Kërko

Varri bosh i Jezusit të Ringjallur, shpresa e të krishterëve Varri bosh i Jezusit të Ringjallur, shpresa e të krishterëve

Çelësi i fjalëve të Kishës: i vuajturi e gjen shpresën në Jezusin e Ngjallur

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, mendimet e Joseph Ratzinger janë marrë nga mesazhi “Urbi et Orbi” i 16 prillit të vitit 2006, nga Enciklika “Spe Salvi”, botuar më 30 nëntor 2007, si edhe nga mesha e kremtuar në Brno të Republikës Çeke, më 27 shtator 2009

R.SH. – Vatikan

Sot, në këtë epokën tonë të karakterizuar nga ankthi e pasiguria, rijetojmë ringjalljen e Krishtit, që ia ka ndryshuar fytyrën jetës sonë, e ka ndryshuar historinë e njerëzimit. Nga Krishti i ringjallur, presin shpresë, nganjëherë edhe pa e ditur, të gjithë ata, që ende shtypen nga vuajtja e nga vdekja.

Mister i madhërishëm dashurie

Zoti i ringjallur bëftë të ndihet kudo forca e tij e jetës, e paqes dhe e lirisë – uronte Benedikti XVI në mesazhin “Urbi et Orbi” të 16 prillit 2006, kur besimtarët katolikë kremtonin Pashkët e, njëkohësisht, edhe ditëlindjen e vetë Papës. Të gjithëve u drejtohen sot fjalët me të cilat, në mëngjesin e Pashkëve, engjëlli i siguroi zemrat e tronditura të grave: “Mos kini frikë!... Nuk është këtu. U ngjall” (Mt 28,5-6). Jezusi u ngjall e na dhuron paqen; është Ai vetë paqja. Pikërisht për këtë arsye, Kisha përsërit: “Krishti u ngjall – Christós anésti”. Njerëzimi i Mijëvjeçarit të Tretë të mos ketë frikë për t’ia hapur zemrën. Ungjilli i tij e shoftë plotësisht etjen për paqe e lumturi, që banon në çdo zemër njerëzore. Krishti tani është i gjallë dhe ecën me ne. Mister i madhërishëm dashurie”.

Na është dhuruar një shpresë e besueshme

“Shëlbimi”, shpëtimi, sipas fesë së krishterë, nuk është thjesht një fakt. Shëlbimi na është ofruar, në kuptimin që na është dhuruar shpresa, një shpresë e besueshme, për hir të së cilës jemi në gjendje t’i bëjmë ballë së tashmes: e tashmja, edhe kur është e lodhshme, mund të jetohet e të pranohet nëse çon drejt një horizonti të caktuar, për të cilin jemi të sigurt, pasi ky horizont është aq i madh sa ta justifikojë lodhjen e udhës. Kështu shkruante Joseph Ratzingher në enciklikën “Spe salvi”, për ta përfocuar, më pas, këtë mendim edhe në raste të tjera, si për shembull, në meshën me besimtarët e Brnos (Republika Çeke), më 27 shtator 2009.

Të dëgjojmë Fjalën e Zotit

Shpresa e vetme “e sigurt” dhe “e besueshme” bazohet në Zotin, u thoshte atyre. Përvoja historike tregon se në ç’absurditete arrin njeriu kur e përjashton Hyjin nga horizonti i vendimeve dhe i veprimeve të veta e, sa s’është e lehtë të ndërtohet një shoqëri e frymëzuar nga vlerat e së mirës, nga drejtësia dhe vëllazërimi, sepse njeriu është i lirë e liria e tij është e brishtë. Atëherë, liria duhet rifituar gjithnjë për të arritur të mirën dhe kërkimi aspak i lehtë i “ligjeve të drejta për gjërat njerëzore” (Spe Salvi 24-25) është detyrë, që u përket të gjitha brezave. Ja përse, të dashur miq, jemi këtu, në radhë të parë, për të dëgjuar, për të dëgjuar një fjalë, që na tregon rrugën dhe na çon drejt shpresës; madje, jemi këtu për të dëgjuar të vetmen Fjalë, që mund të na dhurojë shpresën e qëndrueshme, sepse ajo është Fjala e Zotit.

31 gusht 2023, 09:30