Kërko

Karitasi: BE-ja nuk arrin t’ua plotësojë nevojat të moshuarve

Numri i njerëzve, që kanë nevojë për kujdes në kontinentin e moshuar evropian, parashikohet të rritet me miliona në 30 vitet e ardhshme. Raporti i fundit i Karitasit të Evropës thekson faktin se vendet e BE-së nuk janë ende në gjendje të propozojnë zgjidhje

R.SH. – Vatikan

         "Plakja e popullsisë është prirje globale e kohës sonë": kështu pohon Shannon Pfohman, drejtoreshë e Politikës dhe e Promovimit për Karitasin e Evropës, duke vënë në dukje se kërkesa për kujdes afatgjatë po rritet dhe shpenzimet publike nuk ecin me të njëjtin ritëm me to.

Duke folur në Radio Vatikan / Vatican News menjëherë pas paraqitjes së raportit të Karitasit Evropian “Growing Old with Dignity, the Challenges of Long-Term Care in Europe” (Plakje me dinjitet, sfidat e kujdesit afatgjatë në Evropë), ajo shpjegon se prirjet demografike nuk pasqyrohen në investimet publike, duke i katandisur njerëzit gjithnjë e më shumë në nevojtarë me probleme ekonomike.

Phoman shpjegon se raporti bazohet mbi përvojën e Karitaseve anëtare të së paku 13 vendeve, të cilave u është kërkuar të plotësojnë një pyetësor me mbi 100 pyetje "shumë të hollësishme", duke siguruar një sërë të dhënash konkrete nga realiteti i secilit. Në thelb, vazhdon ajo, statistikat tregojnë se në një Evropë gjithnjë e më të plakur, "kërkesa për kujdes afatgjatë po rritet, por jo edhe shpenzimet publike për të ashtuquajturën ‘moshë e tretë’”.

Thirrje për ndërhyrje

Pfohman thekson se një nga detyrat kryesore të Karitasit Evropian është lidhja me institucionet e BE-së, si Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe aktualisht, presidenca e ardhshme spanjolle e Këshillit të BE-së. Organizata kishtare, shton ajo, përpiqet të ndihmojë edhe në hartimin e Strategjisë së Kujdesit Shëndetësor në BE, sidomos përsa i përket kujdesit afatgjatë.

“Tashmë jemi pjesë e këtyre dosjeve legjislative dhe do të vazhdojmë të kontribuojmë në to”.

“Thelbi i çështjes është se çfarë do të bëjnë shtetet anëtare në nivelin kombëtar, sepse tani është në dorën e tyre të ndjekin rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe të vendosin nëse dhe si do t’i reformojnë sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor afatgjatë", pohon ajo.

Propozimet e Karitasit

Karitasi i Evropës, vë në dukje Pfohman, ka bërë 15 propozime të ndryshme. Disa, nënvizon ajo, bazohen në “dosjet ekzistuese legjislative, si zbatimi i Direktivës për moshën minimale, sigurimi i zbatimit të duhur të Direktivës së ekuilibrit ndërmjet jetës dhe punës, por edhe në nevojën e kornizës ligjore të detyrueshme për të ardhurat minimale”. Këto, sqaron ajo, janë rekomandime të përgjithshme për mbështetjen e sistemit të mbrojtjes sociale.

Pfohman reflekton edhe mbi nevojën që qeveritë të japin fonde, jo vetëm për të investuar, por sidomos për të financuar shpenzimet aktuale për kujdesin shëndetësor afatgjatë, aq të nevojshëm.

“Po kërkojmë investime në kapitalin publik dhe social për të siguruar përfitime të ardhshme, si edhe po përpiqemi të marrim financime nga borxhi publik, duke u përjashtuar nga rregullat evropiane për buxhetin”.

Të moshuar me dinjitet

Përparësi tjetër, thekson Pfohman, është nevoja për të vënë në jetë një kujdes afatgjatë, me njeriun në qendër, për të garantuar cilësi dhe dinjitet. Për këtë, Karitasi kërkon një “Garanci Kujdesi Shëndetësor”, që siguron të drejtën për kurime, pavarësisht nga gjendja financiare e të moshuarve.

Drejtoresha e politikave të Karitasit nënvizon se studimet tregojnë që të moshuarit me të ardhura të pakta janë gjithnjë e më të shumtë e nuk janë në gjendje “të mbulojnë koston e kujdesit shëndetësor”, sidomos në zonat rurale, ku ka më pak personel. Sipas saj, duhet ndryshuar edhe sistemi shndetësor për të moshuarit, duke zëvendësuar kujdesin e centralizuar në qendra për moshën e shtyrë me kujdesin në shtëpi, pa i lëvizur ata nga ambienti ku janë mësuar të jetojnë. Një nga rekomandimet, që Karitasi u ka dhënë institucioneve përkatëse evropiane është krijimi i qendrave komunitare, ku të moshuarit mund të jetojnë së bashku e të ndihmojnë njëri-tjetrin, por edhe ku të favorizohet shkëmbimi i ndihmës dhe i jetës së përditshme ndërmjet brezave.

Punonjës me dinjitet

         Gjithashtu, siç shpjegon Pfohman, “nëse, nga njëra anë, duhen mbrojtur të moshuarit, që kanë nevojë për kujdes e kura, nga ana tjetër, duhen mbrojtur edhe ata, që kujdesen për ta, punonjësit që u shërbejnë atyre”. Shumë punonjës shëndetësorë për të moshuarit nga vendet e Evropës Lindore, për shembull, emigrojnë në vendet e pasura. Ky është problem i madh për vendet e Evropës Lindore, të cilat “sapo i formojnë dhe i bëjnë të aftë këta njerëz për t’u shërbyer të moshuarve, i shohin të migrojnë në vendet më të pasura si Austria, Gjermania, ose Zvicra”. Evropa duhet të gjejë zgjidhje për këto pabarazi. Pfohman dha shembullin e Karitasit të Rumanisë, i cili formon punonjës shëndetësorë, që i dërgon çdo vit për disa muaj në Zvicër, në mënyrë që të fitojnë aq para, sa të mund t’u dalin edhe për jetesën në vendin e tyre, ku duhet të kthehen për të vazhduar punën, duke mos e vënë në vështirësi sistemin shëndetësor për të moshuarit. Për të mos folur për vlerësimin e këtyre punonjësve, duke i paguar siç duhet.

         “Pse preferojmë të kemi dikë, që kujdeset për prindërit tanë të moshuar, por nuk duam t’u japim një pagesë dinjitoze? E, pavarësisht nga kjo, duam që ata t'i trajtojnë prindërit tanë me dinjitet dhe t’u ofrojnë shërbime cilësore”.

         Së fundi, Shannon Pfohman nënvizon ndryshimin ndërmjet kujdesit social dhe atij shëndetësor, si edhe nevojën për t’i integruar.

04 korrik 2023, 18:14