Drejtësi që lind nga feja: lumnimi i dëshmorëve të Uca-s, në El Salvador
R. SH. - Vatikan
“Historia duhet të kthehet përmbys, duke nisur nga të varfërit dhe të shtypurit e botës, sepse ata janë viktimat e vërteta dhe të vetme të historisë. Janë të lënë pas dore, të padukshëm, të braktisur, të përjashtuar nga shoqëria; megjithatë, pikërisht ata janë përfaqësuesit më të lumnueshëm të Krishtit”. Kështu u shpreh Imzot José Luis Escobar Alas, kryeipeshkëv i San Salvadorit, ditën kur shpalli fillimin e procesit të lumnimit të dëshmorëve të Universitetit Qendroamerikan José Simeón Cañas (i njohur edhe si Uca), pjesë e një grupi të madh viktimash të pafajshme të luftës së fundit civile, e cila lau në gjak Republikën e El Salvadorit deri në vitin 1992, duke lënë pas jo më pak se 70,000 të vdekur. Natën e 16 nëntorit 1989, një grup ushtarësh nga batalioni Atlácatl, sulmoi Universitetin e jezuitëve në kryeqytetin e vendit, duke vrarë rektorin, filozofin dhe teologun spanjoll Ignacio Ellacuría dhe pesë vëllezër të tjerë të tij: Segundo Montes, Juan Ramón Moreno Pardo, Amado López, Joaquín López y López, zëvendësrektorin Ignacio Martín-Baró, si dhe kuzhinieren e institutit, Elba Julia Ramos dhe vajzën e saj, Celina, vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Nxitësi i kësaj masakre mizore ishte zëvendësministri i atëhershëm i Sigurimit Publik të El Salvadorit, Inocente Orlando Montano, i dënuar në vitin 2020 me 113 vjet burg nga Audiencia Nacional, gjykata me seli në Madrid, kompetente për rastet e vrasjeve të shtetasve spanjollë jashtë vendit. I therën, pasi qeveria e Alfredo Cristianit dyshonte se strehonin kundërshtarët, ndërsa jezuitët, në vend të kësaj, përpiqeshin të afronin shtetin me guerrilasit e Frontit Farabundo Martí për Çlirimin Kombëtar (Fmln). Ranë, kështu, viktimë e atmosferës së persekutimi, që synonte zhdukjen e plotë të armiqve, realë a të hamendësuar, për të shuar çdo përpjekje rezistence. Ndërsa ata e mbrojtën deri në martirizim drejtësinë, që vjen nga feja.
Kishë profetike e martire
Flijim i madh i Kishës Salvadorane vetëm në pesëdhjetë vitet e fundit të historisë, që teologu Jon Sobrino, i shpëtuar nga masakra e Uca-s, e quan "Kishë profetike e martire, në shërbim të Zotit dhe të çlirimit". Shembull i kësaj Kishe është Atë Rutilio Grande García i cili, pasi dënoi shpërdorimet e oligarkisë në pushtet, u bë shoshë me plumba në makinën e tij, më 12 mars 1977, ndërsa ishte rrugës për në San José El Paisnal, për të kryesuar një përgatitje eukaristike për festën Pajtorit, Shën Jozefit. Atë Grande García, i lumnuar në janar 2022, ishte nismëtari i atij brezi jezuitësh që dinin ta përhapnin Ungjillin, pavarësisht nga klima armiqësore dhe e rrezikshme, duke e paguar këtë përkushtim me çmimin e jetës. Po kështu edhe Imzot Óscar Arnulfo Romero y Galdámez, kryeipeshkëv i San Salvadorit, që u vra në vitin 1980 nga një vrasës nga skuadrat e vdekjes, ndërsa po kremtonte meshën në një kishë spitalore dhe më pas u shpall shenjt nga Papa Françesku, në vitin 2018. Ishin ngjarje të përgjakshme, të cilat tronditën opinionin publik ndërkombëtar dhe e shtynë Atë Ellacurían, filozofin që ndikoi fuqimisht mbi filozofinë e çlirimit, të punojë fort për një Kishë sa më pranë të varfërve dhe më të harruarve, deri në atë pikë, sa të martirizohej me sivëllezërit e tij, në atë 16 nëntor tejet tragjik.
Vendi të fillojë një periudhe reformash
Është impenjim që Kisha e El Salvadorit - e udhëhequr nga shembulli i shumë burrave të së kaluarës, të cilët ditën ta ndriçonin jetën e bashkësisë duke u vënë në shërbim të më të ligshtëve - e vazhdon edhe sot, ashtu si e kujtoi edhe Imzot Escobar Alas. Ipeshkvi uron që vendi të fillojë një periudhe reformash, e cila nuk mund të shtyhet më, në mënyrë që të kapërcehen pabarazitë sociale dhe ekonomike ndërmjet qytetarëve. Pa harruar drejtësinë, shëndetësinë, arsimin dhe, jo më pak e rëndësishme, respektin më të madh për mjedisin, ende subjekt i minierave tepër ndotëse, pa harruar edhe angazhimin “për një sistem ligjesh që i thonë ‘kurrë më’ korrupsionit dhe mosndëshkimit”. Ndër urgjencat e treguara nga Escobar Alas, është edhe zhdukja e dhunës, modernizimi i sistemit shkollor, vëmendja ndaj popujve vendas që kanë të drejtë të mos humbasin kulturën dhe gjuhën e tyre dhe përmirësimi i sistemit të pensioneve, në mënyrë që të sigurohet dinjiteti i punëtorëve.
Përmbysja e historisë
Kërkohet, pra, “përmbysja e historisë”, për të vënë në qendër njeriun dhe solidaritetin e jo më kapitalin. "Kremtimi i Shndërrimit të Zotit - uroi kryeipeshkvi i San Salvadorit ditën e festës - qoftë rast për të luftuar e për ta shndërruar vendin tonë, sipas vullnetit të Zotit. Shëlbuesi Hyjnor i botës, me ndërmjetësimin e Marisë dhe të martirëve tanë, na ndihmoftë ta kthejmë përmbys historinë në favor të të varfërve që pësuan kaq shumë padrejtësi”.