Kërko

Gjendja në Jenin Gjendja në Jenin

Pizzaballa: dhuna nuk i zgjidh problemet, duhet liri për popullin palestinez

Në ditët e operacionit izraelit në Jenin, Patriarku latin i Jeruzalemit kërkoi zgjidhjen e çështjes së vetëvendosjes palestineze e formimin e shtetit të tyre. Numri i të shpërngulurve, pas sulmeve israelite, ka arritur në mijëra vetë, ndërsa i të vdekurve, 12. Famullitari, Át Labib Deibes: "Duam ta ndihmojmë popullin palestinez të rifitojë të drejtat e tij"

R.SH. – Vatikan

         “Edhe një herë, nuk është i pari e, për fat të keq, kam frikë se nuk do të jetë i fundit, jemi dëshmitarë të një operacioni ushtarak në zonën veriore të Samarisë, në kampin e refugjatëve të Jeninit, për të asgjësuar disa celula të rezistentës së armatosur palestineze”. Kështu flet për Radio Vatikanin / Vatican News, Patriarku latin i Jerusalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, pas operacionit ushtarak izraelit dy ditor. Ushtria u tërhoq sot nga Cisjordania, ndërsa vijuan sulmet ajrore në Rripin e Gazës. "E dimë se këto janë zgjidhje të përkohshme - paralajmëron imzot Pizzaballa - celulat do të formohen sërish e këto situata të dhimbshme, me shumë viktima, do të vazhdojnë për të dyja palët derisa të zgjidhen problemet strukturore, veçanërisht i pari, ai i dinjitetit, i lirisë dhe i vetëvendosjes së popullit palestinez, që kërkon shtetin e tij”.

Nota e Patriarkatit Latin të Jerusalemit

         Në një notë të Patriarkatit Latin të Jerusalemit lexohet se sulmi i ushtrisë izraelite kundër Jeninit është agresion "i paparë", me "akte barbare", që shkatërrojnë edhe vendet e shenjta dhe asgjësojnë njerëz, që dëshirojnë e meritojnë një jetë dinjitoze. Teksti flet për "agresion izraelit", gjatë të cilit - denoncohet - u godit edhe Kisha dhe bashkësia kishtare lokale. Deklarata përfundon me një lutje për t'i dhënë fund "krimeve të pajustifikuara".

Ngjarjet e dy ditëve në Jenin

         Dymbëdhjetë palestinezë, të gjithë të rinj ndërmjet 16 e 23 vjeç, si edhe një ushtar izraelit, u vranë gjatë sulmit në kampin e refugjatëve të Jeninit, nisur të hënën nga qeveria e djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu. Operacioni më i madh ushtarak izraelit në vitet e fundit në Cisjordani, përfshiu qindra trupa, sulme me dronë e me buldozerë të ushtrisë, që shkatërruan rrugët. Të plagosurit janë më se 100 e disa në gjendje të rëndë. Sot, ushtria izraelite deklaroi se ka kryer sulme ajrore në Rripin e Gazës, pasi ndaloi pesë raketa palestineze të hedhura në territorin izraelit. Sipas burimeve palestineze, gjatë sulmit, u godit një qendër ushtarake e grupit militant Hamas në Gazën veriore.

Hamas merr përsipër atentatin e Tel Avivit

         Përgjigja palestineze nuk vonoi dhe dje, në Tel Aviv, një i ri palestinez me origjinë nga Hebroni, përplasi dhe plagosi rëndë shtatë persona me makinën e tij, përpara se të vritej nga një civil i armatosur. Atentati u mor përsipër nga Hamasi, i cili së bashku me Xhihadin Islamik, u bën thirrje palestinezëve të bashkohen me luftën e militantëve të Jeninit kundër operacioneve ushtarake izraelite. Ndërkaq, në gjithë Cisjordaninë, palestinezët hynë në grevë të përgjithshme kundër operacionit ushtarak.

Át Deibes situatë shumë e vështirë

         “Këtyre ditëve, pothuajse ka munguar dialogu ndërmjet dy palëve”, pohon Át Labib Deibes, famullitar në Jenin, për Radio Vatikanin / Vatican News. “Gjatë 24 orëve të fundit, kemi kaluar kohë të vështira, diçka të ngjashme me luftën: shpërthime, avionë, tanke, të gjitha kundër popullit palestinez, pra, kundër disa të rinjve, që kanë të drejtë të mbrojnë tokën e tyre. Prandaj, situata ishte shumë e vështirë”, shton ai, duke uruar që “populli palestinez të rifitojë të gjitha të drejtat dhe të jetojë në paqe në tokën e tij”. “Duam ta ndihmojmë popullin e Jeninit, fillimisht me fonde për t’i bërë ballë shkatërrimit të këtyre ditëve e, më pas, duke bërë gjithçka mundemi që populli palestinez të rifitojë të gjitha të drejtat, sepse pasi t'i rifitojmë ato, nuk do të kemi më nevojë për ndihmë të huaj dhe mund të jetojmë të lumtur e të lirë”. Át Deibes kujton se populli palestinez “ka jetuar gjithmonë falë ndihmës, por nuk duam lëmoshë, - nënvizon ai - duam të drejtat tona që ta sigurojmë vetë jetesën". “I kërkoj bashkësisë ndërkombëtare”, bën thirrje famullitari, “të gjejë zgjidhje për këtë konflikt, që vazhdon prej 75 vitesh”.

Dënimi i OKB-së dhe i “Mjekëve pa Kufij”

Presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mahmud Abbas, i kërkoi OKB-së dhe bashkësisë ndërkombëtare "të ndërhyjnë urgjentisht për ta detyruar Izraelin të ndalojë shpërnguljen e banorëve". Zëdhënësja e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare, Vanessa Huguenin, nënvizoi, e alarmuar, përmasat e ekzagjeruara të operacioneve ajrore dhe tokësore, sidomos “bombardimin e kampit të refugjatëve, me popullsi të dendur”. Organizata “Mjekët pa Kufij” denoncon ndërkaq, pengesat në ndërhyrjen shëndetësore, me rrugët e bllokuara dhe ambulancat, që përplaseshin me automjetet e blinduara.

05 korrik 2023, 12:11