Nga Lisbona - në Shën Petersburg: "shtegtim i vazhdueshëm" i të rinjve katolikë rusë
R.SH. / Vatikan
Një “shtegtim i vazhdueshëm”, që kalon nga Lisbona, nëpër Shën Petersburg dhe mbërrin në secilën nga bashkësitë e vogla katolike të shpërndara në të gjithë territorin e Federatës Ruse, që askush të mos mbetet pas të tjerëve. Kjo është ideja bazë e "Takimit të Rinisë Ruse" (Vserossijskaja Vstreča Molodëzh), i cili do të mbahet në Shën Petersburg nga 23 deri më 27 gusht e që shpresohet të krijojë edhe mundësi për dialog "në distancë” ndërmjet të rinjve katolikë rusë dhe Papës Françesku. Në edicionin e tij të dhjetë, këtë vit aktiviteti u konceptua si fazë e dytë e Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë (1-6 gusht), ku do të marrin pjesë rreth 400 vetë, anëtarë dhe organizatorë.
Përvojë për t’u ndarë edhe me ata, që nuk mund të marrin pjesë
Një delegacion prej 18 rusësh do të jetë i pranishëm në kryeqytetin portugez, i udhëhequr nga At Markus Novotni, drejtues i veprimtarive formuese dhe ekonom i Seminarit Katolik të Shën Petersburgut, i cili më pas do të flasë për përvojën e tyre me pjesëmarrësit në Takimin Rinor të fund gushtit. Në një çast historik, kur qytetarët e Federatës e kanë shumë të vështirë të udhëtojnë në Evropë, Kisha Katolike në Rusi plotëson nevojat e të gjithë besimtarëve të saj, madje edhe atyre që nuk mund të jenë në Lisbonë apo Shën Petersburg. Faza e tretë e "shtegtimit të pafund", do të jetë fazë "e përhapur": nga Shën Petersburg, pjesëmarrësit do të kthehen në bashkësitë e tyre, të shpërndara në territorin e pafundmë të Federatës Ruse, për të dëshmuar çka përjetuan të 18-tët që patën fatin të shkojnë atje, edhe për të folur, pastaj, për përvojën e tyre të fillimgushtit, në Portugali.
Në Shën Petersburg e njëjta moto e DBR-së së Lisbonës
Ditët në Petersburg do të kenë takime katekistike në mëngjes. Të ndarë në grupe prej rreth tridhjetë pjesëmarrësish, të shpërndarë nëpër famullitë e ndryshme të Shën Petersburgut, qytet që aktualisht ka 8 objekte katolike adhurimi, të rinjtë do të jetojnë çaste reflektimi mbi të njëjtën moto nga Ungjilli i Lukës i zgjedhur nga Papa Françesku për DBR-në në Portugali: "Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim”. Për katekizmin, bazuar mbi materialin e marrë nga Lisbona, parashikohet pjesëmarrja aktive e të rinjve, me hapësirëtë gjerë diskutimi, ashtu siç ndodhi gjatë procesit sinodal në nivel famullie, kur u formuan 82 grupe pune në Rusi. Duke qenë se tema e ngjarjes lidhet me episodin ungjillor të vizitës së Marisë tek kushërira e saj Elizabeta, shtegtimi i pjesëmarrësve do të fillojë pikërisht në famullinë e Vizitës së Marisë tek Elizabeta, me liturgjinë eukaristike të hapjes dhe mbrëmjen e hapjes së takimit të madh.
Të rinjtë do të priten në famulli dhe familje
Në gjysmën e dytë të çdo dite janë planifikuar vizita në famullitë e ndryshme katolike të qytetit dhe kremtimi i Meshës. Programi i mbrëmjeve është i larmishëm. Çastet e festës do të alternohen me çaste lutjeje personale dhe komunitare. Të rinjtë, të ardhur nga katër dioqezat e provincës kishtare të Kishës Katolike në Rusi dhe nga 54 qytete të Federatës, do të priten nga famullitë dhe familjet katolike të Shën Petersburgut. Në këto ditë intensive do të jenë të pranishëm pesë ipeshkvijtë dhe priftërinjtë e rregulltarët, që merren me punën baritore të të rinjve në të katër dioqezat. Ditën e fundit, pjesëmarrësit do të marrin pjesë në liturgjinë përfundimtare eukaristike, e cila do të jetë pikënisje e misionit të dëshmisë në famullitë dhe qytetet e tyre të origjinës.
