Fjetja e Marisë Virgjër, dogmë feje, lindur nga dashuria e popullit
R.SH. / Vatikan
Duke filluar nga Pashkët, rruga e vitit liturgjik zgjatet ndërmjet qiellit dhe tokës: Ringjallja, Ngjitja e Krishtit në Qiell, pastaj zbritja e Shpirtit Shenjt mbi apostujt dhe përsëri, me Shndërrimin, Jezusi me natyrën njerëzore dhe hyjnore. Kemi arritur tek Përgjumja a Fjetja e Marisë, më 15 gusht, e tek ngjitja e Saj në qiell me trup dhe shpirt.
Vazhdimësia liturgjike nuk është e rastit: plani shëlbues thellohet dhe ripërtërihet në festat, që pasojnë njëra-tjetrën gjatë vitit…
16 gusht "dies natalis" e Marisë
Ngjitja në qiell kujton dies natalis të Marisë, d.m.th., ditën e fundit të jetës së saj tokësore dhe fillimin e jetës së mbinatyrshme, të pafundme përkrah Birit të saj. “Dies natalis” quhej në botën e hershme të krishterë dita e vdekjes së besimtarit, që nuk shikohej si fundi i jetës njerëzore, por si rilindje e saj. Prandaj kujtimi liturgjik i shenjtorëve bie gjithmonë në ditën e vdekjes, jo të lindjes së tyre.
Tota pulchra
Këshilli i Efezit, i mbledhur nga Theodosius II në 431 e quajti Marinë Theotokos (nga greqishtja Θεοτόκος), bartëse - ose nënë - e Zotit, duke shkuar përtej përkufizimit të kujdesshëm Christotokos (nga greqishtja Χριστοτόκος), domethënë, mbartëse e Krishtit, dhënë nga kryeipeshkvi i Kostandinopojës Nestorius.
Ndërsa Gjon Damasheni, i cili jetoi ndërmjet gjysmës së dytë të shekullit të shtatë dhe gjysmës së parë të shekullit të tetë, pohon:
“Ishte me vend që ajo, e cila në lindje ruajti virgjërinë e saj të paprekur, ta ruante edhe trupin të paprekur nga kalbja, pas vdekjes.
Ishte me vend që ajo, e cila kishte mbajtur Krijuesin në barkun e saj, të banonte në banesën hyjnore.
Me vend, që Vasha e Zotit të hynte në shtëpinë qiellore.
Me vend që ajo, e cila e pa të Birin e vetëm të mbërthyer mbi Kryq, duke ndjerë në trup dhimbjen që i qe kursyer gjatë lindjes, ta sodiste atë të ulur në të djathtën e Atit.
Me vend, që Nëna e Zotit të kishte çka i takonte për shkak të Birit të saj dhe të nderohej nga të gjitha krijesat si Nënë dhe skllave e Zotit (Homelia II në dormitionem B.V. Mariae, 14 [PG 96, 742] ).
E kështu biri i Hyjit, ndonëse gjithnjë në formën e Zotit, uli qiejt e zbriti… pranë shërbëtorëve të tij… duke bërë më të renë ndërmjet të gjitha gjërave, gjënë e vetme të re nën këtë diell, përmes së cilës shprehu vërtetë pushtetin e pafundmë të Hyjit”.
Kryqi i Krishtit, thotë Shën Gjon Damasheni, “është çelësi i parajsës së qiellit. Kryqi është drita që shndrit qiellin e tokën”.
Origjina e solemnitetit të Ngjitjes së Zojës në Qiell
Kulti i Virgjërës ishte formuar sigurisht shumë përpara Koncilit Efesian dhe ishte ushqyer nga besimi dhe përkushtimi popullor, për t'u fiksuar më pas në shkrimet apokrife ndërmjet shekujve IV dhe V. Për të plotësuar heshtjen e ungjijve, që flasin shumë pak për Marinë, lindi një traditë në të cilën u bashkuan legjendat dhe historitë, që flisnin gjerësisht për jetën e saj, duke nisur nga shekulli II, me Protoevangelium të Jakobit. Megjithatë, për të arsyetuar rreth rrethanave dhe mënyrave të vdekjes së saj, duhet të presim shekullin e pestë, kur formohen dy rryma kryesore: e para pohon se shpirti i fjetur i Virgjërës u mbart në parajsë nga engjëjt së bashku me trupin, ku ajo do të priste e pakalbur ditën e ringjalljes së njerëzimit (Pseudo Gjon Ungjilltari). Ndërsa i dyti, për vdekjen dhe ringjalljen e saj pas tre ditësh, për t’u ngjitur pastaj në parajsë (Melitone di Sardi).
