Fjala e Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit kishtar ‘A’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, së kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së dielës së 13-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendari liturgjik.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit kishtar ‘A’
Këtë të diele, Ungjilli na propozon një pjesë të fjalimit të Jezusit drejtuar apostujve ndërsa i përgatit për t’i dërguar në mision ( Mt 10,5-42): janë fjalë frymëzuese e udhëzuese për të krishterët e çdo kohe, që janë të thirrur ta dëshmojnë Lajmin e Mirë, Ungjillin në shoqërinë e njerëzve.
Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu ndahet në dy pjesë: e para përsërit thirrjen për të ndjekur pas Jezusit, për të ecur gjurmëve të Tij, pjesa dytë na fton të jemi bujarë, mikpritës: “Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji ..,: nuk do t’i humbë shpërblimi”. Pra, Ungjilli na fton ta ndjekim Jezusin udhës së tij, e ecja gjurmëve të Tij kërkon prej nesh ta bartim kryqin çdo ditë.
Leximi Parë nga Libri Dytë i Mbretërve 4,8-11.14-16 ka në qendër bujarinë dhe mikpritjen, virtytet e gruas fisnike sunamite, e cila e pranoi Elizeun profet në shtëpinë e vet, sepse në të pa dhe njohu një ‘shenjë’ të Zotit. Zoti e bekon atë duke u treguar përmes saj dhurues i jetës!
Leximi Dytë nga Letra shën Palit drejtuar Romakëve 6,3-4.8-11 na kujton thirrjen për të jetuar në “jetën e re” që na vjen prej Zotit përmes pagëzimit. Jeta e re për të krishterit, prandaj ka kuptim që, ashtu siç thotë Shën Pali apostull, me anë të Pagëzimit ta ndjejmë veten të varrosur së bashku me Krishtin, për t’u ngjallur më pas si Ai i Lumi, në një jetë të re. Sepse Krishti, i ngjallur së vdekurish, nuk vdes më. E kështu, edhe ata, që besojnë në Të duhen konsideruar të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Hyjin, në Krishtin Jezus.
Ungjill nga Mateu (10,37-42), pastaj, na tregon se prania e Jezusit, Zot i vërtetë e Njeri i vërtetë, i ndryshon krejtësisht marrëdhëniet njerëzore, të cilat na fton t’i vështrojmë në një dritë të re. Krishti, duke ftuar dishepujt të ecin pas tij, kërkon të ketë përparësi absolute në jetën e atyre që vendosin të shkojnë pas Tij, sepse Ai vjen para të gjithëve, edhe para të afërmeve më të dashur, përfshirë familjarët.
“Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua”, na thotë Jezusi në Ungjill. Kush e humb jetën për shkak të Zotit, do ta gjejë. Ja përse, Jezusi i jep një vlerë të re misionit dhe mikpritjes. Ai shpjegon se kush pranon Krishtin e dishepujt e Tij, pranon Hyjin. E ata, që do t’u japin edhe një gotë të vetme uji dishepullit më të vogël, nuk do ta humbasin kurrë shpërblimin e tyre para Hyjit, në amshim. Ky është premtimi i Jezusit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë 2 Mbr 4, 8-11.14-16
Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve
Një ditë ndodhi që Elizeu të kalojë nëpër Sunam. Ishte aty një grua fisnike dhe kjo e ndali të hajë bukë tek ajo. Që atëherë, gjithsaherë kalonte atypari, kthehej tek ajo për bukë. Ajo i tha burrit të vet: “Me sa shoh unë, ky njeri i Hyjit që kalon shpesh këtupari, është vërtet njeri i shenjtë. Po i ndërtojmë një dhomë në tarracë, po i vendosim në të një shtrat, një tavolinë, një ndenjëse dhe një pishtar, që, kur të vijë tek ne, të rrijë atje.” Një ditë erdhi ai atje, u ngjit në dhomë dhe pushoi aty. Elizeu e pyeti shërbëtorin e vet: “Po ç’dëshiron që të bëj për të?” E Gjiezi tha: “E, mos pyet, nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i moshuar.” Atëherë Elizeu i urdhëroi ta thërriste. Kjo pasi e thirrën, erdhi e qëndroi para derës. Elizeu i tha: “Në këtë kohë, sot një vit, djalin do ta shtrëngosh në parzmën tënde!” Fjala e Zotit
Psalmi 89
Ref: Përgjithmonë do t’i këndoj mëshirës sate, o Zot
——————————————————
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,
brez pas brezi goja ime do të shpalle besnikërinë tënde.
Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”,
në qiell është e themeluar besnikëria jote!
————————————————-
Lum ai popull që di të brohoritë,
që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!
Përherë do të gëzojë në Emër tënd,
e do të mburret në drejtësinë tënde.
————————————-
Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre,
e me hirin tënd rritet fuqia jonë.
Sepse i Zotit është shqyti ynë,
mbreti ynë Shenjti i Izraelit!
————————————-
Leximi i dytë Rom 6, 3-4.8-11
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.
