Çelësi i fjalëve të Kishës: vetëm Zoti është shpresa jonë
R.SH. - Vatikan
Nuk mund të jetojmë pa shpresë – thoshte Benedikti XVI, ndërsa përkujtonte Papën polak Wojtila, në 4-vjetorin e vdekjes. Përvoja tregon se çdo gjë e, edhe vetë jeta jonë janë në rrezik, mund të shpërbëhen për çfarëdo lloj arsyeje, që varet a s’varet prej nesh, në çdo çast. Është normale: gjithçka njerëzore, pra, edhe shpresa, nuk mund të bazohet vetëm në vetveten, por ka nevojë për një “shkëmb” ku të kapet. Ja përse shën Pali apostull shkruan se të krishterët janë të thirrur ta bazojnë shpresën njerëzore mbi “Hyjin e Gjallë”. Vetëm me Të bëhet e sigurt dhe e besueshme. Madje, vetëm Zoti, që në Jezu Krishtin na zbuloi plotësinë e dashurisë së Tij, mund të jetë shpresa jonë më e patundur. Vërtet, në Të, shpresa jonë, u shpëtuam (shih Rm 8,24).
Por, duhet të kemi kujdes: në kohë si këto, duke pasur parasysh kuadrin kulturor e shoqëror në të cilin jetojmë, rreziku për ta reduktuar shpresën e krishterë në ideologji, në parullën e ndonjë grupi, ose në dukje të jashtme, mund të jetë edhe më i madh. Asgjë më në kundërshtim me mesazhin e Jezu Krishtit! Ai nuk dëshiron që dishepujt e tij “të recitojnë” pjesën si të ishin në teatër, pjesën e shpresës. Ai dëshiron që ata “të jenë” shpresa vetë e, mund të jenë të tillë vetëm nëse qëndrojnë të bashkuar me Të!
Ngjallja e Jezu Krishtit Zot na siguron se plani hyjnor i shëlbimit, pavarësisht nga dritëhijet e historisë, do të plotësohet deri në fund. Ja përse Pashkët e tij janë vërtet shpresë për ne – pohonte Benedikti XVI në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, më 13 prill 2009. E ne, të ringjallur në Krishtin përmes Pagëzimit, tani, duhet ta ndjekim me besnikëri, me shenjtërinë e jetës, duke ecur drejt Pashkëve të amshuara, të mbështetur në vetëdijen se vështirësitë, lufta, sprovat, vuajtjet e jetës, përfshirë vdekjen, nuk mund të na ndajnë prej Tij dhe prej dashurisë së Tij. Ngjallja e Krishtit hodhi një urë ndërmjet botës dhe jetës së amshuar, në të cilën çdo burrë e çdo grua mund të kalojë për të arritur horizontin e vërtetë të shtegtimit të vet tokësor.