Kërko

 Padre generale dei Gesuiti, Arturo Sosa Padre generale dei Gesuiti, Arturo Sosa

Eprori i përgjithshëm i Jezuitëve, Atë Sosa: regjimi në Nikaragua, lirivrasës!

Në një letër drejtuar provincialit të jezuitëve të Amerikës qendrore, Eprori i përgjithshëm i Jezuitëve dënon sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të Universitetit Qendroamerikan nga autoritetet nikaragueze: kërkoj që konfiskimi të anullohet dhe të marrë fund sulmi kundër universitetit!

R.SH. / Vatikan

Komplot i mirëpërgatitur “i regjimit qeveritar” të Nikaragues për “t’ua marrë frymën” e për t’i shtënë në dorë strukturat e shoqërisë civile, duke shkelur me këmbë të drejtat dhe liritë civile. Flet qartë, atë Arturo Sosa, Eprori i përgjithshëm i Jezuitëve, duke dënuar vendimin e qeverisë Ortega për të sekuestruar pronat e Universitetit Qendër-Amerikan(Uca), themeluar nga Shoqëria e Jezusit në vitet ’60.

Shpifje, për të përligjur grabitjen

Gjykata Penale e Mangauas e përligji këtë vendim, duke e akuzuar Universitetin “si qendër terrorizmi, që organizon grupe kriminale”. Atë Sosa i quan akuza “krejtësisht të rreme që - shkruan në letrën dërguar provincialit të Jezuitëve të Amerikës Qëndrore, nuk kanë kurrfarë baze”. Janë thjeshtë shpifje kundër gjithë veprimtarisë së Kishës katolike e mijëra institucioneve të shoqërisë civile, me synimin për t’u marrë frymën, për t’i mbyllur, e sidomos, për t’i përvetësuar!

Atmosferë e re, që të kujton dhimbshëm të vjetrat

Ngjarjet në Nikaragua na kujtojnë sakaq ato që patën ndodhur më 1944 në Shkodër. E të krijojnë përshtypjen se ngjarjet përsëriten tragjikisht!

Më 17 tetor 1877 hapi dyert, në Shkodër, Kolegja Saveriane e Jezuitëve, që në rrethana më të lume, do të ishte shndërruar në universitet.  

Jezuitët e nisën punën arsimore me një shkollë të vogël, me pak nxënës, për të arritur te viti i paharrueshëm 1877, data 17 tetor kur në praninë e arqipeshkvit plak Pooten e të At Zef Lombardinit hapi dyert një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit, që populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegja Saveriane.  Me të drejtë Papa Piu X i pati thënë Imzot Serreqit: “Jeni të lum që keni jezuitët në Shkodër”. 

Kolegja Saveriane e Etërve Jezuitë në Shkodër e filloi veprimtarinë e vet, duke përballuar vështirësitë e pushtuesit, pengesat e fanatizmit e sulmet e antiklerikalizmit vendas. Së fundi, u mbyll e u grabit nga sundimtarët e rinj komunistë, thellësisht antiklerikalë.

Tragjedi, që vijon nga Shkodra, në Nikaragua

Kështu ajo “lum ju”  e Papës Piu X u shndërrua sakaq në “mjerë ne”- nisur me atë që u quajt çlirimi i Shqipërisë, ndërsa Shkolla e Jezuitëve, “qendër terrorizmi, organizatore e grupeve kriminale”. Ishte liri apo robëri, ajo që pa ardhur mirë mbylli një nga shkollat më të famshme të vendit? Ashtu si po ndodh sot në Nikaragua?

Shfletoni “Kujtimet” e Injac Zamputtit1, që përbëjnë një doracak të rëndësishëm rrëfimtar të shekullit XX duke filluar nga rrethimi i Shkodrës 1913 e deri tek ardhja e lirisë pas viteve 90-të. Këto “Kujtime” janë pamje rrëqethëse e kalvarit nëpër të cilin kaluan veprimtaria pedagogjike dhe studimet albanologjike, të filluara me zell e dashuri të pashoqe nga jezuiti italian, atë Zef Valentini e të vijuara përgjatë sundimit të regjimit komunist nga Zamputti, që e pagoi studimin e albanologjisë me çmimin e vuajtjes e të vetëflijimit!

A ka të drejtë atë Sosa, që i quan regjime të tilla lirivrasëse?

19 gusht 2023, 10:23