Kërko

Të krishterët e Tokës Shenjte kërkojnë të drejta Të krishterët e Tokës Shenjte kërkojnë të drejta  (AFP or licensors)

Imzot Pizzaballa: dhunë antikristiane, kërkojmë të drejta, jo mbrojtje

Patriarku i Jeruzalemit të Latinëve, në një intervistë për Vatican News, vë në dukje kërcënimet dhe frikësimet në rritje kundër bashkësisë së krishterë të Tokës së Shenjtë, duke u bërë thirrje të gjithëve të mos i përgjigjen dhunës me dhunë: "Ne nuk duam mbrojtje" - pohon - por të drejta, sepse duam të jetojmë si qytetarë të lirë, në një shtet demokratik".

R. SH. - Vatikan

Në muajt e fundit, aktet e frikësimit, kërcënimeve dhe dhunës kundër të krishterëve të Tokës Shenjte, vijojnë të shtohen, veçanërisht në territorin izraelit. Kisha të vandalizuara, një shtatore e shkatërruar e Krishtit, një varrezë protestante e dhunuar dhe, së fundmi, ekstremistët hebrenj që përpiqen “të pushtojnë" disa kisha në qytetin e Haifës. Edhe pse një pakicë e vogël, e cila as nuk e përfaqëson dhe as nuk e gëzon mbështetjen e shumicës së izraelitëve, këta ekstremistë hebrej rrezikojnë të provokojnë  shpërthimin e dhunës. Ndaj kundër tyre tashmë po ngrihen zërat e liderëve fetarë të Tokës së Shenjtë, të krishterë e  jo të krishterë!

Në një intervistë për mediat e Vatikanit, Patriarku i Jeruzalemit i Latinëve, Imzot Pierbattista Pizzaballa, i cili më 30 shtator do të marrë kësulën e kardinalit nga duart e Papës Françesku, shpreh shqetësimin e tij përballë shumëzimit të veprimeve të dhunshme, ndërsa dëshiron ta mbajë gjallë një fije shprese, në rrethana shumë të ndërlikuara politike dhe shoqërore. Patriarku bën thirrje të zbatohet ligji dhe të respektohen garancitë për bashkësitë fetare.

Fortlumturia Juaj, prej disa muajsh thellohet gjithnjë më shumë frikësimi dhe dhuna kundër të krishterëve të Tokës së Shenjtë, veçanërisht në territorin e Izraelit. Si ju duket situata?

Fatkeqësisht është e vërtetë, shikojmë rritje sulmesh kohët e fundit. Duhet thënë se këto përplasje, këto pështyma, akuza, sharje, nuk janë ndonjë gjë e re. Megjithatë, rritja tepruar e këtyre fenomeneve, veçanërisht në zonën e Jeruzalemit, Qytetit të Vjetër, është bërë objekt shqetësimi dhe tashmë, çështje në rendin e ditës, që shqetëson si bashkësinë e krishterë, ashtu edhe autoritetet izraelite, të cilat thonë se po bëjnë gjithçka është e mundur për ta parandaluar këtë: jo me shumë sukses deri më sot.

Cilat janë rrethanat, që e mundësojnë këtë rritje të veprimeve të dhunshme?

Shumë e vështirë të dihet… Aspekte që duhen pasur parasysh janë disa, nuk është një i vetëm. Së pari, duhet kujtuar formimi dhe edukimi në disa mjedise hebreje, por pa u përgjithësuar. Shumica dërrmuese e popullsisë hebreje izraelite, madje edhe ajo fetare, nuk ka asnjë lidhje me këtë. Në muajt e fundit kemi parë edhe shumë rabinë që shkruajnë dhe flasin publikisht kundër këtyre fenomeneve, por është e vërtetë edhe se dikush në vend i nxit të gjitha këto. Ka edhe një brez të ri kolonësh, por jo vetëm kaq, që janë më pak të mësuar të ndeshen me realitete të ndryshme prej të tyreve. Në vend ndjehet një klimë dhune e përgjithshme që ne e kemi parë si brenda shoqërisë izraelite, ashtu edhe asaj palestineze. Pra, kjo kulturë e përgjithshme e polarizimit ndikon edhe mbi të gjitha këto situata”.

