Fjala jote, Jezus, farë e shpresës sonë
R.SH. - Vatican News
Shëmbëlltyra e farës, që na propozon Ungjilli i kësaj së Diele nga Mateu (13,1-23) tingëllon si thirrje urgjente për ta dëgjuar Fjalën e Mbretërisë, si ftesë për ta mirëpritur në mënyrë vepruese e ngulmuese. Nga njëra anë Fjala ndeshet me kundërshtarët e me refuzimin e judenjve, nga ana tjetër, mirëpritet nga një grup dishepujsh. Krerët e judenjve i kundërvihen mbretërisë, ngarkuar me dyshime, akuza, kërcënime; të vegjlit e pranojnë plot besim e entuziazëm lajmin e mirë, që premton falje e paqe.
Shëmbëlltyra ungjillore shpjegon kontrastin ndërmjet dështimit të farës në tri tokat e para, e korrjen e ngadalshme, por të begatë në të katërtën. Ungjilltari e rilexon shëmbëlltyrën, për t’i mbushur me besim ata, që e shtrijnë në kohë misionin e Jezusit: e mbjellin papushim farën e Fjalës së Tij.
Lutje frymezuar nga Ungjilli sipas Mateut 13, 1-23
Fjala jote, Jezus, farë e shpresës sonë
Shumë njerëz rreth teje, Jezus,
shumë shpirtra që, larg korpit,
të enden përherë përreth
e nuk largohen
as kur bie muzgu
e dielli shkon me fjetë.
Kërkojnë tokë të re e qiell të ri.
Atëherë të duhet
të hipësh përmbi barkë...
Nga barka kundron zemrat.
Shesh sy që vezullojnë,
që në bebe u ndizen shpresat
si zjarr që kurrë s’u shua.
Por a mjafton ky vezullim
për ta ndërtuar Mbretërinë?
Mjafton ta marrësh këtë farë
që ti e shpërndan me dy duart
ndër brazda të jetës?
Jo, s’ mund të mjaftojë.
Pse fara nuk është bërë
vetëm për tokën!
Eshtë e caktuar
të bjerë në vise e kohë.
Fara ka brenda jetën,
që pritet të shpërthejë.
Ky, fati i saj:
të mungullojë, të çelë filizin e ta rrisë,
larg ferrash, që i marrin frymën
larg drizash, ku struken gjarpërinjtë,
që frytin e helmojnë.
Po fara që s’ sjell fryt
është farë e humbur!
Kështu Fjala Jote, Jezus!
Kur lule s’end e s’pjek fryt,
kur s’mbushet plot me kokrra..
mbetë fjalë pa bukë...
Na mëso, o Zot, ta rrisim
farë e filiz e kalli.
Ta rrisim farën mësona,
edhe ndër gurëzit
e përrojeve të thata:
që të mbushet me kallinj,
për Bukë të sofrës sate!