoshta ishte nënvlerësuar pak më parë”. Sipas Patriarkut, megjithatë, nuk do të jetë kurrë vetëm ndërhyrja e policisë ajo që do ta zgjidhë çështjen, sepse “duhet të punohet në rrënjë, pra në edukimin për të respektuar të tjerët, gjë që nuk është aq në modë në këtë periudhë, në Tokën e Shenjtë”. Prandaj, Patriarku e shikon jetën shoqërore me këtë sy: "Tjetri shihet si kërcënim, Jeruzalemi është për mua, prandaj nuk mund të jetë edhe i juaji, e kështu me radhë", gjë që tregon se do të duhet kohë për t’i zgjidhur çështjet. Gjithsesi, mbetet fakt “që jemi ndërgjegjësuar, aspekt pozitiv në vetvete”- nënvizoi. Kjo periudhë mbetet shumë e vështirë për jetën e vendit dhe “jo vetëm për sulmet kundër të krishterëve, pasi fenomeni që po përjetojnë të krishterët është pjesë e një fenomeni dhune të përgjithshme”. Problemi është se “mungesa e besimit lind dhunë, prandaj është e nevojshme të punohet shumë sidomos në nivelin fetar me të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët, në mënyrë që kultura e përjashtimit të tjetrit të mos hyjë tepër thellë në ndërgjegjen e popullatës".
Edhe Mahmud Abbass shpreson…
Edhe Presidenti Mahmoud Abbas, që shpreson gjithashtu në ndikimin e fesë, u takua dje, 9 gusht, me Imzot Pizzaballën në Ramallah. Prijësi palestinez, i cili e takoi patriarkun për një vizitë mirësjelljeje - e uroi për emërimin e tij kardinal - por edhe për "vlerësimin e drejtë të situatës". "Një gjë shumë e bukur" - kujton Pizzaballa: "Është periudhë në të cilën ata që duan paqen nuk dëgjohen shumë, por ne duhet të vazhdojmë t'i kërkojmë këta njerëz, sepse do të vijë koha kur do të kemi nevojë për ta”.