Tanzani, ngushëllimet e imzot Rugambwa për vrasjen e dom Pamphili Nada
R.SH. / Vatican News
“Meshtari ka ndërruar jetë teksa po dërgohej në spital, dhe dyshohet se është mbytur nga qytetarët e tërbuar që e prisnin jashtë vendit të incidentit”. Kështu raportoi komandanti i policisë në rajonin e Arushës për shtypin lokal në lidhje me vrasjen e At Pamphili Nada në famullinë e ‘Zojës Mbretëresha e Apostujve’ në Karatu, dioqeza e Mbulu.
Kryeipeshkvi Rugambwa: njerëzit janë tronditur thellë
"Njerëzit janë thellësisht të tronditur nga kjo ngjarje e papritur dhe tragjike", ka pohuar për agjencinë e lajmeve Fides ipeshkvi i ri i Taborës, Protase Rugambwa, i emëruar nga Papa Françesku në mesin e kardinajve të ardhshëm. "Ata nuk mund të duronin dhimbjen për vrasjen e Bariut të tyre të dashur dhe sulmuan ata që ishin përgjegjës për vdekjen e At Nada".
Një njeri i sëmurë mendor plagosi për vdekje meshtarin
Ishte e mërkurë 19 korrik. Një burrë që hyri në Kishë, me sa duket për t'u lutur, në një moment të caktuar e goditi At Nadën me një send të mprehtë. Meshtari nuk arriti në spital i gjallë në kohë. Vrasësi duket se vuante nga probleme të shëndetit mendor. "Prifti i vrarë ishte një at shpirtëror, i njohur për fenë e tij të thellë dhe përkushtimin e madh, i etur për të përmbushur përgjegjësitë e tij me zell, përkushtim dhe guxim," tha ipeshkvi Anthony Gaspar Lagwen i dioqezës së Mbulu në emër të Konferencës së Ipeshkvijve të Tanzanisë.
Kanali Mwananchi publikoi deklaratat e disa banorëve të Karatu-së, të cilët pohojnë se vrasësi ishte përpjekur me këmbëngulje të hynte në Kishë për t'u lutur që natën e kaluar, por që rojet e kishin penguar. Të nesërmen, herët në mëngjes, burri vazhdoi të bërtiste për të hyrë në Kishë, e atëherë At Nada doli dhe i kërkoi rojës t'i hapte derën.
Ky është sulmi i tretë ndaj Kishës në Tanzani në vitin 2023
Ky është episodi i tretë tragjik, duke marrë parasysh vetëm vitin aktual, që është regjistruar në Tanzani kundër Kishës nga persona me sëmundje mendore. Më 26 shkurtin e kaluar, u dhunua Katedralja e ‘Virgjëreshës Mari, Mbretëresha e Paqes’ në dioqezën katolike të Geita; më 11 maj, një burrë i panjohur theu derën kryesore të Katedrales së ‘Shën Karl Lwanga’ të dioqezës së Kahamës.