A mund ta ndalojë Kisha luftën? Libri i Piero Damosso mbi skemat e paqes
R.SH. / Vatikan
Drejtësi, solidaritet, kujdes për tokën, përfshirje. Me një fjalë: vëllazërim! Ky, mesazhi i paqes i Kishës, i përcjellë me ngulm nga Françesku dhe paraardhësit e tij. Një angazhim i jashtëzakonshëm, që e shtyu gazetarin Piero Damosso të pyeste të tjerët e edhe veten: a mund ta ndalë Kisha luftën? Rrëmim, ky i tiji, gjashtëdhjetë vjet pas Pacem në Terris, në një libër të botuar nga shtëpia botuese italiane San Paolo.
Duke u ndalur veçanërisht në luftën e vazhdueshme në Ukrainë, autori shtron pyetjen para më shumë se pesëdhjetë bashkëbiseduesve për të arritur "vetëdijen se kjo mund të ndodhë". Arsyet janë të shumta dhe ndryshojnë nga qendra e dialogut, tek autoriteti i aktorëve, veçanërisht i Papës Françesku, roli i të cilit njihet nga udhëheqës të shumtë fetarë dhe politikë. "Sot Kisha është e vetmja forcë në botë e aftë për ta ndalur me të vërtetë konfliktin në Ukrainë", pohon Damosso në një intervistë për Radio Vatican - Vatican News. “Përballë ngërçit të kësaj lufte, Kisha arrin të lidhë marrëdhënie diplomatike që mund ta bëjnë pikë referimi të vërtetë, edhe sepse – kujton - kjo është luftë ndërmjet të krishterëve”.
Dialogu dhe ekumenizmi
Udha e dialogut ndërmjet feve dhe ekumenizmit, që ishte parashikuar - nënvizon autori - nisi me Gjonin XXIII, që nga Koncili II i Vatikanit, u përhap gjerësisht nga Gjon Pali II dhe nga fryma e Asizit, u ndoq nga Benedikti XVI e po çohet përpara nga Françesku. Ekumenizmi pastaj bëhet "diplomaci paqebërëse" dhe dialogu është strumbullari i tij. “Dialogu është premisë themelore dhe nis nga njohja reciproke”, thotë Damosso. "Duhet të jemi në gjendje të ndryshojmë, të pendohemi, nëse duam të shpëtojmë njerëzimin, përballë një pyetjeje shumë të thjeshtë: tjetri është vëlla apo jo? Për këtë urgjencë na nxit Françesku me “Fratelli tutti", vazhdon ai, duke paralajmëruar faktin se “po i harrojmë tmerret e luftës”. Lutja gjithashtu luan një rol qendror. "E përsëris, kjo është luftë ndërmjet të krishterëve. Për të gjithë të krishterët lutja është shumë e rëndësishme, e ndryshon jetën. Ne kemi traditë të madhe mariane, si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë. Nëse i drejtohemi me besim Marisë, Mbretëreshës së Paqes besoj se rrugët e paqes do t'i kërkojmë me më shumë vendosmëri. Tashmë ekziston – pohon - një popull artizanësh paqeje, që numerikisht nuk janë të parëndësishëm".
Aktualiteti i “Pacem në terris”
Kapitulli i parë i librit i kushtohet enciklikës Pacem in terris, botuar 60 vjet më parë nga Gjoni XXIII. U quajt "Ylli i Veriut" për natyrën e jashtëzakonshme të temave të trajtuara, në një tekst të shkruar jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë. Një koncept, ndërmjet shumë të theksuarve, mbetet tejet aktual: çarmatimi i plotë. "Kjo enciklikë e mrekullueshme na bën të kuptojmë se ne nuk mund të jemi në botë pa i vënë vetes asnjë kufi dhe se perspektiva e çarmatimit të plotë ishte konkrete. E tregojnë hapat përpara gjatë dekadave. Megjithatë sot - pranon autori - duket se jemi duke u dorëzuar përballë realitetit të tmerrshëm të luftës. Françesku po na kujton Pacem in terris e, tetë vjet më parë, më 2015-tën, duke folur në Asamblenë e OKB-së, e qortoi njerëzimin për paaftësinë e respektimit të disa kufijve. Foli me atë rast për kufizimin e pushtetit, si ide e nënkuptuar e konceptit të ligjit”.
