Kërko

Jeruzalem Jeruzalem  (AFP or licensors)

Një pishinë për fëmijët e Jeruzalemit

Përurohet, në shkollën e mesme Toka e Shenjtë të Jeruzalemit, një objekt i ri noti, vepër komplekse inxhinierike, brenda Qytetit të Vjetër. At Faltas: “Përpiqemi të jemi Ungjill i gjallë në korpin e shumë njerëzve, veçanërisht të fëmijëve, që jetojnë dhe vuajnë në këtë qytet”.

R. SH. - Vatikan

Kur bëhet fjalë për pishinat në Jeruzalem, na vjen menjëherë ndërmend pishina Probatike ose ajo e Siloes, transmetuar nga Shkrimet e Shenjta. Por  sot nuk e kemi ndër mend të flasim për to! Në mënyrë të jashtëzakonshme, një objekt i ri noti funksionon brenda mureve të Sulejmanit, në qytetin e vjetër, duke na kujtuar lashtësinë e këtij vendi historik, gjithnjë të pasur me ujëra e me pishina!

Mëngjesin e 3 korrikut, me një kremtim të shkurtër, por të shumëndjekur, u përurua një pishinë e re. E bekoi, atë Francesco Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, në hapësirat e shkollës me emrin “Holy Land High Schol.

Të duket e pabesueshme që brenda qytetit të vjetër, në kompleksin e Rojtarisë të Tokës së Shenjtë, u bë i mundur ndërtimi i kësaj pishine, punë komplekse inxhinierike, që kërkoi gati tri vjet rropatje.

“Natyrisht që nuk ishte punë e lehtë të gërmosh nëpër rrënojat e një qyteti, me tri mijë vjet histori” - shpjegon At Ibrahim Faltas, vikar, kujdestar dhe drejtor i shkollave katolike të Tokës së Shenjtë, krijues e ndërtues i Pishinës. "Gjetëm - kujton - edhe mbetjet e mureve të një kishe bizantine që, tani të restauruara si duhet, do të jenë të dukshme nëpër një pllakë  mbrojtëse prej qelqi".

Krahas shërbimit në shkollë - vazhdon At Faltas - “synojmë të hapim edhe ambientin sportiv në territor, natyrisht gjithnjë brenda mundësive! Misioni ynë, si Rojtarì e Tokës Shenjte, është kryesisht të jemi pranë njerëzve, që jetojnë këtu. Nuk jemi kujdestarë muzeu, por Ungjill i gjallë për shumëkënd, veçanërisht për fëmijët, që jetojnë dhe vuajnë në këtë qytet”.

03 korrik 2023, 16:44