Mijëra njerëz marrin pjesë në Kongresin e 13-të Katolik Afro-Amerikan në Uashington
R.SH. - Vatican News
Në këtë veprimtari u mblodhën së bashku rreth 3,000 njerëz, duke përfshirë laikë, klerikë dhe organizata që përfaqësojnë komunitetet e ndryshme katolike afrikano-amerikane të vendit. Takimi ishte i pasur me konferenca, diskutime, si dhe meshë e çaste lutjeje.
Tema e konferencës u frymëzua nga libri i Abakukut 2:2-3: "Shkruajeni vegimin: Një thirrje profetike për të përparuar". "Ne e dimë se Zoti po flet gjithmonë diku, prandaj duhet të shkojmë në atë vend dhe të dëgjojmë atë që Zoti na thërret të bëjmë, në mënyrë që të veprojmë me drejtësi dhe në rrugët e Zotit” - theksojnë organizatorët.
Kongresi u hap më 21 korrik, me një Meshë në Bazilikën Kombëtare të Zojës së Papërlyer, në Uashington DC. U kryesua nga kardinali Wilton Gregory, kryeipeshkëv i kryeqytetit. Në liturgji morën pjesë, ndër të tjerë, Kardinali Sean O'Malley, Kryeipeshkëv i Bostonit; Imzot Timothy P. Broglio, kryeipeshkëv i shërbimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Shteteve të Bashkuara, si dhe 130 priftërinj e 60 diakonë të përhershëm nga 80 dioqeza të gjithë vendit.
Në predikimin e tij, Kardinali Gregori theksoi se Jezusi na ofron një vizion shëlbues të lirisë, lirinë e Zotit Atë dhe i thërret të gjithë njerëzit për shenjtëri. "Jezusi zgjodhi dishepujt - burra dhe gra të zakonshme - dhe u besoi atyre këtë vizion shëlbues, që e ndryshon jetën. Është thesar, që ne duhet ta ndajmë me të gjithë njerëzit" - theksoi ai. Në lidhje me këtë, Kardinali Gregori përmendi gjashtë katolikë afrikano-amerikanë, në pritje të lumnimit dhe të shenjtërimit, duke përfshirë Nënën Mary Elizabeth Lange, e cila në 1829 themeloi kongregatën e parë të grave afro-amerikane në Baltimore, Maryland “Shërbëtoret Oblate të Provanisë” dhe të nderuarin Atë Augustus Tolton, prifti i parë katolik amerikan me ngjyrë që u lumnua dhe mori pjesë në Kongresin e parë afrikano-amerikan në 1889.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm nunci apostolik i Selisë së Shenjtë në Shtetet e Bashkuara, Imzot Christophe Pierre, i cili lexoi mesazhin e Papës Françesku. Përmes letrës së tij, Papa i nxit pjesëmarrësit në kongres të jenë dëshmitarë të gëzimit të Ungjillit dhe të ndërtojnë mbretërinë e Zotit si dishepuj misionarë të Jezusit në botë.
Kryeipeshkvi William Lori i Baltimores, i cili ishte një nga delegatët e kongresit, pohoi se ngjarja ka rëndësi jetike për kryeipeshkvninë, pasi i krijon "bashkësisë katolike afrikano-amerikane mundësinë të takohet, të ndajë dhuratat, të diskutojë për nevojat baritore, të planifikojë ungjillëzimin e madje të nxisë edhe transformimin në jetën e Kishës".
Ky kongres pati edhe një sesion kushtuar të rinjve, në të cilin morën pjesë Kardinali Gregori dhe ipeshkvi i nderit i Memfisit, Tenesi, J. Terry Steib. Në fjalimet e tyre, prelatët iu përgjigjën spontanisht pyetjeve të bëra nga të rinjtë, duke prekur kështu problemin e thirrjeve meshtarake dhe çështjen e racizmit. Kryeipeshkvi i Uashingtonit i ftoi të rinjtë të zbulojnë thirrjen e tyre: "Çfarë dëshiron Zoti nga ti? Çfarë do të të bënte të lumtur në jetë? Po sikur një nga këto ëndrra të të kërkojë të japësh jetën në shërbim të Kishës...".
Kardinali kujtoi gjithashtu edhe racizmin, që e kishte jetuar: "Po, e jetova racizmin, por pashë edhe se njerëzit ndryshojnë. Shokët e mi të klasës në seminar ishin të gjithë të bardhë. Por kjo ishte një mundësi për ta dhe për mua që të takoheshim", gjë që tregon se këto përvoja shërbejnë për të ndihmuar njerëzit të dalin nga zona e tyre e rehatisë për të njohur njëri-tjetrin”.
Konventa përfundoi më 23 korrik me një Meshë të kryesuar nga imzot John H. Ricard, ipeshkëv nderi i dioqezës së Pensacola-Tallahassee, që nga viti 2019 epror i Shoqatës së Shën Jozefit. Në predikimin e tij inkurajoi anëtarët e Kongresit që të sjellin zjarrin e Shpirtit Shenjt në bashkësitë e tyre afro-amerikane:
"Ndizeni atë flakë dhe ushqejeni. Mos lejoni që zjarri të shuhet" - tha ai, duke kujtuar më pas edhe trashëgiminë e gjashtë afro-amerikanëve, çështja e lumnimit dhe e kanonizimit të të cilëve vijon: "Këtë fundjavë jemi këtu për të korrur atë që ata e mbollën" – nënvizoi.
Gjatë gjithë historisë së tij, Kongresi i ka kushtuar gjithnjë vëmendje çështjeve që prekin bashkësinë afrikano-amerikane në tërësi, duke përfshirë drejtësinë racore, pabarazinë ekonomike, pabarazitë në kujdesin shëndetësor dhe arsimin. Në këtë kuptim, Kongresi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Kishën dhe shoqërinë, duke vepruar si një forcë bashkuese për bashkësinë katolike afrikano-amerikane