Kërko

Imzot Bettazzi buzagaz Imzot Bettazzi buzagaz 

Ndërroi jetë Imzot Bettazzi, zëri i paqes dhe ati i fundit italian i Koncilit

Do të kishte mbushur 100 vjeç në nëntor, po gjendja e tij shëndetësore u keqësua kohët e fundit. Pati marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit, me kardinalin Lercaro. 33 vjet ipeshkëv i Ivreas, 17, kryetar i Pax Christi, ishte autor i botimeve të shumta dhe avokat i dialogut me jobesimtarët. Kardinali Zuppi: "Angazhimin për Koncilin, e jetoi me dashuri dhe liri për Kishën. Prej tij do të kujtohet posaçërisht ftesa për t’i edukuar të gjithë me dëshirën për paqe".

R. SH. - Vatikan

Dëshironte ta thërrisnin "atë", falë angazhimit të  marrë në Paktin e Katakombeve, i vetmi nënshkrues italian ndërmjet 42 ipeshkvijve të tjerë, kryesisht nga Amerika Latine, për të krijuar një "kishë të varfër", pa tituj, pa luks, pa nderime të posaçme! Imzot Luigi Bettazzi, 99 vjeç, njëqind më 26 nëntor, tridhjetë e tre prej të cilave si ipeshkëv i Ivrea-s (1966-1999), një nga etërit e fundit konciliarë akoma gjallë, u shua në agimin e sotëm, e dielë, 16 korrik.

Kard. Zuppi: "Njeri i paqes dhe dialogut"

“Atë konciliar, promovues i paqes dhe i dialogut me të gjithë” – kështu e kujtoi kardinali Matteo Maria Zuppi, kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë, në një mesazh, përmes të cilit i shprehte ipeshkvit të ndjerë “atë ndjenjë mirënjohjeje, që i takon etërve”. “E falënderojmë për dëshminë e tij – ai përgatitej të festonte 77-vjetorin e shugurimit meshtarak dhe 60-vjetorin e ipeshkvnisë – e edhe për angazhimin në Koncil, jetuar me liri e dashuri për Kishën” - pohon kardinali. "Buzëqeshja, mirësia, qëndrueshmëria, ironia, aftësia për të lexuar historinë dhe për të përcjellë mesazhin e paqes ishin tiparet e tij themelore Të njëjtat tipare që ai na lë si një trashëgimi të çmuar për të ecur përkrah burrave dhe grave të kohës sonë".  

Gjendja shëndetësore e Imzot Bettazzit u keqësua ditët e fundit. Ipeshkvi aktual i Ivreas, Edoardo Cerrato, i kishte ftuar besimtarët, priftërinjtë dhe njerëzit e afërt të tij për t'u lutur: "Ta shoqërojmë Imzot Bettazzi-n, i cili  po shkon drejt perëndimit të diellit tokësor. Lutjet tona e mbështesin atë”. Pas disa daljeve publike në muajt e mëparshëm, duke përfshirë Marshimin për Paqe, në të cilin ai nuk kishte humbur kurrnjë takim, Imzot Bettazzi i kaloi muajt e fundit në shtrat muajt e fundit. Ndihmohej ditë e natë. Çdo mëngjes i vinte për vizitë një prej priftërinjve dioqezanë. Niste me të Meshën, siç kish bërë gjithmonë për më shumë se shtatëdhjetë e tre vjet, që nga çasti kur u shugurua meshtar, më 4 gusht 1946, në Bazilikën Patriarkale të Shën Dedës, në Bolonja - e deri në çastin e fundit, kur u nis për ta kremtuar në qiell!

16 korrik 2023, 15:47