Fjala e Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit kishtar ‘A’
R.SH. - Vatican News
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit kishtar ‘A’
Ungjilli nga Mateu përmes shëmbëlltyrës së mbjellësit që mbjellë farën( 13, 1-23), metaforë e Mbretërisë së Zotit, farë e cila herë bie në gurë a zallinë, herë bie pranë udhës, herë bie në ferra dhe herë tjetër bie në tokë të mirë, në njërën anë, na ndihmon ta kuptojmë forcën e Fjalës së Zotit dhe, në anën tjetër, kushtet e domosdoshme që duhet t’i plotësojmë për ta pranuar e mishëruar Fjalën e Hyjit në jetën e përditshme. Frytet që vijnë nga fara e mbjellë e Fjalës Hyjnore, garantohen nga Zoti, nuk varen nga fara apo nga mbjellësi që e mbjellë farën, por nga cilësia e terrenit, do të thotë nga ne. Jezusi na fton të kemi besim në Fjalën e Hyjit, që sjell gjithmonë frytet e veta, si shiu që nuk kthehet në qiell pa pas lagur më parë tokën.
Në shëmbëlltyrën ungjillore të mbjellësit Krishti krahasohet me farëhedhësin dhe shpjegon se fara është Fjala e Zotit: ata që e dëgjojnë dhe që e pranojnë, sjellin fryte, bëjnë pjesë në mbretërinë e Hyjit, mbeten në botë, por nuk janë më të botës. Kanë në vetvete farën e amshimit, një fillesë shndërrimi, i cili shfaqet që tani në një jetë të mirë, të frymëzuar nga dashuria e krishterë, e cila në fund do të prodhojë ringjalljen e trupit. E ky është pushteti i Fjalës së Krishtit. Zoti nuk na detyron t’i besojmë, por na tërheq me vërtetësinë dhe me dashurinë e Tij, na bën për vete me dashurinë e Tij, sepse dashuria e respekton gjithnjë lirinë tonë.
Jezusi njëjtësohet me mbjellësin, i cili hedh farën e mirë të Fjalës së Zotit dhe vëren me vëmendje frytet që mbledh, sipas truallit a tokёs, domethënë zemrës, e cila e pranon ose jo, farën e mirë, Fjalën e Zotit. Ka nga ata, që e dëgjojnë kalimthi Fjalën, por nuk e pranojnë; të tjerë, e pranojnë në çastin e dëgjimit, por pa forcë shpirtërore, e gjithçka humbet; të tjerë akoma, mposhten nga shqetësimet e joshjet e tё botës; por ka edhe nga ata, që e pranojnë, si toka e mirë, këtu fara jep frytet më të begata.
Ungjilli i kёsaj sё diele nёnvizon edhe metodën e predikimit të Jezusit, pra, përdorimin e shëmbëlltyrave, një zgjedhje e motivuar nga vet Jezusi para ithtarëve të vet me dallimin ndërmjet tyre e turmës: nxënësve, do të thotë atyre që janë përcaktuar për Të, Jezusi mund t’u flas haptazi për Mbretërinë e Hyjit, ndërsa për të tjerët duhet ta kumtoi në shëmbëlltyra, për të nxitur pikërisht përcaktimin e tyre, kthimin e zemrës. Në të vërtet shëmbëlltyrat, për natyrën e tyre që kanë, kërkojnë një përpjekje për t’u interpretuar, interpelojnë inteligjencën por edhe lirinë. Së fundi, ‘Shëmbëlltyra e vërtetë e Hyjit’ është vet Jezusi, Qenia e tij që, në shenjë të njerëzimit, fsheh e njëkohësisht dëfton hyjninë.
Shën Gjon Krizostomi shpjegon se Jezusi i tha këto fjalë me qëllim që t’ua tërhiqte vëmendjen dëgjuesve e t’i nxiste, duke i siguruar se po t’i drejtoheshin për ndihmë, Ai do t’i shëronte. Fjala e Zotit është farë, që duhet pranuar e duhet jetuar, kёtё,pra, na porosit shëmbëlltyra e bujkut, duke na kujtuar sa rëndësi ka ta pranosh e ta jetosh mesazhin e Krishtit, i cili flet me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë, me figura të marra nga natyra e nga ndodhitë e jetës së përditshme.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Is 55, 10-11
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: “Sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e drejtova.” Fjala e Zotit.