"Një mundësi për të forcuar fenë”
“Qëllimi kryesor i kësaj ngjarjeje rinore është padyshim që të ofrojë një shans për përforcimin e fesë, vetëdijen e përkatësisë kishtare dhe përkushtimin ndaj misionit”, shpjegon për Agjensinë Fides një nga organizatoret e ngjarjes, Oksana Pimenova, zëvendësdrejtore e Institutit të Shën Tomës, në Moskë dhe drejtuese e veprimtarive rinore të Kryedioqezës së Nënës së Zotit.“Brezat e rinj - vazhdon ajo - janë të thirrur të kontribuojnë, sipas mënyrës së tyre, në përtëritjen e bashkësive lokale të cilave u përkasin. Ne, organizatorët, përpiqemi të bëjmë ç’është e mundur që të rinjtë të takojnë Krishtin dhe më pas të jenë dëshmitarë të këtij takimi, për hir të Shpirtit Shenjt”.
Për të rinjtë katolikë rusë, një çast i vërtetë bashkimi
Përvoja e përkatësisë në një realitet që shkon përtej kufijve federalë, mund të lehtësohet nga ngjarje të këtij lloji, veçanërisht nëse marrin pjesë të rinj katolikë, të cilët shpesh në jetën e tyre të përditshme nuk kanë shumë mundësi të takojnë të tjerët që i përkasin konfesionit të tyre të krishterë. "Ngjarjet si kjo - vazhdon Oksana - ndihmojnë për të jetuar dhe për të forcuar përvojën e unitetit. Pavarësisht nga fakti se Kisha Katolike në Rusi përbëhet nga bashkësi të vogla, të shpërndara në një territor shumë të gjerë, ne jemi si të lidhur me një 'zinxhir duarsh të shtrënguara': jo të gjithë e njohim njëri-tjetrin drejtpërdrejt, por kjo na ndihmon që bashkimi dhe miqësia të lulëzojnë mes nesh. Të jesh bashkë me njerëz kaq të ndryshëm për nga origjina dhe profesioni, do të thotë ta njohësh veten si pjestar të një familjeje të madhe që nuk njeh kufij, anëtarët e së cilës, pavarësisht larmisë të tyre, janë të thirrur të jenë bashkë”.
Më pak se një milion katolikë në Rusi
Provinca kishtare e Kishës Katolike në Rusi përbëhet nga kryeipeshkvnia e Nënës së Zotit në Moskë dhe tri dioqezat e saj sufragane: dioqeza e Shën Klementit në Saratov, ajo e Shën Jozefit në Irkutsk dhe ajo e Shndërrimit në Novosibirsk. Meqenëse katolikët në Federatën Ruse janë më pak se 1% e popullsisë së përgjithshme, ata jetojnë kryesisht në bashkësi të vogla ose shumë të vogla të cilat, nganjëherë, e shohin priftin mes tyre rrallë e për mall gjatë vitit. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e katolikëve të pranishëm në Federatë. Sipas asaj që kryeipeshkvi Paolo Pezzi, në krye të Kryeipeshkvisë së Nënës së Zotit që nga viti 2007, pohoi së fundmi RIA Novosti, duhet të ketë më pak se një milion katolikë të pagëzuar në vend. Për më tepër, për shkak të vështirësive që lindën pas konfliktit të fundit me Ukrainën, këto kohë ka pasur rënie jo të papërfillshme të pranisë së katolikëve të huaj, pjesë përbërëse e rëndësishme e numrit të përgjithshëm të besimtarëve katolikë në Federatë.