Kërko

Vangelo della domenica XVI 'A'- parabola della zizzania Vangelo della domenica XVI 'A'- parabola della zizzania

Fjala e Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu na paraqet shëmbëlltyrën e grurit e të egjrës, e cila na mëson se Zoti nuk ndërhyn menjëherë, me bujë, në historinë e njeriut. Ka durim. Pret. Por në fund të fundit, e keqja zhduket. Mbretëria e Zotit, për të cilën flet Jezu Krishti, nuk imponohet me forcë, sepse i jep mundësinë njerëzimit mëkatar të shndërrohet nga forca e dashurisë. Historia e njeriut përbëhet nga një përzierje e mistershme e së mirës me të keqen.

R.SH. - Vatican News

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit. Kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 16-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16 gjatë vitit A

Jezusi, në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu, e krahason Mbretërinë e qiellit me një arë gruri, për të na ndihmuar të kuptojmë se brenda nesh është mbjellur diçka e vogël, e fshehur, që gjithsesi ka në vetvete një forcë të pamposhtur jetike. Pavarësisht nga pengesat, fara do të mugullojë. Sythi do të rritet, do të lidhë fryt, e fryti do të piqet. Ky fryt do të jetë i mirë, vetëm në se trualli i jetës do të kultivohet sipas vullnetit hyjnor.

Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu (13,24-43) na paraqet shëmbëlltyrën e grurit e të egjrës, e cila na mëson se Zoti nuk ndërhyn menjëherë, me bujë, në historinë e njeriut. Ka durim. Pret. Por në fund të fundit, e keqja zhduket. Mbretëria e Zotit, për të cilën flet Jezu Krishti, nuk imponohet me forcë, sepse i jep mundësinë njerëzimit mëkatar të shndërrohet nga forca e dashurisë.

Historia e njeriut përbëhet nga një përzierje e mistershme e së mirës me të keqen. Në fushë është hedhur fara e grurit, por mbin edhe egjra. Zoti i lë të rriten deri në fund, për të ndarë pas të korrave, grurin nga egjra.

Shëmbëlltyra ungjillore e grurit të mirë dhe egjrës prek problemin e së keqes në botë dhe vë theksin mbi durimin e Hyjit. Zoti di ta ndajë grurin nga egjra, por pa ngut. Zoti pret, në kundërshtim me ne, që nxitohemi tepër, kur është fjala për të gjykuar, për t’i veçuar shpejt e shpejt ata që na duken të mirë e për t’i shkulur me gjithë rrënjë, të këqijtë, sipas gjykimit tonë njerëzor. Ndërsa Zoti di të presë. Ai e shikon arën e jetës së çdo njeriu me durim e mëshirë. Kështu, Ungjilli nga Mateu na fton të kemi durim dhe të gjitha leximet  biblike të kësaj së diele përshkohen nga optimizmi. 

Leximi i parë nga Libri i Urtisë thekson se Zoti i mëshirshëm nxit çdo njeri, pra edhe armiqtë e Izraelit, drejt ndryshimit të jetës. Hyji gjykon me butësi dhe qeveris me shpirtmadhësi.

Ndërsa në Letrën drejtuar Romakëve, shën Pali Apostull, në Leximin e dytë, pohon se nëse e lemë veten në duart e dobësisë, nuk jemi të aftë ta zgjedhim Zotin. Por edhe duke ecur në errësirën e të tashmes, dimë se Shpirti Shenjt u thotë zemrave tona fjalën e vërtetë e përfundimtare, që na orienton drejt Mbretërisë së Hyjit.       

                                                     Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Urt 12, 13.16-19

Lexim prej Librit të Urtisë

Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë, para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt. E njëmend fuqia jote është parimi i drejtësisë e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave, pra edhe mundesh t’i kursesh të gjitha. Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë, kur s’besohet në gjithëpushtetësinë tënde dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s’të njohin. Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe: pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash. Duke vepruar në këtë mënyrë ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 86

Ti je i mirë, o Zot, e na fal

Ki mëshirë për mua, o Zot,

se gjithë ditën të thërras në ndihmë.

Dëgjoje, o Zot, uratën time,

vështroje zërin e lutjes sime.

 

Të gjithë paganët prej teje të krijuar,

do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot,

dhe do të madhërojnë Emrin tënd,

sepse ti je i madhërishëm e bën mrekulli, ti je i vetmi Hyj.

 

Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm

e i dhimbshëm, i ngadalshëm në zemërim,

plot dashuri e duresë,

shiko mbi mua e ki mëshirë për mua.