Një festë e lindur nga ndjenja popullore
Diskutimet vazhduan të jenë të nxehta. Vetëm shenjtorët Alberti i Madh, Tomas Akuini dhe Bonaventura e mbështetën kultin e Virgjërës Mari. E ndërsa qëndrimet e pafavorshme dobësoheshin gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës, devotshmëria popullore rritej, duke i lëkundur dyshimet, e shkrimet e përshpirtshme dhe krijimet letrare shumoheshin, për të mos përmendur artet figurative: të gjitha dëshmojnë se si hamendja duhej pranuar si fakt. Si tek Dante, që shkruan vargjet e Këngës XXXIII të Parajsës, kur Shën Bernardi ndërmjetëson për poetin dhe i lutet Virgjërës që të mund të shohë Zotin. Kështu Dante e quan Marinë: “Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir”, ndërsa Bernardi, mbretëreshë.
Virgjëresha Mari niset të thirret që në kohët e lashta me emrat më të ëmbël e sublimë. Numri i shkrimeve, të lashta e moderne, nga lutja, teologjia e letërsia në prozë apo vargje, kushtuar Asaj, është i pafund. E pamundur të zgjedhësh vetëm disa kryevepra, edhe nëse shfletojmë faqet e kohës, ku hasim vazhdimisht fjalë të mrekullueshme, gjithmonë përplot me dashuri. Nga ana tjetër, figura e Marisë është tronditëse: historia e saj, vashëria, amësia e saj e lavdishme janë magnet që tërheq dhe ngushëllon, gjë që e nxit njeriun t'i afrohet thjeshtësisht misterit domethënë, të besojë më shpejt. Pseudo-Augustini e quan Marinë "dritare drejt qiellit”, sepse përmes saj Zoti rrezatoi dritë të vërtetë ndër shekuj. Maria u bë shkallë për në qiell, sepse nëpërmjet saj zbriti Zoti mbi tokë” (Diskurs 123,2).
Ngadhënjimi i devocionit ndaj Virgjërës
Mesjeta dhe Rilindja përfaqësojnë ngadhënjimin e devocionit Marian. Në art, shumëfishohen portretet e Marisë, që zënë vendin e hyjnive pagane, ndërsa skena e fjetjes zë një vend më pak të rëndësishëm. Gjithçka synon të kremtojë lumninë e Marisë. Pas Kundëreformës, pranohet përfundimisht figura e Virgjërës, që ngjitet drejt qiellit e rrethuar nga një turmë engjëllore.
Kalojnë shekujt, ndodhin ndryshime të thella. Shekullarizimi vijon, paralelisht me ndryshimet shoqërore gjithnjë e më të shpejta. Po devocioni për Virgjërën nuk pakësohet, përkundrazi, rritet duke nisur që nga fillimi i shekullit të 20-të. E kjo, sepse Dogma e Zojës, u përgjigjet kërkesave të njerëzve, që e kërkojnë nga Papa.
Dogma
Njerëzit e kërkojnë dogmën nga Papa! E Papa, para se të vendosë, u drejton një letër të gjithë ipeshkvijve të botës, duke kërkuar edhe mendimin e tyre. Rezultatet flasin vetë: 94% e ipeshkvijve të mbarë botës i përgjigjen menjëherë kërkesës e, ndërmjet tyre, njëmijë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë e miratojnë dogmën; gjashtëmbëdhjetë e pranojnë Të ngjiturit e Zojës në qiell, por janë të pasigurt në se duhet bërë dogmë; gjashtë mendojnë se ndoshta nuk është e nevojshme që Të ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell të bëhet e vërtetë e zbuluar. Piu XII mori përgjigjen që priste dhe, në vitin 1950, e shpalli dogmën e të Ngjiturit të Zojës në qiell me shpirt e me trup:
“Që sot e tutje do të jetë një e vërtetë e pranuar e nuk mund të vihet më në diskutim: Maria u ngjit në qiell me trup e me shpirt. Në të vërtetë të krishterët e mbarë botës besojnë prej kohe në këtë mrekulli. Për ta Maria, që e mbajti në kraharor Jezusin, që e ushqeu, që e shtrëngoi ndër krahë, nuk mund të ndahej nga i Biri. Për besimtarët është logjike, është normale. Jeta e saj, e filluar në mënyrë të jashtëzakonshme, me lindjen pa mëkat, duhej edhe të përfundonte në mënyrë të jashtëzakonshme”.
Bula "Munificentissimus Deus", i dha hov të ri kremtimit të festës së sotme e cila, edhe para dogmës, qe gjithnjë tepër e vlerësuar nga pëshpirtëria popullore.