“Global Friendship”, takimi i të rinjve evropianë për të ardhmen
R.SH. – Vatikan
Të rinjtë nga e gjithë Evropa takohen që sot (25 gusht) e deri më 27 gusht në dy qytetet italiane të Padovës dhe Venedikut për ngjarjen me temë "Miqësia globale për të ardhmen në paqe", organizuar nga "Të rinjtë për paqen", realitet rinor i Bashkësisë së Shën Egjidit. Takimi ka arritur në edicionin e tij të dhjetë dhe këtë vit, për herë të dytë, mbahet në një kuadër historik të karakterizuar nga luftëra, që duket sikur nuk kanë fund, si ajo në Ukrainë, por edhe ajo në Siri e në Jemen.
Orlando: "Të rinjtë nuk dorëzohen para luftës"
Në këtë ngjarje të madhe janë të pranishëm rreth 1000 të rinj nga 14 vende të Evropës Perëndimore dhe Lindore, të cilët duan të kontribuojnë në krijimin e kulturës së paqes, përmes projekteve të solidaritetit me të varfërit dhe bashkëjetesës ndërmjet njerëzve të kulturave dhe feve të ndryshme. Ka edhe të rinj nga Ukraina, pohon Stefano Orlando, përgjegjës për rininë në Bashkësinë e Shën Egjidit, në mikrofonin e Radio Vatikanit/Vatican News. “Të rinjtë nuk dorëzohen para luftës, ata besojnë në paqe dhe e duan paqen, prandaj ky takim është një mënyrë për të thënë se nuk ka të ardhme pa paqe”. Këto tri ditë, vijon Orlando, janë pjesë e një rrugëtimi që po ndjek rinia e Shën Egjidit “prej kohësh, duke u impenjuar në periferi me fëmijët në vështirësi, të pastrehët dhe të moshuarit e vetmuar”. Gjatë muajve të verës janë organizuar edhe pushime në solidaritet me refugjatët në Athinë dhe Qipro.
Të përhapet kultura e solidaritetit
Së bashku me bashkëmoshatarët e tyre nga vendet e tjera evropiane, të rinjtë u japin zë shpresave të brezit të tyre për paqe dhe po diskutojnë mbi tema të ndryshme - ekologji, migrim, varfëri - për të përhapur kulturën e solidaritetit dhe të integrimit.
"Realiteti i të rinjve në Bashkësinë e Shën Egjidit, që nga themelimi i saj në vitin 1968, ka pasur gjithmonë vendin e tij brenda shoqatës, sepse ne besojmë - nënvizon Orlando - se të rinjtë, me entuziazmin dhe çiltërsinë e tyre, janë në gjendje ta ëndërrojnë dhe ta promovojnë kulturën e paqes e të solidaritetit”.
Padova dhe Venediku, zemra e "Global Friendship"
Programi i këtyre ditëve në Padova e Venedik përfshin debate, ngjarje të përbashkëta për të ndenjur me njëri-tjetrin e shkëmbime kulturore. Takimi u hap në Padova nga Mario Giro, ish-zëvendësministër italian i Punëve të Jashtme, që foli mbi temën: "Rinia globale, si ta kuptojmë botën tonë të ndërlikuar”. Në mbrëmje, lutja për paqen, kryesuar nga kardinali Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane dhe i dërguari i veçantë i Papës Françesku për misionin e paqes në Ukrainë. Nesër paradite të rinjtë do të marrin pjesë në një asamble me Marco Impagliazzo-n, kreun e Bashkësisë së Shën Egjidit, për të reflektuar mbi temën: "Gjithçka mund të ndryshojë". Takimi do të mbyllet të dielën pasdite me një “flash mob” për paqen në Sheshin e Shën Markut në Venedik.