Kërko

 Vangelo dalla 17 domenica 'A' Vangelo dalla 17 domenica 'A'

Fjala e Zotit e dielës sё 17-tё gjatë vitit kishtar "A"

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Dielës së 17-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalёs sё Zotit e dielës sё 17-tё gjatë vitit kishtar "A"

Fjala e Zotit e dielës sё 17-tё gjatë vitit kishtar "A"

Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është Mbretëria e Zotit, të cilën, kësaj here, Ungjilli i së dielës na e paraqet si thesarin më të çmueshëm,  per të cilin thesar njëherë që gjendet, flijohet gjithçka tjetër për ta pasur. 

E mira më e çmuar për njeriun është urtësia që vjen nga Zoti dhe për të Salomoni është i gatshëm të sakrifikojë mbretërinë e tij (leximi i parë).

Mbretëria e Zotit është një e mirë kaq e jashtëzakonshme saqë meriton përkushtimin e gjithë jetës për ta arritur atë. Në fakt, ajo kërkon një zgjedhje radikale që e drejton gjithë ekzistencën. Asnjë përpjekje nuk është shumë e madhe për ata që shpresojnë ta fitojnë atë; do të jetë një përpjekje e përshkuar nga gëzimi (Ungjilli).

Për të mbështetur shpresën e njeriut dhe për ta orientuar kërkimin e tij drejt Mbretërisë, Zoti ka konceptuar një plan dashurie për të, të cilin ai do ta realizojë gradualisht, por pashmangshmërisht (Leximi i dytë).

Shëmbëlltyrat e pjesёs sё Ungjillit tё kёsaj sё diele të 17-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, nga kapitulli XIII i Ungjillit të Mateut, na flasin edhe një herë Mbretërisë së Qiejve, e kanë si protagonistë një katundar i cili, rastësisht, gjen një thesar të fshehur në arën ku punon dhe një tregtar margaritarësh të çmuar që, si njohës i mirë thesaresh, është në kërkim perlash të kushtueshme; e edhe e gjen një, me vlerë të pallogaritshme. Të dy janë gati të bëjnë çmos për t’i shtënë në dorë këto thesare, të gjetura krejt rastësisht.

Pra zbulimi themelor, që mund të shkaktojë një kthesë vendimtare në jetën tonë njerëzore, duke e mbushur plot me kuptim ёshtë Jezusi. Është Ai, “thesari i fshehur”, ёshtё Ai, “margaritari me vlerë të pallogaritshme”, për të cilin flet Ungjilli, i kësaj së diele të fundme të korrikut, nga Mateu. Pёrmes shёmbёlltyrave ungjillore, nga kapitulli 13-tё i Ungjillit të Mateut, Jezusi, kёsaj radhe, na kujton se “kërkimi” e “flijimi”  janë dy karakteristikat, që krijojnë kushtet për të arritur në Mbretërinë e Zotit, e cila bëhet e pranishme pikërisht në Vetjen e Jezusit. Kështu, Ungjilli i kёsaj sё diele, na fton ta kërkojmë, zbulojmë dhe dëshmojnë me fjalë e me gjeste të përditshme, gëzimin e gjetjes së thesarit të Mbretërisë së Hyjit, domethënë, të dashurisë që na dhuroi Ati, përmes Jezusit.

                                                           Liturgjia e Fjalёs sё Zotit

Leximi i parë (1 Mbr 3, 5. 7-12)

Lexim prej Librit të Parë të Mbretërve

Në ato ditë, në Gabaon, Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha: “Kërko çka do që të jap unë!” Salomoni tha: “E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar. Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit e panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që di të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh?”
Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri dhe Hyji i tha Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’do ta ketë askush pas teje si ti.” Fjala e Zotit!

