Jeruzalem: kryqi i abatit benediktin bëhet 'problem' në Murin Perëndimor
R.SH. / Vatican News
Gjatë një vizite zyrtare në Murin Perëndimor në Jerusalem, një zyrtar i Fondacionit Western Wall Heritage - organ shtetëror izraelit që administron vendin më të shenjtë hebre në Jerusalem – i kërkoi Fra Nikodemus Schnabel, abat i abacisë së Fjetjes së Marisë (që ndodhet aty pranë) ta heqë kryqin e kraharorit. Episodi ndodhi ndërsa besimtarët benediktinë po afroheshin, ende jashtë zonës së lutjes të rezervuar për hebrenjtë, së bashku me ministren gjermane të Arsimit dhe Kërkimit shkencor, Bettina Stark-Watzinger. Fakti u regjistrua në një video e u publikua nga Christoph Schult, gazetar i së përjavshmes gjermane "Der Spiegel". Në video shohim abatin benediktin Schnabel duke iu përgjigjur zyrtarit: “Kjo është shumë serioze, ju nuk po respektoni fenë time. Ju po pengoni të drejtat e mia njerëzore. Ky nuk është provokim, jam abat. Kjo është veshja ime e kryqi është pjesë e saj”.
Ngjarja që i ndodhi Fra Schnabel-it është një nga gjestet e përsëritura të intolerancës të denoncuara vazhdimisht javët e fundit, nga krerët e krishterë të Jeruzalemit. "Është e dhimbshme të shikosh se si klima në këtë qytet të mrekullueshëm po ndryshon zi e më zi nën qeverinë e re izraelite" - shkroi Abati Schnabel në kanalet e tij të mediave sociale. "Jeruzalemi është mjaft i madh: i zë të gjithë" - shton ai.
Ndërkaq Western Wall Heritage Foundation lëshoi një deklaratë, në të cilën kërkoi falje "për shqetësimin e shkaktuar", por mbrojti veprimin e punonjëses së vet, duke vënë në dukje se "ajo u afrua me njerëzi dhe pyeti me edukatë nëse kryqi mund të mbulohej pikërisht për të shmangur shqetësimet, si ato që ndodhën së fundmi në Qytetin e Vjetër, për respektimin e mysafirit e të vendit. Pasi ai refuzoi - vazhdon shënimi - hyrja e tij padyshim nuk u pengua dhe meshtari shkoi në punë të vet”.
Keqkuptimet e ndërsjella janë emblematike për situatën në Jerusalem. Vetëm pak ditë më parë, i veshur me zhgunin françeskan, Yossi Eli, gazetar i kanalit televiziv izraelit Channel 13, donte të verifikonte personalisht shkallëzimin e urrejtjes, e cila është denoncuar prej kohësh nga liderët e krishterë. Eli vizitoi qytetin e vjetër të Jeruzalemit për një ditë të tërë, i veshur si frat e i shoqëruar nga një françeskan i vërtetë, Frati Alberto Pari - me lejen e eprorëve të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë. Gazetari përshkoi udhët ku kalojnë çdo ditë dhjetëra e dhjetëra rregulltarë të krishterë të besimeve të ndryshme për të shkuar te Varri i Krishtit ose për të arritur në manastiret e tyre përkatëse. Siç tregohet në një reportazh të xhiruar me një kamerë të fshehtë dhe të transmetuar në rrjetin televiziv, pak minuta pas daljes nga manastiri i Shën Shëlbuesit, gazetari u godit, u sha e u pështy përtokë. Gjeste që më pas u shumëfishuan, duke përfshirë edhe ushtarakët, madje edhe një fëmijë.
Klerikët dhe të krishterët në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit vijojnë të jenë subjekt i incidenteve të rastësishme të vandalizmit dhe ngacmimit, që muajt e fundit kanë pasur një rritje të dukshme. Në nëntor, dy ushtarë nga Brigada Givati e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit u arrestuan me dyshimin se pështynin kryeipeshkvin armen dhe shtegtarët e tjerë gjatë një procesioni në Qytetin e Vjetër. Në fillim të janarit, dy adoleshentë hebrenj u arrestuan për dëmtimin e varreve në varrezat protestante, në malin Sion. Javën në vijim, qendra e bashkësisë maronite në qytetin verior të Ma'alot-Tarshiha u sulmua nga persona të panjohur gjatë kremtimit të Krishtlindjes.
Edhe ndërtesat e bashkësisë armene të Jeruzalemit janë vazhdimisht në shënjestër të vandalëve, me fraza të shumta diskriminuese të shkruara në pjesën e jashtme të strukturave, në lagjen armene. Disa vëzhgues e lidhin rritjen e këtyre sjelljeve agresive me përbërjen e qeverisë aktuale izraelite, e cila përfshin fraksione të ekstremit të djathtë. E pikërisht këta, në emër të mbrojtjes së identitetit hebre të Jerusalemit, u kundërvihen ashpërsisht manifestimeve publike të adhurimit të krishterë.
Presidenti Isaac Herzog në fillim të këtij muaji dënoi shumëfishimin e këtyre akteve të dhunshme, duke i quajtur "turp i vërtetë”. “E dënoj fuqimisht dhunën, në të gjitha format e saj, drejtuar nga një grup i vogël ekstrem njerëzish, kundër vendeve të shenjta të besimit të krishterë dhe kundër klerit të krishterë në Izrael", tha Herzog në një ceremoni në përkujtim të themeluesit të Sionizmit, Theod. “Kjo përfshin edhe pështymjen dhe dhunimin e varreve e të kishave” - shtoi ai - duke vënë në dukje edhe se fenomeni është në rritje.
(nga agjencia AsiaNews)