 

Leximi i dytë Rom 8,26-17

Lexim prej Letrës së  shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme. E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt – se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Aleluja! Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja! Aleluja!

 

Ungjilli   Mt 13, 24-43

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi. Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. Shërbëtorët iu afruan zotit të shtëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra?’ Ai u përgjigji: ‘Armiku e bëri këtë!’ Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’ ‘Jo – u përgjigj ai – se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin! Lëni të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrëtarëve: ‘Mblidhni më parë egjrën dhe lidheni duaj për ta djegur e grurin mblidheni në drithnikun tim’!”. Mandej u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në lëndë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij”.

U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet të gjithë”. Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra që të plotësohej fjala e profetit: “Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi i botës”. Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.” Ai u përgjigj: “Ai që mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr; kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashënjyesit dhe ata që bëjnë keq, e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka vesh, le të dëgjojë!” Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XVI GJATË VITIT: TI GJYKON ME BUTËSI E NA SUNDON ME NDJESË TË MADHE.

(Urt 12, 13. 16-19; Ps 86 (85); Rom 8, 26-27; Mt 13 24-43)

«Do të jesh ipeshkëv dhe, sapo të mbushësh trembëdhjetë vjet të epikospatit tënd, do të vdesësh martir», i kishte thënë atij në vitin 1928 Shërbëtorja e Hyjit Tereza Neumann e Konnersreuthit, kur kishte shkuar në Gjermani për të kërkuar fonde për ndërtimin e kompanjelit të Gjuhadolit në Shkodër. Aso kohe françeskani Atë Vinçenc Prennushi ishte meshtar e, vetëm në vitin 1936, qe shuguruar ipeshkëv i Sapës. Katër vjet më vonë qe emëruar Arqipeshkëv i Durrësit, ku shërbeu derisa qe arrestuar dhe vdiq ndër burgjet komuniste, pas torturave të papërshkrueshme, në vitin 1949, fiks trembëdhjetë vjet pas profecise së mistikes gjermane. Pas atij takimi me atë grua që mbante varrët e Krishtit në trupin e saj, shpeshherë Atë Vinçenci thoshte: «Do të isha shumë fatlum po të vdisja martir i fesë, por nuk arrij ta mendoj se në çfarë rrethanash.» Me ardhjen e komunizmit dhe me shtrëngimin e dhunshëm që iu bë veçanërisht Kishës Katolike në Shqipërinë e atyre viteve, ipeshkvi i zellshëm e kuptoi se po afrohej realizimi i profecisë. Kur një herë shkuan ta takonin disa motra Saleziane, pasi ai ua kishte refuzuar autoriteteve komuniste kërkesën që ta shkëpuste Kishën Katolike në Shqipëri nga bashkimi me Selinë e Shenjtë, me vetëdije të plotë dhe me lotë dhimbjeje në sy, ipeshkvi u tha motrave: «Jemi në mes të përndjekjes... Do të jemi martirë... Zoti na dhashtë forcën për një gjë të tillë!...»

Gjithnjë më ka bërë shumë përshtypje një detaj i tillë në jetën e këtij martiri, i cili do t’i printe një morie shumë të madhe martirësh të fesë në Shqipërinë e atyre viteve. Me të drejtë secilit prej nesh mund t’i lindte pyetja se si ka mundësi që Zoti e paska parashikuar ardhjen e komunizmit dhe se përse Ai nuk ndërhyri për t’i ndryshuar gjërat?! Shtoji kësaj edhe faktin se parashikime të tilla mund të ngjajnë me një lojë shahu nga ana e Hyjit, i cili i kalon figurat sa andej këndej në një përballje të dhunshme. Por kishte të drejtë Albert Ainshtajni kur thoshte: «Nuk do ta besoj kurrë se Hyji luan lojë zaresh me botën.»

Për shumë njerëz, kjo vonesë e Zotit që të ndërhyjë për ta shkulur të keqen në botë, duket si argumenti më i fortë për të provuar mosekzistencën e Tij, ndërkohë që e pamë se paska pasur njerëz të cilët e kishin kuptuar shpirtin e mesazhit ungjillor, që na mëson se Hyji nuk ndërhyn jo ngaqë nuk ekziston apo ngaqë i shikon me mospërfillje të frikshme shortet e kësaj bote, por ngaqë është Hyj i dashur e i durueshëm dhe ngaqë e merr shumë seriozisht, vërtet shumë seriozisht, lirinë tonë. «Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e sundon me ndjesë të madhe.», thotë solemnisht leximi i parë. Lev Tolstoji, shkrimtari i njohur rus, thoshte: «Hyji ekziston, por nuk ka kurrfarë nguti që të na e bëjë të ditur atë.» «Deri edhe Hyji ka Ferrin e vet: është dashuria e Tij për njerëzit.», shkruante nga ana tjetër (edhe pse me një fare teprie të qëllimshme) romancieri i famshëm brazilian, Paulo Coelho, i cili ishte edhe një katolik i bindur.

