Kërko

Gesù predica alla gente Gesù predica alla gente

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XIV të vitit liturgjik A

...E vërtet, ti o Jezus, ke ardhur mes nesh/pikërisht për të na liruar e ngushëlluar,/për të na shëruar e çlodhur,/për të na i përtërirë zemrat/me ëmbëlsinë dhe mëshirën Tënde./Ja pse, e di se mund të mbështetem gjithnjë tek Ti,/tek mikpritja Jote,/tek mirësia Jote, të ndaj gjithçka me Ty./Ti pranon të bartësh me mua barrët e jetës sime,/Ti i këput zinxhirët, që më bajnë të burgosur,/më ndihmon ta heq çdo shkëmb nga supet,/që të eci lehtësisht/në udhën Tënde, krah Teje.

R.SH. - Vatikan

"Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh". Ky është premtimi i Jezu Krishtit,  në pjesën ungjillore të kësaj së Diele të 14-të, marrë nga shën Mateu. Në fragmentin ungjillor,  Jezusi i nxit “gjithë të lodhurit prej barrës së rëndë”, ta ndjekin, sepse e di mirë sa  rëndë peshon nganjëherë jeta e sa shumë gjëra e lodhin dhe e këpusin zemrën: zhgënjimet, plagët, padrejtësitë, por edhe pasiguritë e shqetësimet e të gjitha natyrave, që i zënë vendin njëri-tjetrit pa pushim, pa gjetur kurrë paqe.  Jezusi na fton të lëvizim, të kundërveprojmë. Po ta ndjekim një fragment nga Ungjilli:

25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. 26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! 27 Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë. 28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë”.

Të lutemi së bashku:

E di se mund ta ngarkoj Ty, o Jezus,

barrën time të rëndë:

lodhjen, që nganjëherë më pushton,

vuajtjet dhe plagët e fshehta,

dështimet, që pikëzojnë

jetën time të plogët,

e, edhe mëkatet e pabesitë

që janë aty për të dëshmuar brishtësinë time.

 

Ti nuk më pret

për të më treguar me gisht

njollat dhe gabimet e mia.

Ti nuk më nënshtron

ndaj ndonjë gjykimi të paepur

e as nuk të vjen turp nga veshja ime e leckavitur.

E vërtet, ke ardhur mes nesh

pikërisht për të na liruar e ngushëlluar,

për të na shëruar e çlodhur,

për të na i përtërirë zemrat

me ëmbëlsinë dhe mëshirën Tënde.

 

Ja pse, e di se mund të mbështetem gjithnjë tek Ti,

tek mikpritja Jote,

tek mirësia Jote, të ndaj gjithçka me Ty.

Ti pranon të bartësh me mua barrët e jetës sime,

Ti i këput zinxhirët, që më bajnë të burgosur,

më ndihmon ta heq çdo shkëmb nga supet,

që të eci lehtësisht

në udhën Tënde, krah Teje.

 

08 korrik 2023, 10:54