Kërko

 Mons. Timothy Broglio USCCB presidente Mons. Timothy Broglio USCCB presidente

SHBA-së: kreu i ipeshkvijve: faleminderit Selisë së Shenjtë për punën në kërkimin e paqes

Kryeipeshkvi Timothy Broglio shpreh kënaqësinë e tij në mediat e Vatikanit për misionin e kardinalit Zuppi në Uashington dhe nënvizon përgjigjen e rëndësishme humanitare që Kisha Amerikane po u jep viktimave të luftës në Ukrainë. Bombat thërrmuese i quan: pajisje, që vrasin pa dallim

R.SH. / Vatican News

Mirënjohje për vendimin e Atit të Shenjtë që të bëjë gjithçka është e mundur "për t'i dhënë jehonë mesazhit të paqes, që është vërtetë mesazhi i Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Kështu flet kryetari i ipeshkvijve katolikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Imzot Timothy Broglio në mediat e Vatikanit lidhur me kontributin e Kishës për paqen, pas misionit të kardinalit Matteo Zuppi, si i dërguar i Papës në Uashington, nga 17 deri më 19 korrik. Një gjest, nënvizon prelati, shumë i vlerësuar.

Shkëlqesi, çfarë mund të na thoni për takimet e delegacionit të Vatikanit gjatë vizitës në Uashington?

Para së gjithash,  kujtoj idenë shumë të qartë me të cilën erdhi kardinali Zuppi, vizita e të cilit sigurisht nuk është ndërmjetësim, por mundësi për të vlerësuar çfarë mund të bëjë Selia e Shenjtë për të ndihmuar në përfundimin e mundshëm të armiqësive në Ukrainë. Kisha po përqendrohet në atë që di ta bëjë më mirë, domethënë, në ndihmën humanitare, ndaj ky ishte objektivi kryesor i fjalës së kardinalit. Mendoj se është e rëndësishme të theksohet edhe se presidenti foli gjatë me kardinalin dhe nuncin. Takimi zgjati më shumë se një orë, gjë që mendoj se tregon sa rëndësi i kushtoi presidenti i Shteteve të Bashkuara gjestit të Papës Françesku lidhur me dërgimin e kardinalit. Ata folën për përgjigjet humanitare e për shpresën se armiqësitë mund të përfundojnë, edhe nëse   tani për tani kjo duket ende larg së vërtertës.

A mendoni se me këto takime në Uashington, e së pari në Kiev dhe  në Moskë, Selia e Shenjtë kërkon të kontribuojë për paqen ose, të paktën, të  nxisë diskutimin për të?

Mendoj se janë shembuj dhe se është shumë e rëndësishme të nënvizoj që kjo për asnjë çast nuk ka kuptimin për të bërë ndërmjetësim. Ishte mundësi për të thënë: të paktën të flasim për paqen, të paktën të shohim nëse mund t'i japim fund armiqësive. Unë mendoj se kjo është sigurisht ajo që Selia e Shenjtë po përpiqet të bëjë e ajo që edhe Papa Françesku po përpiqet të bëjë.

Si po përpiqet Kisha Amerikane të kontribuojë për paqen dhe të ndihmojë viktimat e kësaj lufte?

Sigurisht që në Shtetet e Bashkuara reagimi ishte i jashtëzakonshëm, kryesisht në drejtim të dërgimit të ndihmave humanitare në Ukrainë. Ne kemi parë vëllezërit dhe motrat tona në fe të prekur shumë nga shkatërrimi në Ukrainë. Prandaj, katolikët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përpjekur të përgjigjen në mënyrën më të mirë të mundshme, para së gjithash, duke u lutur. Unë kam marrë pjesë së paku në dy  çaste lutjeje për paqen me katolikët ukrainas në Shtetet e Bashkuara, këtu, në Shenjtëroren Kombëtare të Zojës së Papërlyer, por e di që ka pasur edhe shumë nisma të tilla në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Pastaj, e përsëris, pati një përgjigje të jashtëzakonshme në dërgimin e ndihmës në Ukrainë.

(nga Jean-Charles Putzolu )

20 korrik 2023, 14:31