Psalmi 119 (118)
Ref: Ligji yt, o Zot, është gëzimi im

____________________

Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje,
por tani unë e mbaj fjalën tënde.
Më i mirë është për mua ligji yt
se me monedha ari e argjendi.
____________________

Le të më ngushëllojë, pra, përdëllimi yt
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,
sepse ligji yt është kënaqja ime.
____________________

Oh, sa i dua urdhërimet e tua:
më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.
Nergur i mbaj urdhërimet e tua të gjitha,
e urrej çdo udhë gënjeshtre.
____________________

Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua,
prandaj i mban shpirti im.
Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:
të miturit i bën të urtë.
____________________


Leximi i dytë (Rom 8, 28-30)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi. Fjala e Zotit!

Aleluja, Aleluja.

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,
që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 13, 44-52)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut


Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë. Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. Kur e gjen një perlë me vlefte të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.”
Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.
A i kuptuat të gjitha këto?”
“Po!” – i përgjigjën ata.
E ai u tha: “Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan zotështëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.” Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XVII GJATË VITIT: VISARI I FSHEHUR

(1 Mbr 3, 5. 7-12; Ps 119 (118); Rom 8, 28-30; Mt 13, 44-52)

Në vitin 1839, Papa Gregori XVI shpalli shenjtëreshë Veronika Xhulianin, një rregulltare e lindur në dioqezën e Pezaros, në Itali. Kanonizimi i saj ndodhi më shumë se një shekull pas vdekjes së saj, edhe pse ajo tashmë mbahet si njëra prej misitkeve më të mëdha të historisë së Kishës. Kjo vonesë në kanonizimin e saj ndodhi pikërisht për shkak të hireve të jashtëzakonshme që Zoti i kishte bërë asaj sa ishte gjallë, hire të cilat u desh të shqyrtoheshin mirë nga Kisha, sepse ngjanin si të pabesueshme. Ndër të tjera, ajo mori edhe Hirin e varrëve të Krishtit në trup. Kur vdiq, me kërkesë të ipeshkvit, ia hapën kraharorin dhe vunë re se zemra e saj ishte e shporuar në dy anë, thuajse një heshtë ta kishte depërtuar atë anëpërtej. Ipeshkvi e ndërmori një shqyrtim të tillë për faktin se vetë Veronika thoshte shpesh se zemrën e saj, e kishte të therur anëpërtej nga dashuria. Por, po ky ipeshkv e kishte “përndjekur” Veronikën sa ishte gjallë, duke i imponuar asaj dënime kishtare mjaft të dhimbshme, për të sprovuar dëgjesën e saj. E ipeshkvi i shkruante Selisë Apostolike në Vatikan: «Veronika i bindet urdhrave të mi në mënyrën më të përpiktë (i kishte ndaluar kontaktet me njerëzit e tjerë e deri edhe me motrat e kuvendit; nuk e lejonte të merrte pjesë në lutjen e bashkësisë e as në meshë; e kishin mbyllur për pesëdhjetë ditë në një dhomë si në një burg), por nuk shfaq kurrfarë trishtimi në lidhje me këto mënyra kaq të rënda me të cilat po e trajtoj. Përkundrazi, ajo dëshmon gjithnjë një qetësi të papërshkrueshme dhe një humor mjaft të hareshëm.» E, pjesën më të madhe të zbulesave të saj, e dimë nga një ditar që ajo e shkroi kundër vullnetit të saj, duke iu bindur dëgjesës që i kishte imponuar, pas kalimit të sprovës, pikërisht ky ipeshkëv dhe drejtuesi i saj shpirtëror. Bëhet fjalë për një libër që përshkruan zbulesa vërtet të jashtëzakonshme, ku Jezusi e bënte këtë vajzë të përvujtë të merrte pjesë në vuatjet e Tij për shëlbimin e botës. Sidomos për kthimin e mëkatarëve dhe për lirimin e shpirtrave të Purgatorit. Në lidhje me shpirtrat e Purgatorit, shkruante deri edhe: «Zoti më ka lejuar që të liroj sa shpirtra të dua nga Purgatori.» Ditarit prej 21.000 faqesh i vuri titullin: «Visari i fshehur».

Thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm: «Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë; njeriu që e gjen, e fsheh prapë dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë». Jezusi ishte dashuria e shumë shenjtërve, të cilët, kur e gjetën atë, lanë gjithçka dhe, «plot gëzim», u vunë në ndjekje të Tij. Mistiken që përmendëm, i ati e donte vërtet shumë dhe thuhet se një herë mendoi ta martonte atë. Por ajo i ishte përgjigjur me plot dashuri: «Si mund t’ju bindem, nëse Zoti më do nuse të veten?» E nuk vonoi e hyri në kuvend që në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare.

«Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. Kur e gjen një perlë me vleftë të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.», vazhdon Jezusi në Ungjillin e sotëm. Kur Jezusi thotë fjalën «Mbretëria e qiellit», nënkupton vetveten dhe të gjithë ata që i bashkohen Atij. Jezusi është Perla që, kur njeriu e gjen, është në gjendje të braktisë çdo gjë e të vihet në ndekjen e Tij. E nuk bëhet fjalë për ndonjë ndjekje abstrakte, por për një ndjekje të Jezusit brenda Trupit të Tij Mistik që është Kisha. Aty, në prehrin e Kishës, shenjtërit janë përpjekur që ta shprehnin tërë dashurinë e tyre për Jezusin, sado kundërshtime e shkanduj që mund të kenë gjetur në atë prehër. Ishin të bindur se, kur dikush vihet në ndjekje plot dashuri pas Jezusit, asgjë nuk mund ta pengojë atë të dojë e të shenjtërohet. «Vëllezër, ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan.», thotë Shën Pali sot në leximin e dytë.

Shenjtërit ishin të bindur se është Jezusi thesari që mbartin brenda tyre e jo forca e tyre. Patjetër që, nga ana tjetër, ata ishin të vetëdijshëm edhe se Jezusi nuk mund të bënte asgjë nëse ata, me lirinë e tyre, nuk do t’i hapeshin Atij. Kjo ishte edhe arsyeja për të cilën ata flisnin aq shumë edhe për asketizëm e për vetëmohim. Shën Piu nga Pietrelçina, përshembull, thoshte: «O Zot, çfarë marti­rizimi është tundimi i kërkimit të lavdisë së botës!» «Feja nuk është vetëm të shikosh kah Jezusi, por edhe të shikon sipas mënyrës së Jezusit.», sak­tësonte Papa Françesku e të gjithë ne e dimë se kjo nuk është e lehtë, por shpesh mund të jetë një martirizim i vërtetë. Por është dashuria për Jezusin dhe vetëdija se Ai na vjen gjithnjë në ndihmë në këtë proces shenjtërimi ajo që na shtyn e na jep ngushëllim: «Të gjithë ne jemi enë argjile, të brishtë e të varfër, por në këto enë gjendet thesari i paçmeshëm që mbartim.», shton përsëri Papa Françesku.

Prandaj duhet të kemi shumë kujdes e të mos i mendojmë shenjtërit si njerëz të pagabueshëm. Shenjtja Bernardetë Subiru, së cilës iu shfaq Zoja e Bekuar në Lurdë të Francës në vitin 1858, do të thoshte me shumë urti: «Do të kisha dashur që të shkruheshin difektet e shenjtërve dhe ajo çka ata kanë bërë për t’u korrigjuar; kjo do të shërbente shumë më shumë se sa mrekullitë dhe ekstazat e tyre.» E Shenjtja Terezë e Lizjesë saktësonte pa druajtje: «Unë nuk jam e aftë për virtyte; virtyti im është Jezusi.» «Shenjtërit janë mëkatarë që gjithnjë vazhdojnë të provojnë sërish.», thoshte edhe shkrimtari skocez i shekullit XIX, Robert Luis Stivenson.