Skemat e paqes dhe shpirtit të Helsinkit
Pas nënvizimit të rëndësisë së rolit të Evropës për një të ardhme paqësore globale, duke analizuar nacionalizmin agresiv të Putinit dhe punën e nevojshme për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, kapitulli i katërt i kushtohet qeverisjes botërore, duke u nisur nga fryma e Helsinkit. Ka të bëjë kryesisht me marrëveshjet e Helsinkit të vitit 1975, në mes të Luftës së Ftohtë, pas dy vitesh aktiviteti intensiv diplomatik që pa Vatikanin mes protagonistëve dhe hapi derën e epokës së shkrirjes në të gjithë kontinentin evropian ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Prej aty lindi OSBE-ja, Organizata për Siguri dhe Paqe në Evropë, e cila sot ka 57 vende anëtare dhe përfshin mbi një miliard qytetarë. "Sot Evropa mund të flasë me një zë dhe qindra mijëra të rinj evropianë në DBR, në Lisbonë, na tregojnë një nga fytyrat më të bukura të kontinentit, të atyre që - përfundon Damosso - punojnë për një të ardhme paqeje". Skemat e paqes "janë urgjencë", thuhet në vëllim. Skema për të cilat Papa ka folur disa herë, që të kujtojnë Paolo Ruffinin, prefekt i Dikasterit të Komunikimit, ndërmjet të intervistuarve nga autori i librit. “Për të ndërtuar paqen, ne kemi nevojë për vetëdijen që Papa e ka quajtur vazhdimisht skemë paqeje”, kujton Ruffini.
Tri gra në dialog
Teksti paraqet edhe tre kontribute të Paola Severino-s, ish-ministre e Republikës Italiane; Edith Bruck, shkrimtare, e mbijetuar e kampeve naziste të përqendrimit dhe Dacia Maraini, shkrimtare. Piero Damosso realizoi tri intervista, duke iu drejtuar bashkëbisedueseve - “tri gra në dialog” titullohet kapitulli i fundit – pyetje të ndryshme, përfshirë edhe atë që i jep titullin librit. "Mendoj se Kisha dhe Papa Françesku mund të bëjnë shumë për të ndaluar luftën" - thotë Severino – për të nënvizuar më pas se "Papa dallohet për një qëndresë të pazakontë" dhe se është "vullneti i tij i fortë për paqen, nga i cili duhet të marrim frymëzim". Për Bruck "Françesku po bën më të mirën që mund të bëjë, po dërgon njerëz për të bërë paqe", por "ne shohim që asnjë Papë nuk mjafton për të bërë paqe". Së fundi, për Marainin, "Kisha e Françeskut po përpiqet, por përballë peshës së disa vendeve" suksesi i kësaj përpjekjeje "do të jetë shumë i vështirë".
Paqja dhe marrëveshjet e mundshme
Mes personaliteteve të shumta të intervistuara, janë edhe ekonomisti Stefano Zamagni, i cili propozon një marrëveshje të mundshme 7-pikëshe ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, duke shpresuar për mobilizimin e shoqërisë, që mund t'i japë jetë "Aleancës për paqen", si dhe psikologu Franco Vaccari, president i organizatës ndërkombëtare Rondine-Cittadella della pace, metoda e punës e së cilës bazohet mbi besimin se për të ndërtuar marrëdhënie, nuk mund të anashkalohen konfliktet, të cilat kurrë nuk janë sinonim i luftërave. “Konfliktet shprehin dallimet, këtu lind takimi për të dëgjuar dhe për ta kuptuar njëri-tjetrin” - pohon Vaccari - “ashtu siç bëjnë studentët në Rondine”, një fshat në provincën e Arezzos, ku sot të rinj ukrainas dhe rusë, izraelitë dhe palestinezë, jetojnë së bashku. Ambasadori Pasquale Ferrara propozon një marrëveshje paqeje, duke i kërkuar Perëndimit, Evropës, të ndërtojnë "një sistem të ri bashkëjetese ndërmjet kombeve".
“Fjala paqe është fshirë nga fjalori, por jo nga pritshmëritë e njerëzve”, thotë Andrea Riccardi, themeluesi i Bashkësisë së Shën Egjidit. “Paqja - shton ai - është synimi i çdo politike dhe i çdo konflikti, por sot rrezikojmë ta humbim këtë horizont”.