Kërko

Papa Françesku në mes të moshuarve Papa Françesku në mes të moshuarve  (Vatican Media)

Ndjesa e plotë, për ditën e të moshuarve

Me rastin e festës së themeluar nga Françesku, që kremtohet të dielën e katërt të korrikut, Pendestaria Apostolike u krijon mundësinë të fitojnë ndjesën e plotë të gjithë atyre, që do të marrin pjesë në Meshën kryesuar nga Papa në Shën Pjetër, më 23 korrik, por edhe atyre që në këto ditë do t'i kushtojnë pak kohë të moshuarve, të sëmurëve, të gjymtuarve, posaçërisht kur janë të vetmuar a vuajnë nga sëmundje të ndryshme e që do të bashkohen shpirtërisht me kremtimet e kësaj dite!

R. SH. - Vatikan

Ndjesë e plotë për gjyshërit, të moshuarit dhe të gjithë besimtarët, të cilët të nxitur nga " shpirti i pendimit dhe i bamirësisë", do të marrin pjesë më 23 korrik, me rastin e Ditës III Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, në Meshën që Papa Françesku do të kryesojë në orën 10.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ose në kremtimet e ndryshme në mbarë botën. E lexojmë lajmin në një dekret, paraqitur nga kardinali Kevin Joseph Farrell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, i cili kujton edhe kushtet e zakonshme për marrjen e ndjesës: janë rrëfimi sakramendor, kungimi dhe lutja sipas ndjeteve të Papës.

Ndjesë e plotë edhe për ata që vizitojnë të moshuarit dhe të sëmurët

U jepet ndjesa e plotë, d.m.th, "falja para Zotit e dënimit të përkohshëm për mëkatet dhe shlyerja e tyre", siç përcaktohet nga Katekizmi i Kishës Katolike, edhe besimtarëve të cilët, në Ditën Botërore të Gjyshërve dhe të të Moshuarve, sivjet me temën “Brez pas brezi shtrihet mëshira e Tij” - vazhdon Dekreti - “do t’i kushtojnë kohën e duhur e do t’i vizitojnë personalisht ose virtualisht, nëpërmjet mjeteve të komunikimit”, të moshuarit nevojtarë, apo njerëzit, që kalojnë çaste të vështira, si p.sh. të sëmurët, të braktisurit, të paaftët. E do të mund ta fitojnë edhe ata që, “duke ndenjur larg mëkatit e duke përmbushur sa më parë të tre kushtet e zakonshme” - kujton  Pendestaria Apostolike - “domethënë të moshuarit, të sëmurët dhe të gjithë ata që, duke mos mundur të largohen nga shtëpitë e tyre për arsye të rënda, do të bashkohen shpirtërisht me funksionet e shenjta të Ditës Botërore, duke ia mblatuar Zotit të Mëshirshëm lutjet, dhimbjet dhe vuajtjet e jetës”.

Për t'u krijuar besimtarëve mundësinë "e fitimit të hirit hyjnor",  Pendestaria Apostolike u kërkon meshtarëve "të jenë të gatshëm dhe bujarë për kremtimin e Sakramentit të Pajtimit - Rrëfimin”.

05 korrik 2023, 15:42