Kërko

don Mark Pashkja, portavoce della Conferenza Episcopale d'Albania don Mark Pashkja, portavoce della Conferenza Episcopale d'Albania

180 të rinj katolikë nga Shqipëria do të jenë në DBR-së 2023 në Lisbonë

180 të rinjtë nga dioqezat, famullitë kishtare e komunitetet e ndryshme rregulltare, do të përfaqësojnë Kishën Katolike të Shqipërisë në Ditët Botërore të Rinisë 2023 në Lisbonë. Të rinjtë nga Shqipëria në Ditët Botërore të Rinisë 2023 shoqërohen nga ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë të dioqezave e komuniteteve kishtare e rregulltare të Kishës katolike në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Lisbonë rinia katolike shqiptarë do të zhvilloj edhe një shtegtim shpirtëror në shenjtëroren e Zojës në Fatima

R.SH. / Vatican News

180 të rinjtë nga dioqezat, famullitë kishtare e komunitetet e ndryshme rregulltare, do të përfaqësojnë Kishën Katolike të Shqipërisë në Ditët Botërore të Rinisë 2023 në Lisbonë të Portugalisë. Të rinjtë katolikë nga Shqipëria, pas një përgatitjeje në nivelin e dioqezave dhe atë kombëtar, do të marrin pjesë në ngjarjen e madhe Kishtare në nivelin botëror, në takimin me Papën Françesku, në Ditën Botërore të Rinisë 2023, në Lisbonë nga data 1 deri më 6 gusht të ardhshëm. Të rinjtë nga Shqipëria shoqërohen në Ditët Botërore të Rinisë 2023 nga ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë të dioqezave e komuniteteve kishtare e rregulltare të Kishës katolike në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Lisbonë rinia katolike shqiptarë do të zhvillojë edhe një shtegtim shpirtëror në shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Fatima të Portugalisë. Po të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, dom Mark Pashkja nga Shkodra:

Dom Mark Pashkja

Të rinjtë katolikë nga Shqipëria do të jenë pjesë e ngjarjes më të madhe Kishtare në nivel botëror, takimi me Papën Françesku, në Ditën Botërore të Rinisë, Lisbonë 2023

Siç tashmë e dimë, në verë të këtij viti zhvillohet ngjarja më e madhe kishtare për të rinjtë, që është takimi i të gjithë të rinjve të botës me Papa Françeskun në Lisbonë të Portugalisë, nga data 1- 6 gusht.

Në sintoni me Kishat e tjera, edhe për Kishën tonë katolike në Shqipëri përgatitja për këtë ngjarje ka filluar që vitin e kaluar. Komisionit Rinor Kombëtar i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë (KISH), ishin në Fatima të Portugalisë, për takimin parapërgatitor nga 17-20 tetor 2022, gjatë të cilit Organizatorët në Lisbonë paraqiten Udhëzimet praktike për këtë Takim.

Imzot Ottavio Vitale, President i Komisionit Kombëtar të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë për Laikët, Familjen dhe Rininë,  ka organizuar takime me të gjithë Përgjegjësit Dioqezanë të Rinisë  ku  është vendosur edhe numri në rang kombëtar dhe dioqezan. Numri i të rinjve pjesëmarrës nga Shqipëria do të jetë në total 180 persona.

Përcaktimi i numrit  të rinjve është bërë në përpjesëtim me madhësitë e Dioqezave. Kështu u caktua që Arqidioqeza Shkodër- Pult dhe Arqidioqeza Tiranë – Durrës, të kishin secila nga 35 të rinj. Dioqeza e Lezhës dhe e Sapës, secila nga 25 të rinj, dhe Dioqeza e Rrëshenit dhe Administratura e Jugut nga 15 të rinj. 

Në lidhje me çështjet logjistike organizative, përfaqësimi i Kishës tonë në Lisbonë, gjeti të koordinuar Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë me shumë institucione të tjera si Nunciatura Apostolike dhe Ministria e Transporteve.

Gjatë kësaj kohe përgjegjësit janë munduar t’i përgatisin sa më mirë të rinjt për këtë ngjarje. Prandaj  janë organizuar dy takime për të gjithë të rinjtë që do marrin pjesë në këtë Ditë Botërore.

Takimi i parë është  zhvilluar në Tale, më 13 maj, gjatë të cilit u mundësua për të rinjtë një njohje më e thellë e rëndësisë së kësaj Dite dhe vlerën që ka në nivel njerëzor, shpirtëror dhe kishtarë. Gjithashtu me të njëjtin qëllim u zhvillua në Vaqarr, Tiranë, edhe një takim tjetër, më 16 korrik, duke ju mundësuar të rinjve edhe një njohje më të mirë me njëri-tjetrin, duke ju kujtuar se do të jenë fytyra që do paraqesin Kishën Katolike këtu në Shqipëri. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe mons. Ottavio Vitale dhe mons. Gjergj Meta.

Ditët e kësaj Ngjarjeje të madhe janë 1-6 gusht, por grupi shqiptar do të arrijë në Lisbonë me 3 gusht, që përkon edhe me ditën e parë të pranisë së Papa Françeskut me të rinjtë. Delegacionit shqiptarë do ti prijnë dy Ipeshkvij,  përkatësisht Imzot Arjan Dodaj dhe Imzot Gjergj Meta. Ndërsa kthimi do të jetë me 9 gusht. Gjatë qëndrimit rinia katolike shqiptarë do të zhvilloj edhe një pelegrinazh në shenjtëroren e Zojës Fatima.

Urojmë që gjatë këtyre ditëve, të rinjtë tanë të kenë një përvojë të vërtetë më Zotin e jetës, Jezu Krishtin, dhe një përvojë të paharrueshme bashkimi vëllazëror me shumë të rinj dhe të reja nga mbarë bota.

Dom Mark Pashkja

Zëdhënës i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë (KISH)

28 korrik 2023, 10:05