Shëmbëlltyra e Ungjillit të sotëm na mëson shumë gjëra. Aq më tepër kur edhe shpjegimin e saj e bën vetë Jezusi, duke na ndihmuar që t’i kuptojmë më mirë simbolikat e personazheve që përmenden aty. Nuk kemi hapësirën këtu që të merremi edhe me thellimin e dy shëmbëlltyrave të tjera që tregon Jezusi, por vetëm me këtë shëmbëlltyrë të parë, e cila, në fakt, ka hapësirë më të madhe në Ungjillin e sotëm. Shëmbëlltyra tregon se si një njeri kishte hedhur farë të mirë në arën e vet, por armiku i tij, natën, kishte mbjellë edhe egj­rën. Kur shërbëtorët deshën ta shkulnin egjrën që kishte filluar të mbinte së bashku me grurin, i zoti i arës ua ndaloi, nga frika se mos, së bashku me egjrën, mund të shkulnin edhe grurin. Vetëm në fund, në kohën e korrjes, do të ndahen përfundimisht gruri nga egjra. E Biri i Hyjit shpjegon në vazhdim: «Ai që mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. Armiku që mbolli egjrën, është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrëtarët janë engjëjt. Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vajë e kërcëllim dhëmbësh. Kurse të drejtët, atëherë, do të shëndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.»

Do të parapëlqenim një Hyj që ngjan me xhindin e llambës së Aladinit, i cili është në gjendje të na plotësojë çdo dëshirë tonën. Edhe pse, në fakt, edhe vetë përralla na thotë se edhe xhindi ishte i kufizuar, ngaqë nuk mund të plotësonte më shumë se tri dëshira. Por edhe nga përrallat shpesh mësojmë ato që duam ne e jo atë që autorët e tyre kanë dashur të na mësojnë. E kështu sillemi edhe me Autorin e Krijimit e të Shëlbimit tonë: shohim në Të jo atë që Ai na thotë e na e dëshmon, por atë që duam dhe presim ne. Përballë se keqes në botë, më parë mendojmë mosekzistencën e Hyjit, sesa të vëmë në punë trurin dhe zemrën tonë për të kuptuar arsyen për të cilën Hyji i lejon ato.

Pikërisht këtë të fundit bën autori i rreshtave që dëgjuam sot në leximin e parë. Dallohet se ato janë rreshta të shkruar nga ndonjë teolog i mirëfilltë i kohës, i cili është përpjekur të nxjerrë disa përfundime, disa mësime, nga heshtja e durueshme e Zotit përballë kufizimeve të kësaj bote dhe përballë së keqes që bëjnë njerëzit. Autori niset nga bindja e palëkundur se po flet me një Hyj që është i Gjithëpushtetshëm: «Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë.» Është një formë shumë e bukur për të thënë atë që ne e themi çdo të diel e të kremte në Meshë: «Besoj në Hyjin, Atin e Gjithëpushtetshëm». E ja cilat janë mënyrat në të cilat Zoti e shpreh gjithëpushtetësinë e vet: «Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe.» E veçanërisht në Jezusin, Birin e Tij, Ati na e ka dëshmuar se Ai «gjykon me butësi e sundon me ndjesë të madhe».

«Duke vepruar në këtë mënyrë, ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se, pas mëkatit, dhuron mundësinë e pendimit.», vazhdon autori i leximit të parë. Janë përfundimet në të cilat ai del, kur mendon për durimin e madh të Zotit. Ai durim e ajo mëshirë, janë mësimi më i fortë për njerëzit që edhe ata të jenë të durueshëm e të njerëzishëm me njëri-tjetrin dhe të shpresojnë gjithnjë në mëshirën e Tij të pakufi. «Në zemrën e çdo njeriu gjendet një boshllëk që ka formën e Hyjit», thoshte i madhi Blejz Paskal. Hyji pret me “ankth” që ne ta vëmë re këtë lloj boshllëku e të mos përpiqemi ta mbushim atë me idhuj të ndryshëm, por t’i lejojmë Hyjin të zërë aty vendin që i takon. Prandaj Hyji pret dhe duron me mëshirë, sepse nuk dëshiron që të shkojë dëm kryevepra e Tij që është njeriu, i krijuar në përngjasimin e Tij.

