Kërko

Edikola e Varrit të Krishtit Edikola e Varrit të Krishtit 

Jeruzalem, përfundojnë punimet e gërmimit në kompleksin e Varrit të Krishtit

Departamenti i Shkencave të Lashtësisë pranë Universitetit La Sapienza të Romës i përfundoi në shtatë ditë e shtatë netë punimet në zonën përballë Varrit të Krishtit (Edicula). Proces intensiv, i udhëhequr nga arkeologia Francesca Romana Stasolla, e cila i filloi studimet sistematike në Tokën e Shenjtë që në vitin 2019, duke analizuar hollësisht një nga vendet më simbolike e më të dashura të krishterimit.

R. SH. - Vatikan

Mision i vërtetë arkeologjik, ky i Universitetit La Sapienza tek Varri i Krishtit, në Jerusalem, ku puna e gërmimit në zonën përballë Edikolës, domethënë, vendvarrosjes së Zotit, përfundoi më 27 qershor. Ishte punë intensive, e udhëhequr nga profesoresha Francesca Romana Stasolla, e cila në vitin 2019 filloi kërkimet sistematike në Tokën e Shenjtë duke analizuar Bazilikën e Varrit të Krishtit, një nga vendet më të shenjta e më simbolike të krishterimit, me vlerë të madhe nga pikëpamja historike e, sidomos, fetare.

Puna që kreu ekipi i Departamentit të Shkencave të Lashtësisë qe shumë intensive, siç nënvizohet në raportin e profesoreshës Stasolla, publikuar nga Departamenti i Arkeologjisë më 7 korrik. U përtërinë disa nga objektet  e bukura paleokristiane të Edikulës, ndërmjet të cilave, edhe dy shkallët prej mermeri të bardhë, dyshemeja me pllaka guri, Kapela e Engjëllit dhe brendia e Varrit.

Në deklaratën e botuar nga La Sapienza, profesoresha Stasolla shpjegon: “Dolën në dritë edhe mbetjet e bazës së parmakut të rrethimit liturgjik të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, në përdorim deri në rinovimet e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ndërmjet punimeve me dorë, u zbulua një fragment i rëndësishëm i veshjes së murit, i pasur me mbishkrime të shekullit të 18-të në gjuhë të ndryshme, ndër të cilat greqisht, latinisht, armenisht. Sipas të gjitha gjasave, i përkiste Ediculës në fazën para rinovimit të shekullit të 19-të.

Një punë intensive dhe e detajuar u krye nga misioni i La Sapienzës në Jerusalem, nga i cili mund të theksojmë një hollësi shumë të rëndësishme për krishterimin. Varri i Shenjtë ishte dhomë varrimi. Arkeologjia konfirmon kështu pohimin e traditës së krishterë.

09 korrik 2023, 11:01