Ukraina, nga bombat - tek DBR-ja: "Duam të përqafohemi nga e gjithë bota"
R.SH. / Vatican News
Pothuajse të gjithë tashmë janë nisur nga Ukraina. Të fundmit do të largohen më 27 korrik. Janë 500, të rinjtë e dioqezave që do të marrin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë, nga 1 deri më 6 gusht. Pesëqind, si ditët e luftës që u mbushën më 8 korrik, por atyre duhet t'u shtojmë edhe qindra të rinjtë refugjatë, që do të marrin pjesë duke filluar nga Italia, si dhe ata që do të shkojnë në Portugali nga Anglia, Polonia, Gjermania dhe Franca.
Përveç kësaj, do të ketë edhe djem të përfshirë në lëvizje, në grupe të të rinjve të lidhur me urdhrat fetarë, nga salezianët, tek redentoristët dhe tek organizatat e ndryshme katolike të pranishme në vend. Shumica e tyre po shtegtojnë me autobus nëpër Evropë. Grupet e salezianëve do të ndalen në Torino, të tjerët, në qytete dhe shenjtërore të tjera, gjatë rrugës për në Portugali.
Në Lisbonë tani ka 40 vullnetarë ukrainas që ndihmojnë në organizimin e DBR-së. Ata do të takohen të gjithë, të shoqëruar nga Atë Roman Demush, bashkëkryetar i komitetit organizativ të DBR-së për të rinjtë ukrainas, më 1 gusht, në Shenjtëroren e Fatimes, për të nisur Ditën e Rinisë me lutjet drejtuar Virgjërës së "Cova da Iria".