Aushvic: mesazhi i shën Maksimilian Kolbes aktual për Evropën në luftë
R.SH. – Vatikan
Kryeipeshkvi i nderit i Bambergut, imzot Ludwig Schick, mori pjesë në Aushvic në seminarin e 14-të evropian mbi reflektimin për të kaluarën e dhunshme, që pikërisht në këtë ish-kamp nazist përqendrimi arriti kulme të papara çnjerëzore. Ngjarja organizohet çdo vit nga Fondacioni Maximilian Kolbe.
Të mos dorëzohemi para dhunës
Në një konferencë, në kujtim të fratit të shenjtë polak Kolbe, martir në Aushvic, imzot Schick foli para rreth 30 pjesëmarrësve nga 13 vende evropiane për rolin e Kishës në përballjen me luftërat e kaluara. "Me mesazhin biblik dhe përvojën e gjatë, të krishterët mund të këshillojnë rrugët për paqe, si edhe për të mos u dorëzuar kur ndeshemi me dhunën e me nevojën për pajtim”, pavarësisht se kjo mund të jetë e vështirë dhe nganjëherë, duket e pamundur, nënvizoi imzot Schick.
Paqe e drejtë në Ukrainë
Në seminarin, që filloi në datën 11 e përfundoi sot, 16 gusht, pjesëmarrësit folën për sfidat e pasojave të dhunës dhe për vlerën e pajtimit, duke ndarë përvojat dhe perspektivat e tyre të ndryshme. Kryeipeshkvi i nderit i Bambergut, imzot Schick, i cili është kryetar i Këshillit Drejtues të Fondacionit Maximilian Kolbe, vuri në dukje aftësinë e shenjtit polak për “ta ruajtur humanizmin në mesin e mizorive çnjerëzore të kampeve të përqendrimit".
Kryeipeshkvi theksoi se mesazhi i shën Maksimilian Kolbes "është edhe më i rëndësishëm në këtë kohë lufte në Evropë", kur "nevojiten urgjentisht paqja dhe pajtimi". “Kolbe e di ç’është lufta dhe ç’do të thotë ajo për njerëzit. Për këtë arsye, na paralajmëron sot, në vitin 2023, që sidomos ata, që kanë përgjegjësi politike, duhet të bëjnë ç’është e mundur për të siguruar sërish paqen e drejtë në Ukrainë”.
Solidariteti evropian dhe shkëmbimi ndërkombëtar
Në seminar, pjesëmarrësit reflektuan për udhët e promovimit të paqes së qëndrueshme në Evropë, duke pasur parasysh përvojën e dhunës në Luftën II Botërore, që çoi në vende si Aushvici. "Në këto ditë lufte kundër Ukrainës", nënvizuan ata, kuptohet "sa i rëndësishëm është solidariteti evropian dhe shkëmbimi ndërkombëtar".
Rrjeti ndërkombëtar i Fondacionit Kolbe "po përpiqet të ndihmojë në përforcimin e atyre, që po punojnë për pajtimin ndërmjet palëve, përmes shkëmbimeve të vazhdueshme", sqaroi Jörg Lüer, zv.kryetar i Fondacionit Maximilian Kolbe. Gjatë seminarit, dhanë dëshminë e tyre edhe dy nga të mbijetuarit e Aushvicit, Zdzisława Włodarczyk dhe Grzegorz Tomaszewski: rrëfimet e tyre i bënë pjesëmarrësit t’i përjetojnë me dhimbje ngjarjet e asaj kohe. Këto dëshmi u kujtuan të gjithëve sa e rëndësishme është të mos harrohet çka ndodhi, në mënyrë që njerëzit të nxjerrin mësime nga historia për të ndërtuar një ardhmëri në paqe.