Kërko

Papa Françesku në Fatima të Portugalisë Papa Françesku në Fatima të Portugalisë 

Kard. Comastri: të rinj, meditoni me Françeskun mbi kumtin e Marisë

Kryeprifti i nderit i Bazilikës së Shën Pjetrit, Kardinali Comastri, reflekton për etapën e Papës në shenjtëroren mariane më 5 gusht dhe u drejtohet të rinjve me fjalët: "Dëgjojeni Virgjërën dhe kthehuni në shtëpi me premtimin: 'Tani dua të filloj një jetë më koherente dhe më të krishterë”

"Rruzarja është lutje e mrekullueshme" - brohoret kryeprifti i nderit i Bazilikës së Shën Pjetrit, Kardinali Angelo Comastri, duke reflektuar me Telepace-n mbi vlerën e vizitës së Papës në Shenjtëroren e Fatimes, të shtunën, më 5 gusht, në kuadrin e Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë. "Është gjë e bukur që Françesku dhe të rinjtë e botës mblidhen atje për të  thënë rruzaren, e cila - saktëson Kardinali – është shtegtim në jetën e Jezusit, të shoqëruar nga Maria". Njëkohësisht, rruzarja është edhe "shtysë që i japim historisë si dhe hapësirë për Zotin, që të na i drejtojë shtigjet tona, shpesh të ngatërruara". Dhe pikërisht kjo është pikënisja për t'iu drejtuar të gjithë atyre që kanë zgjedhur të shkojnë në një vend plot me fe, të famshëm për Dukjet e Marisë.

Kardinali Comastri: "Dëgjoje Nënën!"

Ftesa lidhet pashmangshmërisht me kujtimet personale të kardinalit, i cili kujton me emocion të thellë vizitën që bëri në Shenjtërore, më 13 maj 2000, së bashku me Shën Gjon Palin II, kur u lexua pjesa e tretë e sekretit të Fatimes. Në përfundim të leximit, Comastri kishte në duar transkriptin e  mesazhit, që Zoja i dha motrës Luçi, në vitin 1987, lidhur me ngadhënjimin e Zemrës së Saj të Papërlyer. E pra, Virgjëra kërkoi kontributin e të gjithëve përkrah Saj e për këtë qëllim. “Nëse duam të luajmë rolin e bijve - shpjegon kardinali - duhet të dëgjojmë Nënën”.

Plani i Zotit

Kjo është arsyeja pse përballë mobilizimit të të rinjve për takimin botëror në Lisbonë, kard. Comastri përsërit se nuk mjafton të mblidhemi dhe të shtegtojmë në tempullin Marian. “Duhet t’i dëgjojmë, t’i mbledhim dhe t’i meditojmë mesazhet e Zojës së Fatimës”. Në fund të fundit kjo do të thotë të meditosh mbi Shkrimet Shenjte dhe të kuptosh se liria - në kundërshtim me atë që mendojnë disa - nuk është të bësh çka dëshiron. "Duhet të thuash ‘po’ si Maria" - shpjegon, duke iu drejtuar sërish brezave të rinj: "Shikoni, Zoti e ka një plan edhe për ju të gjithë! Duhet ta zbulojmë, sepse kjo është mënyra për të qenë të lumtur dhe për të lënë pas një brazdë mirësie”.

Fjalët e Nënë Terezës

Sipas kryepriftit të nderit, çka u nevojitet më shumë atyre që marrin pjesë në DBR, është hapja e zemrës për t'u nisur me Jezusin në rrugën e gëzimit. “Duhet të shkojmë në shtëpi duke i thënë vetes: tani dua të filloj një jetë më koherente dhe më të krishterë”. Kujtimi i Nënë Terezës është i pashmangshëm për kardinalin, që nënvizon me forcë se çka ka më shumë rëndësi, është ta marrësh seriozisht Ungjillin. "Shën Nënë Tereza thoshte shpesh se Ungjilli është i jetueshëm e se vetëm duke e jetuar, ndriçohet jeta". “Pa e hapur zemrën , kjo është e vështirë. Nëse zemra është e shuar - përfundoi ai – mund të ndezim mijëra drita, por nuk do të mund të shohim asgjë”.

31 korrik 2023, 13:48