Kërko

 logo World Council of Churches logo World Council of Churches

Në Gjenevë u festua 75-vjetori i Këshillit Botëror të Kishave

I themeluar në vitin 1948, Këshilli Ekumenik (Botëror) i Kishave (WCC) mbush 75 vjet këtë vit. Përvjetori u festua ditët e fundit në Gjenevë në kuadër të mbledhjes së Komitetit Qendror, organit kryesor drejtues të tij, me kremtime, takime e dëshmi të shumta

R.SH. / Vatikan

I themeluar në vitin 1948, Këshilli Ekumenik (ose Botëror) i Kishave (WCC) mbush 75 vjet këtë vit. Përvjetori u festua ditët e fundit në Gjenevë në kuadër të mbledhjes së Komitetit Qendror, organit kryesor drejtues të tij, me kremtime, takime e dëshmi të shumta.

Uniteti ortodoks i plagosur

Tre momente karakterizuan ngjarjet përkujtimore. Dita filloi me predikimin e mbajtur nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu I gjatë kremtimit të hapjes së takimit përkujtimor. Pasi lavdëroi punën e Këshillit Ekumenik (ose Botëror) të Kishave (WCC), Patriku Bartolomeu nuk mungoi të nënvizonte se sa thellë u plagos uniteti i botës ortodokse nga pushtimi i Ukrainës nga Federata Ruse në shkurt 2022. "Një plagë e thellë - tha Bartolomeu I - e cila është shtrirë në ortodoksinë globale, një realpolitikë cinike që i është imponuar Kishës Ortodokse”. “Të lutemi të gjithë – shtoi ai – për një përfundim të shpejtë dhe të drejtë të kësaj fushate imperialiste aspak të nevojshme dhe t’i jepet fund politizimit të padobishëm e të pamatur të Kishës në Rusi”.

Më pas, gjithnjë në qytetin e Kalvinit, në Gjenevë, e diela e 25 qershorit iu kushtua tërësisht përvjetorit të Këshillit Ekumenik (ose Botëror) të Kishave, që nisi me adhurimin ekumenik në Kishën Katedrale të Shën Pjetrit, gjatë të cilit presidenti i Komitetit Qendror, ipeshkvi gjerman luteran Heinrich. Bedford-Strohm, kujtoi se si qëllimi i themeluesve të Këshillit Ekumenik (ose Botëror) të Kishave 75 vjet më parë ishte shumë i qartë: bashkimi i Kishave në botë për t'i bërë ato një instrument në shërbim të paqes: më pas takimi vazhdoi pasdite me një seri dëshmish, me pjesëmarrje personale fizike ose nga distanca on line, në selinë e Këshillit Ekumenik.

352 kisha nga 120 vende

Data e lindjes së Këshillit Ekumenik (ose Botëror) të Kishave është 23 gushti i vitit 1948 – vetëm tre vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – në Amsterdam. Është fjala për organizmin më të madh ndërmjet organizatave të ndryshme të lëvizjes moderne ekumenike. Aktualisht Këshilli Ekumenik i Kishave përfshin 352 Kisha nga 120 vende të ndryshme të botës, d.m.th. shumicën e Kishave anglikane, ortodokse, protestante dhe vetero-katolike në botë, që përfaqësojnë 580 milionë të krishterë. Këshilli Ekumenik i Kishave e përkufizon veten si një "bashkësi vëllazërore të Kishave që rrëfejnë Zotin Jezu Krisht si Hyj dhe Shpëtimtar, sipas Shkrimeve të Shenjta, dhe përpiqen t'i përgjigjen së bashku thirrjes së tyre të përbashkët për lavdinë e një Zoti, Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt".

Që nga fillimi i këtij viti, sekretar i ri i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik (ose Botëror) të Kishave është pastori prezbiterian i Afrikës së Jugut Jerry Pillay, i cili në krye të një delegacioni të madh i bëri një vizitë Papës Françeskut më 23 marsin e kaluar në Vatikan. Kujtojmë gjithashtu vizitën që Jorge Mario Bergoglio (por para tij edhe paraardhësit e tij Pali VI në 1969 dhe Gjon Pali II në 1984) bëri në selinë e Këshillit Ekumenik (ose Botëror) të Kishave në Gjenevë më 21 qershor 2018.

Marrëdhëniet e shkëlqyera

E gjithë kjo për të thënë se, megjithëse Kisha Katolike Romake nuk është pjesë e Këshillit Ekumenik (ose Botëror) të Kishave (WCC), marrëdhëniet midis dy palëve janë të shkëlqyera dhe të karakterizuara nga një bashkëpunim konkret, si nëpërmjet një grupi të përbashkët pune të krijuar në vitin 1965, ashtu edhe përmes pjesëmarrjes, me të drejtën e plotë, të delegatëve të Kishës së Romës në komisionin teologjik "Feja dhe Kushtetuta" dhe në atë për misionin dhe ungjillëzimin. Duke iu rikthyer konfliktit në Ukrainë, Pastor Pillay, i freskët nga takimet që pati në Kiev me dy Kishat Ortodokse dhe në Moskë me Patriarkun Kirill, shprehu synimin e Këshillit Ekumenik (ose Botëror) të Kishave për të organizuar një tryezë të rrumbullakët në muajt e ardhshëm, duke përfshirë të gjitha Kishat e interesuara.

06 korrik 2023, 14:32