E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. Vdekja e tij qe vdekja njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. Po kështu edhe ju: mbanë veten se jeni të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin! Fjala e Zotit
Aleluja.
Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë;shpallni veprat e madhërishme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
Aleluja.
Ungjilli Mt 10, 37-42
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kush e do atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua! Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë. Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!” Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XIII GJATË VITIT: NUK DO T’I HUMBË SHPËRBLIMI
(2 Mbr 4, 8-11. 14-16; Ps 89 (88); Rom 6, 3-4. 8-11; Mt 10, 37-42)
Në jetën e Shenjtes Faustina Kovalska, tregohet se si, në njëfarë periudhe, Motrat e Kuvendit të saj e kishin lënë të kujdesej për të varfërit që mund të paraqiteshin në dyert e tyre e t’u jepte atyre mikpritjen e përkujdesjen e parë. Një ditë ndodhi që erdhi një i varfër e kjo e mori me shumë dashamirësi dhe e futi në mjediset e kuvendit. Me përvujtëri e dashuri të sinqertë, filloi ta pyeste rreth gjendjes së tij e kështu, pas ndonjë ore, i varfëri u largua shumë i ngushëlluar. Shenjtja Faustina kishte kohë që në jetën e saj kishte vegime shumë të rëndësishme. Jezusi i shfaqej shpesh në ato fillim vite të shekullit XX. Është pikërisht kjo, shenjtëresha së cilës Jezusi i besoi ta porosiste Kishën që të përhapte kultin e Mëshirës Hyjnore. Dhe ja, duke iu kthyer historisë së takimit të saj me atë të varfërin, një ditë më pas, iu shfaq përsëri Jezusi e i tha: «Isha unë ai që erdha dje.» Shenjtëresha e pyeti: «Po përse erdhe ashtu?» E Jezusi: «E lashë qiellin e lavdishëm, sepse doja të rrija me ty përvujtërisht, për ta shijuar më mirë përvujtërinë tënde të madhe.» Me përvujtërinë e mikpritjen e saj, ajo kishte mallëngjyer Zemrën e vetë Zotit.
Në leximin e parë sot dëgjuam se, me përvujtërinë e me mikpritjen e saj, një grua bujare preku zemrën e profetit Elize. E pra, ajo nuk e njihte se ishte profet. Thjesht i dhimbsej kah e shikonte tek kalonte pranë shtëpisë së tyre dhe i kërkoi të shoqit që jo vetëm ta ushqenin në shtëpinë e tyre sa herë që kalonte andej pari, por arritën t’i ndërtonin edhe një dhomë të thjeshtë ku të mund të pushonte. Profeti, kur mësoi se ajo nuk e kishte gëzimin e një fëmije, e thirri dhe i tha: «Në këtë kohë, sot një vit, djalin do ta shtrëngosh në parzmën tënde.» E gruaja kuptoi kështu se, me mikpritjen e saj, kishte mikpritur një njeri të Hyjit.
Jezusi në Ungjillin e sotëm thotë: «Kush e pranon profetin se është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush e pranon të drejtin pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.» Jemi shumë të tunduar ta kuptojmë fjalën «shpërblim» në një nivel vetëm shpirtëror, por gabojmë. Është e vërtetë se nuk bëhet fjalë gjithnjë për shpërblime vetëm materiale, por si materiale ashtu edhe shpirtërore. E kjo për arsyen e thjeshtë se ne jemi njerëz e jo engjëj: engjëjt, meqë janë qenie vetëm shpirtërore, atëherë natyrisht që marrin shpërblime vetëm shpirtërore. Por ne jemi persona shpirtërorë e materialë, prandaj kemi nevojë për të dyja llojet e shpërblimeve.
Prandaj Jezusi nuk dëshiron t’ia zbehë fuqinë fjalëve të Tij që i cituam më sipër. Madje shton edhe: «Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve madje një gotë uji të freskët pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi.» Zemra e Zotit sikur u përmalloka kur shikon mikpritjen mbi tokë, aq më tepër kur mikpritja bëhet në Emrin e Tij.
Një arsyetim logjik na bën të themi edhe se, kush nuk e ushtron mikpritjen, dashka të thotë se humbiska edhe shpërblimet. Kushedi, mbase ngaqë Zoti nëpër shekuj e ka bekuar gjithnjë mikpritjen me shpërblime, në shumë popuj të botës ajo është parë si një vlerë tejet e madhe e si një gjë tejet e shenjtë. Në popullin tonë ekzistojnë shprehje e zakone kaq të bukura, saqë janë të ngulura thellë në vetëdijen e shumëkujt, si përshembull ajo shprehja e njohur që gjendet në kanunin e Lekë Dukagjinit: «Shtëpia është e Zotit dhe e mikut.» Apo ajo tjetra që thotë: «Burri nuk është askund më i dobët se në shtëpi të vet», duke nënkuptuar se, edhe po qe se miku të rëndon me ndonjë fjalë në shtëpinë tënde, je moralisht e detyruar të mos reagosh, pikërisht sepse ai është nën strehën tënde.