Këtu tani besoj mund ta kuptojmë si duhet edhe bukurinë e leximit të parë që dëgjuam sot. Aty tregohet për një ëndërr që sheh mbreti i madh i Izraelit, Salomoni, në të cilën Zoti i flet dhe i thotë se mund të kërkonte prej Tij gjithçka që donte: «Kërko çka do që të jap unë!». E Salomoni, në mes të shumë gjërave që mund të zgjidhte, i drejton Hyjit këtë kërkesë: «Jepi shërbëtorit tënd një zemër që di të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes.» E teksti i shenjtë vazhdon: «Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri Hyjit.» E prandaj edhe Hyji i dhuron një mençuri të jashtë­za­konshme: «Po të jap një mendje të kthjellët e plot kuptim, kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’do ta ketë askush pas teje si ti».

Ky premtim i Hyjit bërë Salomonit u plotësua vetëm me ardhjen e Jezu Krishtit në botë. Salomoni vërtet që mori dhuratë një mençuri të pazakontë, por Bibla nuk kursehet të rreshtojë edhe mëkatet e krenarisë e të lakmisë që e mbërthyen këtë mbret i cili, për t’ia rritur vetes namin, sajoi shumë martesa me mbretër të ndryshëm të botës dhe filloi të jetonte jo vetëm në shthurje por edhe në idhujtari, duke u larguar kështu nga Zoti, i cili i pati treguar aq shumë mirësi. Prandaj Salomonit, sado që iu dhurua mençuria, nuk i mjaftonte vetvetja, por i duhej edhe diçka tjetër, apo më saktë, i duhej edhe Dikush tjetër: i duhej Jezusi. Kështu e kuptojmë fjalën e Jezusit sot në Ungjill që thotë: «Kështu pra, çdo skrib që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit, i përngjan të zotit të shtëpisë që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.» Jezusi po u thoshte bashkëbiseduesve të vet hebrenj se bënin shumë mirë që i besonin urtisë që mësonte Besëlidhja e Vjetër, por nevojitej që t’i hapeshin edhe Urtisë së «Mbretërisë së qiellit», pra Jezusit, nëse donin të arrinin përsomërinë. «Unë nuk jam e aftë për virtyte; virtyti im është Jezusi» kujtojmë se thoshte me thjeshtësi Shenjtja Terezë e Lizjesë.

Mistikja që përmendëm në fillim, Shenjtja Veronika Xhuliani, jo më kot e kishte titulluar Ditarin e saj prej 44 volumesh: «Visari i fshehur». Në fëmijërinë e saj, ajo doli një ditë të mblidhte lule në arë. Papritmas takoi një fëmijë shumë të bukur i cili i tha: «Unë jam lulja më e bukur!» dhe u largua me vrap. Veronika vrapoi pas Tij, por nuk arriti ta gjente. Në vegimet e mëvonshme, Jezusi do t’i tregonte se kishte qenë pikërisht Ai që i kishte folur. Ndoshta kjo është arsyeja përse ndër fjalët e fundit që Veronika thoshte në shtratin e vdekjes ishin: «Dashuria lejoi që ta gjejmë. Dashuria lejoi që ta gjejmë.» E kishte shpenzuar tërë jetën në kërkimin e kësaj «Lule më të bukur» dhe e kishte gjetur Atë.

Të mos kemi frikë nëse duket sikur urtia e Jezusit është më e brishtë se dhuna dhe dinakëria e botës. Koha ka vërtetuar dhe do të vërtetojë gjithçka. «Aleksandri i Madh, Çezari dhe unë kemi themeluar perandori të pafundme. Por nga se vareshin këto krijime gjeniale? Nga dhuna. Vetëm Jezusi ka themeluar një perandori të themeluar mbi dashurinë dhe, ende sot, miliona njerëz janë të gatshëm që të vdesin për të.», thoshte Napoleon Bonaparti, ai që, në një farë pikë të karrierës së tij të bujshme, kishte thënë: «Unë do ta shkatërroj Kishën e Krishtit.» Me sa duket, kur qe i detyruar të mërgonte në ishullin Elbës, i është dashur t’i kthejë mbrapsht ato mendime. Nuk ishte njësoj pera­ndoria e tij me atë të Jezusit, «Visari i fshehur», të Cilin shumë veta e kishin gjetur dhe i ishin vënë pas me gjithë shpirt.

Dom Dritan Ndoci

29 korrik 2023, 09:11