Kërko

Shkatërrimet në lagjen e krishterë të Jaranwala, qytetit në Punjab-in pakistanez, i cili, më 16 gusht, u përfshi nga vala e dhunës kundër të krishterëve Shkatërrimet në lagjen e krishterë të Jaranwala, qytetit në Punjab-in pakistanez, i cili, më 16 gusht, u përfshi nga vala e dhunës kundër të krishterëve

Edhe krerët myslimanë të Pakistanit, për vizitë tek të krishterët viktima të dhunës

Kryeipeshkvi i Lahores, krerët myslimanë dhe kryeministri i Pakistanit u takuan me familjet e krishtera, që këto ditë janë goditur nga dhuna e ekstremistëve. “Nuk i përndjekim armiqtë e pakicave thjesht se e kemi për detyrë, por sepse jemi të bindur për këtë. Si pasues të themeluesit të atdheut Ali Xhinah dhe si ndjekës të Profetit Muhamet, ne veprojmë sipas ligjit dhe Kushtetutës së Pakistanit, e cila na inkurajon dhe na detyron t'i përgjigjemi kësaj mizorie", deklaroi kryeministri

R.SH. – Vatikan

Në çastet e vuajtjes, kontakti njerëzor, përqafimi, buzëqeshja dhe fjalët ngushëlluese kanë vlerë më të madhe se në raste të tjera. Me këtë bindje, kryeipeshkvi i Lahores, imzot Sebastian Shaw shkoi në Jaranwala, qyteti në Punjab-in pakistanez, i cili, më 16 gusht, u përfshi nga vala e dhunës kundër të krishterëve, për shkak të supozimit se kishin blasfemuar. Kryeipeshkvi vizitoi familjet, u lut me to, i dëgjoi dhe i ngushëlloi. Kjo vizitë erdhi menjëherë pas asaj të ipeshkvit të Faisalabadit, imzot Indrias Rehmat, i cili kremtoi meshën në lagjen e krishterë të shkatërruar, si edhe pas asaj të delegacionit të Komisionit Ipeshkvnor "Drejtësi dhe Paqe", udhëhequr nga imzot Joseph Arshad. Kësaj radhe, bashkë me kryeipeshkvin Shaw deshën të solidarizohen me të krishterët e madje, edhe të luten me ta, edhe disa krerë myslimanë, të cilët e dënuan dhunën që në fillim.

Të krishterët se nuk janë vetëm në vuajtje

"Gjithçka pamë, ky shkatërrim i tmerrshëm na ngjalli emocione dhe na bëri shumë përshtypje – deklaron imzot Shaw për agjencinë katolike të lajmeve FIDES. - Njerëzit janë tronditur dhe dëshpëruar, nuk u ka mbetur asgjë. Na takon neve t’u çojmë pak ngushëllim, duke u bërë dëshmitarë të dashurisë së Jezusit. Ata kanë nevojë për afërsi njerëzore, ndihmë psikologjike dhe materiale, prandaj, përmes Karitasit, po organizojmë çdo ndihmë të mundshme, edhe falë vullnetarëve dhe kongregatave të ndryshme fetare. U thashë të krishterëve se nuk janë vetëm në vuajtje, Jezu Krishti është pranë tyre e ne jemi me ta, interesohemi e do të kujdesemi për ta”, thekson imzot Shaw.

Anwar ul Haq: "të krishterët, rol të rëndësishëm në themelimin e Pakistanit"

Bashkësia e Jaranwala-s, në një asamble besimtarësh të feve të ndryshme, përfshirë myslimanët, priti edhe kryeministrin e përkohshëm të Pakistanit, Anwar ul Haq, që deshi të solidarizohej personalisht me viktimat, në emër të qeverisë federale. Në një fjalim të përmendur gjerësisht nga mediat pakistaneze, Anwar ul Haq kujtoi se "bashkësia e krishterë pati një rol të rëndësishëm në themelimin e Pakistanit" dhe është pjesë përbërëse e kombit, prandaj, "është përgjegjësi e çdo myslimani ta mbrojë atë dhe të gjitha pakicat”.

“Shteti dhe shoqëria do të jenë pranë jo vetëm me fjalë”

Kryeministri shtoi: “Nuk i përndjekim armiqtë e pakicave thjesht se e kemi për detyrë, por sepse jemi të bindur për këtë. Si pasues të themeluesit të atdheut Ali Xhinah dhe si ndjekës të Profetit Muhamet, ne veprojmë sipas ligjit dhe Kushtetutës së Pakistanit, e cila na inkurajon dhe na detyron t'i përgjigjemi kësaj mizorie. Nuk do t’i falim lehtësisht persekutuesit. Nëse dikush persekuton ndonjë bashkësi, do të përgjigjet para drejtësisë". “Vëllezër dhe motra – iu drejtua kryeministri të krishterëve – ne jemi me ju, do të jemi zëri i të pazëve. Do të zbatojmë ligjin. Shteti dhe shoqëria do të jenë pranë jush jo vetëm me fjalë, por me gjeste të dukshme dhe kuptimplote”. Anwar ul Haq dha më pas 2 milionë rupi për çdo të krishterë, që i shkatërruan shtëpinë më 16 gusht.

23 gusht 2023, 12:16