Kërko

 Rvdo. Ángel FERNÁNDEZ ARTIME, s.d.b., Rettore maiore dei salesiani Rvdo. Ángel FERNÁNDEZ ARTIME, s.d.b., Rettore maiore dei salesiani

Salezianët: e ardhmja e Kongregatës, pas rektorit të madh që do të krijohet kardinal

Atë Ángel Fernández Artime do të jetë një nga kardinajtë e rinj, që do të krijohen në Koncistorin e 30 shtatorit: një situatë e pashoqe për salezianët, e cila e ka shtyrë atë të shkruajë një letër për të sqaruar udhëzimet e marra nga Papa: për një vit do të vazhdojë të kryejë detyrën si rektor i madh e edhe si kardinal, më pas do të japë dorëheqjen nga mandati i tij në vitin 2024. Vikari aktual Martoglio do të marrë funksionet e eprorit të përgjithshëm në përkim me kapitullin e vitit 2025

R.SH. - Vatican News

Një lajm “i papritur”, e “i mirëpritur me fe”, si “dhuratë që Papa Françesku u bëri salezianëve si kongregatë dhe si familje e Don Boskos”. Këto fjalë hapin letrën që At Ángel Fernández Artime, rektori i madh i Kongregatës Saleziane, ua dërgoi të gjithë Salezianëve disa ditë pas njoftimit të Papës Françesku, në Engjëllin e 9 korrikut, kur e mori vesh se edhe emri i tij ishte në listën e 21 kardinajve të rinj, që do të krijohen në Koncistorin e 30 shtatorit të ardhshëm. Don Artime, përveçse shprehu ndjenjat e tij për këtë vlerësim nga Papa, deshi të tregonte edhe cila do të jetë e ardhmja e drejtimit të Kongregatës.

Shenjë dashurie nga ana e Papës

Para së gjithash, rektori i madh nënvizon se kjo zgjedhje e Françeskut për t'i dhënë atij purpurin, është një shenjë që tregon "sa na do Papa"; po kështu “Papa Françesku e di se sa shumë e duam ne të gjithë dhe si e mbështesim, sa më shumë që të jetë e mundur, me lutjet tona dhe me dashurinë tonë”.

Koha e shërbimit

Don Ángel më pas tregon edhe se, menjëherë pas shpalljes së Koncistorit,  mori një letër nga Papa, i cili e ftonte në një takim personal “për t’u marrë vesh - kujtoi - për kohët e nevojshme të shërbimit si rektor i madh “për të mirën, mbi të gjitha, të Kongregatës". Kjo situatë - nënvizon faqja salesianos.info, e cila transmeton letrën e Atë Artimes – është e pashoqe në jetën e Kongregatës. Eprori i përgjithshëm - a rektori i madh në terminologjinë saleziane - zgjidhet, shpjegon portali, nga një kapitull i përgjithshëm që mbahet çdo gjashtë vjet, i përbërë nga të gjitha provincat e Saleziane dhe përfaqësuesit e zgjedhur në secilën nga provincat, të cilët nga ana e tyre duhet të  organizojnë një kapitull provincial. Mandati i rektorit të madh aktual, që duhet të zgjaste tri vjet, nuk ka përfunduar ende. Prandaj i gjithë procesi duhet përshpejtuar.

Një kapitull i përgjithshëm në shkurt 2025

Nisur nga risia e kësaj situate, Papa, në bisedën që pati me Don Artimen,  vendosi të vazhdojë të jetë rektor i madh edhe si kardinal, për një vit. E edhe të thërrasë një kapitull të përgjithshëm, në shkurt 2025, në të cilin do të zgjidhet eprori i ri.  Më pas, e pikërisht  më 31 korrik 2024, do të paraqesë dorëheqjen nga drejtimi i Kongregacionit. Që nga ai çast funksionet e gjeneralit epror do t’i marrë vikari aktual i rektorit të madh, italiani Stefano Martoglio.

Të shpeshtohen lutjet

Kardinali i ardhshëm pohon, në letër, se kur dorëheqja e tij do të hyjë në fuqi, ai do të marrë përsipër "shërbimin e besuar nga Ati i Shenjtë". E u kërkon Salezianëve dhe Familjes Saleziane t’i shpeshojnë lutjet e tyre për Papën dhe për vetveten "duke pasur parasysh perspektivën e shërbimit të ri në Kishë, të cilin, si bir i Don Boskos, e pranoj nga bindja, pa e pasë kërkuar a dëshiruar”.

17 korrik 2023, 13:06