Cilat janë rreziqet? A mund të supozoj se lind njëfarë tensioni në bashkësinë e krishterë…

Nga njëra anë, problemi është se këto dukuri janë në rritje, ndoshta edhe të mbështetura, siç thashë, nga një kontekst i caktuar kulturor fetar; nga ana tjetër, megjithatë, ekziston edhe një bashkësi e krishterë, që ndihet si objekt sulmesh pa dallim, bazuar mbi dhunën fetare, urrejtjen fetare, përçmimin fetar, nëse dëshironi ta themi kështu, gjë që krijon edhe brenda bashkësisë së krishterë tension, pakënaqësi e, shpesh, edhe zemërim.

Ju më po flisni kryesisht për qytetin e vjetër të Jeruzalemit, po në Haifa,  është ndryshe në Haifa?

Në Haifa ka një fenomen tjetër, që lidhet me një person specifik, rabinin Berland, pak jashtë kontrollit që, me ndjekësit e tij, është i bindur se në Stella Maris, në kishën karmelitane, ndodhet varri i profetit Elisè, i cili nuk ekziston fare. Pra, ky është më shumë një fenomen kulti, disi i veçantë. Edhe ky rabin ka qenë i burgosur për akuza të ndryshme. Fenomeni është pak më ndryshe, po gjithsesi krijon shumë nervozizëm brenda bashkësisë së krishterë, saqë ndonjëherë na akuzon edhe ne krerët fetarë duke drejtuar pyetje si: çfarë po bëni, pse nuk ndërhyni, pse nuk flisni kundër këtij fenomeni...

Sipas jush, a nuk mbrohen sa duhet vendet e krishtera?

Ne nuk duam mbrojtje, duam garanci, duam të drejta: duam të jetojmë si qytetarë të lirë në një shtet demokratik.

Kush mund të ndërhyjë sot për ta garantuar këtë?

U takon autoriteteve të vendit - Izraelit, izraelitëve, Palestinës dhe Palestinezëve - të sigurojnë që të gjitha realitetet e territorit, pavarësisht nga përkatësia fetare, kulturore, etnike apo çfarëdo qoftë, të jenë të garantuara.

A keni ndonjë përgjigje nga autoritetet?

Jemi në lidhje me policinë, po. Kemi folur me shefin e policisë, jemi takuar. Është nën një presion të madh, krijuar nga media, gjë e mirë në këtë kuptim. Janë rezultatet e para, në kuptimin se disa persona, ndonëse pak, po kapen dhe po nxirren para ligjit, por ka ende shumë për të bërë. Nga ana e qeverisë, më duhet të them, ndoshta për shkak se tani ka prioritete të tjera, ka edhe më pak vëmendje. Presidenti i shtetit të Izraelit është shumë aktiv dhe shprehet tejet qartë, publikisht, kundër gjithë kësaj.

A ka, sipas jush, një lidhje ndërmjet thellimit së kësaj dhune dhe qeverisjes politike të vendit?

Më kanë pyetur disa herë dhe e kam thënë tashmë. Unë e konsideroj atë që po ndodh me ne si një lloj dëmi anësor. Nuk mendoj se qeveria po synon të krishterët. Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë që kjo qeveri ka krijuar një klimë tensioni shumë të fortë në vend: flitet për "epërsi hebreje" ... E gjithë kjo mund të ketë, qoftë edhe indirekt, ndikimin e vet.

A do të flisnit sot për persekutime kundër të krishterëve?

Jo. Kur bëhet fjalë për persekutimin, mendoj se çfarë ka bërë Shteti Islamik i vetëquajtur (IS) në Siri dhe Irak. Ne nuk jemi në këtë situatë. Sigurisht që ka probleme, por nuk mund të themi se persekutohemi.

Arsye për shpresë?

Ka gjithmonë arsye për shpresë sepse këto situata kanë krijuar edhe reagime të forta, shpesh shumë më të forta brenda shoqërisë izraelite, madje edhe fetare, më shpesh se ndërmjet të krishterëve dhe besoj se ky ndërgjegjësim për këtë problem brenda shoqërisë izraelite me kalimin e kohës do të japë fryte.

26 korrik 2023, 16:27