Patjetër se virtyti i maturisë nuk duhet shuar asnjëherë, sepse, duke përfituar nga besimi yt tek mikpritja, dikush mund të thurë plane dashakeqe ndaj teje, ndaj familjes sate e ndaj rrethit tënd shoqëror. Edhe Siracidi porosiste në Besëlidhjen e Vjetër: «Nëse do të fitosh një mik, fitoje në provë dhe mos i beso tepër lehtë!» Por kjo nuk do të thotë se duhet të mbyllemi ndaj botës me atë bindjen që shumëkush e ka se, gjoja, sot askush nuk të do më. Vetë Siracidi, që sapo e cituam, thotë pak më poshtë: «Miku besnik, mbrojtje e fortë: kush e gjen, fiton visar. Miku besnik s’mund të çmohet, as s’mund të peshohet vlera e tij.»
Mikpritja është e bukur, është pasuri. Mikpritja ta hap zemrën, t’i pasuron horizontet e jetës e miqtë zihen vetëm duke i mikpritur. E, kështu, mund të kesh «miq të mirë për në kohën e vështirë», siç thotë ajo shprehja tjetër popullore. Bibla tregon se edhe në Izrael ishte zhvilluar një traditë shumë e fortë në mbështetje të mikpritjes. Mbi këtë trung të shëndoshë, të krishterët kanë vazhduar pastaj ta ruajnë vlerën e mikpritjes. Edhe Shën Pali u shkruante të krishterëve: «Ushtroni mikpritjen». Letra e drejtuar Hebrenjve po ashtu shkruan: «Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa e ditur, i pritën engjëjt!» Shën Pjetri në letrat e tij thotë edhe: «Jini mikpritës pa murmurime kundrejt shoqi-shoqit!»
Por nuk është e thënë që mikpritja lidhet patjetër me banesën tënde. Është e rëndësishme të kesh një zemër mikpritëse. Mikpritjen mund ta dëshmosh edhe në rrugë të madhe. Imagjinoje për një çast sikur je vetë i dyti me një shok tëndin e je duke bërë me të ndonjë bisedë të këndshme. Papritmas afrohet edhe një i tretë dhe ndoshta, me të drejtë, të duhet ta ndryshosh rrjedhën e bisedës. Patjetër që ka njerëz të bezdisshëm të cilët përpiqesh t’i nisësh me dy-tri fjalë shpejt e shpejt, por, nëse sistematikisht jemi të prirur t’i nisim ashtu, t’i heqim qafe tipat që nuk na pëlqejnë, do të thotë se zemra jonë është shumë e mbyllur ndaj risisë që mund të na sjellë tjetri. Plus kësaj, nëse me mikun me të cilin po flisje me plot ëndje, nuk arrin ta përfshish në bisedë edhe një të tretë, do të thotë se ka diçka që nuk shkon as në miqësinë me atë mikun tënd. Por, e përsërisim, humbja më e madhe në këtë rast është pasuria që tjetri mund të na sillte. Qoftë edhe pasuri vetëm shpirtërore apo intelektuale, pa hyrë në ato materiale. Të shumtën e rasteve, madje, janë pikërisht ato shpërblimet shpirtërore e intelektuale për të cilat ti e unë kemi më fort nevojë. Edhe këtu mund të themi se «humbi shpërblimi» që ishte përgatitur për ne.
Pastaj, atyre që nisen nëpër botë për të zënë miq të rinj në emër të Tij, Jezusi u garanton: «Kush ju pranon ju, më pranon mua e, kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua.». Garanci që është vërtetuar ndër shekuj.
Megjithatë, ata që duan të nisen në emrin e Krishtit, nuk duhet të harrojnë të shfaqen gjithnjë vetëm nën shenjat e Krishtit, përndryshe ajo garancia të cilën Ai siguronte, nuk do t’i shoqërojë: «Kush e do të atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua.» Ata që do të donin t’i mbanin dy shalqinj në një dorë, këtu do të ndiheshin patjetër keq, sepse Jezusi kërkon një dashuri të pamasë ndaj Tij, dashuri e cila nuk e heq dashurinë për familjarët, por e korrigjon dhe e pastron atë. Dishepullit të Krishtit i kërkohet edhe që të bëhet gati ta mohojë vetveten për dashuri të Tij, por pikërisht kështu ai e fiton vetveten, sepse, kushdo që do të ketë punë me këtë dishepull, do të arrijë të shohë në të, Krishtin Zot.
Ky, pra, është kushti i Jezusit për atë që dëshiron ta ndjekë e ta shpallë Atë. Po iu përmbajt këtij kushti, kushdo që do ta mirëpresë një njeri të tillë, do të mirëpresë Krishtin dhe «nuk do ta humbasë shpërblimin» e kësaj mikpritjeje.
Po ashtu, kushdo që mirëpret dikë, me dëshirën që t’i përngjajë dashurisë së Krishtit që na ka mirëpritur bujarisht të gjithëve në Zemrën e vet, në një formë apo në një tjetër, do të mirëpresë vetë Krishtin.
Dom Dritan Ndoci