Kërko

Përvjetori i thirrjes rregulltare të Shenjtes Nënë Terezë

Një nga momentet vendimtare që Ganxhe Bojaxhiu përjetoi si vajzë e re, ishte nata e Zojës së Madhe në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë në Kosovë, kur në shpirtin e saj i tha 'Po' thirrjes së Zotit për jetën rregulltare. Kjo ngjarje e shënoi jetën dhe veprën misionare të Shenjtes shqiptare. Isha ende e re, kisha dymbëdhjetë vjeç, kur në rrethin familjar për herë të parë doja t'i përkisja plotësisht Zotit. Mendova për këte, duke u lutur për gjashtë vjet.[...] Më ndihmoi shumë Zoja Bekuar

R.SH. - Vatikan

Sot më 14 gusht, kujtojmë një nga momente vendimtare të jetës që përjetoi si vajzë e re Ganxhe Bojaxhiu – Shenjta Nënë Terezë. Është fjala për çastin shpirtëror që Nënë Tereza e përjetoi, kur, së bashku me nënën Drane dhe familjen e saj Bojaxhiu, ishte në Shenjtëroren e Zojës Madhe, në Lenticë të Karadakut në Kosovë, natën e festës të Të Ngjiturit të Virgjrës Mari në Qiell. Atë natë të festës së Zojës së Madhe, Ganxhe Bojaxhiu e dëgjoi thirrjen e Zotit për jetën rregulltare dhe vendosi t’i përgjigjet ‘Po’ Zotit.

Kjo ngjarje e shënoi jetën dhe veprën misionare të Shenjtës shqiptare Ganxhe Bojaxhiut. Filloi, kështu, rrugëtimi i gjatë nga familja Bojaxhiu në Shkupi, duke kaluar nëpër Zagreb, në Dublin e deri në Kalkutë të Indisë, nga ku nisi misioni i Dashurisë Ungjillore ndaj çdo njeriu, posaçërisht ndaj më të varfërve ndër të varfër, që Nënë Tereza e përhapi, pastaj me kohë, në mbarë botën.

Nënë Tereza rreth vokacionit

Kur e pyeten nëse nuk kishte pasur ndonjëherë qëllim të bëhej murgeshë deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, Ganxhe Bojaxhiu u përgjigj: Isha ende e re, kisha dymbëdhjetë vjeç, kur në rrethin familjar për herë të parë doja t'i përkisja plotësisht Zotit. Mendova për këte, duke u lutur për gjashtë vjet. [...] Më ndihmoi shumë Zoja Bekuar […] e Malit të Zi [Crnagorës].

Për ta kuptuar më mirë thirrjen e Zotit Ganxhe Bojaxhiu foli me At Franjon, jezuit, në famullinë kishtare të Zemrës së Krishtit, në Shkup. Në pyetjen se si shfaqet vokacioni personal, ai u përgjigj:  Do ta mësosh nga lumturia jote e brendshme. [...] Gëzimi i thellë i zemrës është busulla që tregon rrugën që duhet ndjekur. Ne duhet ta përshkojmë e bëjmë atë, edhe kur rruga nuk është e qartë dhe është e mbushur me vështirësi. Ju nuk mund të gënjejmë veten, zemrën tonë. Ju nuk mund të gënjejmë lumturinë tonë.

Nënë Tereza  mjekoi plagët të varfërve e të sëmurëve të braktisur

Nënë Tereza ia mjekoi plagët të varfërve e të sëmurëve të braktisur të shoqërisë bashkëkohore, duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e konsumuara të rregulltares dhe me moton e përjetshme të Krishtit: "Në se i jepni një pikë, ujë njërit prej këtyre të vegjëlve të mi, ma keni dhënë mua!". Tërë jetën ia kushtoi të mënjanuarve e të varfërve të Kalkutës e të botës mbarë, duke fituar dashurinë e më të varfëve ndër varfër. Nënë Tereza qe dëshmi e gjallë e dashurisë së Zotit për njeriun, sidomos për më të varfrin e nevojtarin, i mjekoi plagët e njerëzimit të përbuzur e të mohuar.

Mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq jetën dhe dinjitetin e njeriut, e atyre që shtypeshin e përbuzeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga vota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të harruar, por ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit ynë të Gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e vet. Nënë Tereza dëshmoi e mishëroi Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes për më të varfërit, duke merituar më 1979 çmimin Nobel për Paqe. Kudo shkoi, Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen e Krishtit, etjen për Dashuri.

Mori mbi vete barrën e stër-rëndë të të gjithë të varfëve të botës, duke e ditur se kështu plotësonte vullnetin e Zotit të vet. Ky pra është edhe thelbi i përshpirtërisë së Nënë Terezës, që i ka themelet në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfërit e të braktisurit, që gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. Kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit e mesazhit që na la trashëgim Nënë Tereza.

14 gusht 2023, 10:55