Por të mos mendojmë se, ndërkohë që pret, Hyji nuk bën asgjë. Në fillim përmendëm mistiken gjermane, Shërbëtoren e Hyjit, Tereza Neumann e Konnersreuthit, e cila kishte profetizuar për martirizimin e të Lumit Imzot Vinçenc Prennushi. Françeskani i dashur i kishte besuar pothuajse menjëherë asaj profecie dhe kishte shumë arsye ta bënte këtë, sepse ajo grua po mahniste Gjermaninë e asaj kohe. E thamë se Tereza Neumann kishte në trupin e vet varrët e Krishtit. Ato i ishin shfaqur asaj qysh në moshën 28-vjeçare, pasi ishte shëruar në mënyrë të mrekullueshme nga një paralizë dhe nga verbësi që e kishin pushtuar prej vitesh. Kur vinte e Enjtja e Madhe, ndodhte çdo vit edhe e njëjta skenë: Tereza hynte në kuptimin e plotë të fjalës, në tregimin e Mundimeve të Krishtit. Fillonin për të vuajtje të mëdha. Ndërkaq, edhe pse ajo kishte bërë vetëm shkollën fillore dhe njihte vetëm dialektin e saj dhe pak gjermanisht, kur hynte në këtë ekstazë të dhimbshme, ajo fliste rrjedhshëm aramaisht, greqisht e latinisht. Fliste dialogjet e mundimeve të Krishtit. Në orën 15.00 të së Premtes së Madhe binte në një gjumë shumë të thellë dhe zgjohej, e freskët, e lumtur dhe me plagët e mbyllura, mëngjesin e së dielës së Pashkës. Krishti i Vdekur e i Ngjallur bëhej dukshëm i pranishëm çdo vit në trupin e kësaj vajze të thjeshtë.

E mrekullia nuk mbaronte këtu, sepse, qysh se mori dhuratën e Varrëve të Krishtit, Tereza nuk hante e nuk pinte më asgjë, por ushqehej vetëm me Kungimin e Shenjtë të cilin e merrte në Meshë çdo mëngjes. Të bindur se kishin të bënin me një mashtruese, si Kisha, ashtu edhe autoritetet vendore, ngrinin komisione që e vizitonin dhe e ruanin atë rreptësisht për ditë e javë të tëra, por të gjithë dilnin në përfundimin se, edhe pse kjo vashë nuk shfaqte kurrfarë problemi mendor, nuk dihej se si jetonte pa u ushqyer. Jetoi ashtu për 36 vjet, deri sa vdiq në moshën 64 vjeçare, në vitin 1962, nga një atak kardiak. Shtoji këtyre edhe fenomene të tjera si të ndodhej në dy vende njëkohësisht, mrekulli e profeci.

Aq famë kishte fituar Tereza saqë kur ushtarët nazistë kujdeseshin t’u çonin bukë fshatarëve të fshtatit të saj, të gjithëve u shpërndanin racionin e bukës që u ishte caktuar, kurse asaj e dinin se nuk duhej t’i jepnin bukë, por sapun, për të larë çarçafët e përgjakur nga plagët që i kullonin gjak pothuajse çdo ditë. Thuhej se edhe Hitleri ishte në dijeni të kësaj gjëje dhe ia kishte drojen profecive që kishte dëgjuar se kishin dalë nga goja e kësaj vajze të thjeshtë. Dukej sikur Jezusi, në çastet kur verbësia e urrejtjes njerëzore po mbillte shkatërrim e vdekje kudo, kishte dashur t’u jepte edhe një herë një shenjë të gjallë kthimi mëkatarëve të mjerë. E çfarë shenjash!

Prandaj edhe në Shqipëri, duke e parë se urrejtja njerëzore kishte plane gjakatare, Hyji u kishte kërkuar disa njerëzve të përvujtë, që të bëheshin shenja të gjalla të pranisë së Krishtit të kryqëzuar (E çfarë shenjash! mund të themi me plot gojë edhe këtu.), me shpresën që ata të mund t’i kuptonin këto shenja e të ktheheshin. Duke kuptuar mënyrën se si sundon Hyji, kishin rast të kuptonin edhe sundimtarët e kësaj bote se si duhej sunduar vërtet.

Por shenjat jo të gjithë pranojnë t’i shohin, sepse nuk duan t’i hapen së vërtetës. Vetëm ai që është në kërkim të përvujtë të së vërtetës, arrin t’i shohë e t’i dëgjojë shenjat e Zotit në histori. Për këtë arsye Jezusi përfundon në Ungjillin e sotëm me fjalët therëse: «Kush ka veshë, le të dëgjojë!»

22 korrik 2023, 11:25