Psalmi 65
Ref: Vizitoje tokën tënde, o Zot, dhe bekoji të mbjellat në të
———————————————–
Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit,
e ngarkon me prodhime të begatshme.
Lumi i Hyjit është plot me ujë:
ti bën të rriten drithëra për njerëz!
———————————————–
Tokën ti kështu e përgatit:
hullitë ia lag, bucat ia imtëson,
me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.
———————————————–
E kurorëzon vitin me mirësinë tënde,
gjurmëve të tua rrjedh begatia,
kullotat e shkretëtirës rrijnë njomësi,
mballesat bregoreve ngjeshen me hare.
———————————————–
Livadhet janë të veshura me dhen,
luginat mbulohen me drithëra:
gjithkah këngë e brohoritje me hare!
———————————————–
Leximi i dytë Rom 8, 18-23
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë – jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi – porse njëmend në shpresë. Sepse edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit. Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! Por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin – shpërblimin e trupit tonë. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Fara është fjala e Zotit, mbjellësi është Krishti: kushdo e gjenë atë e ka jetën e pasosur.
Aleluja
Ungjilli Mt 13, 1-23
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hypi në barkë dhe u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg. U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra. Kështu u tha: “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. Disa tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. Kurse disa tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish. Kush ka veshë, le të dëgjojë!”.
Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Pse po u flet me shëmbëlltyra?” Ai u përgjigji: “Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: ‘Mirë do të dëgjoni, por s’do të kuptoni; mirë do të shikoni, por nuk do të shihni. Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja, u bë i rëndë ndër veshë, sytë i janë mbyllur, që të mos shohë me sy, të mos dëgjojë me veshë, që të mos kuptojë shpirti i tyre e të mos kthehen. E unë i kisha shëruar!’ Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! Përnjëmend po ju them: shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.
Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll pranë udhës. E i mbolli në zallinë, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete, pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. E i mbolli në ferra, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbet pa fryt. E i mbolli në tokë të mirë është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton, dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish”. Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XV GJATË VITIT: MBJELLËSI, FARA DHE TOKA
(Is 55, 10-11; Ps 65 (64); Rom 8, 18-23; Mt 13, 1-23)
«Një turmë e madhe ngarendi» tek Jezusi atë ditë kur ai doli prej shtëpisë dhe shkoi e u ul të rrinte buzë detit. Kur i pa, Jezusi vendosi t’u tregonte këtë shëmbëlltyrë, të cilën do të mund ta krahasonim me një pasqyrë, të cilën Ai po ia jepte secilit dëgjues të pranishëm, që kështu të mund ta shikonin vetë gjendjen e zemrës së tyre.
Jezusi fillon të mësojë nga barka mbi të cilën kishte hipur e ishte larguar pakëz në det. E shëmbëlltyra e treguar filloi jo rastësisht me fjalët: «Doli mbjellësi për të mbjellë.» Vetë Jezusi ishte mbjellësi, Fjala e Tij ishte fara, turmat ishin toka. Lum sytë e tyre se kë po shihnin e lum veshët e tyre se kë po dëgjonin. Jezusi vetë nuk vonoi t’ua thoshte këtë e të shtonte: «Shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.»
Janë bërë shumë komente rreth shëmbëlltyrës që Jezusi tregoi e shpjegoi atë ditë. Ka kaq shumë për të medituar rreth saj, saqë shpesh organizohen tërheqje shpirtërore e deri edhe ushtrime shpirtërore që zgjasin me ditë të tëra rreth kësaj pjese. Shkaku i gjithë kësaj është ajo që thamë në fillim: se, pra, kjo pjesë ngjan me një pasqyrë të cilën Jezusi na e vë përpara ndërgjegjes sonë.
Por të përpiqemi të kapim thelbin e gjithë kësaj shëmbëlltyre me shpjegimin e bërë nga vetë Jezusi. Kjo shëmbëlltyrë gëzon në mënyrë të veçantë privilegjin që të jetë njëkohësisht tejet e thjeshtë, por edhe kaq e thellë.
Së pari, të bën përshtypje fakti që mbjellësi duket shumë i shkujdesur. Në fakt aty thuhet se ai e hidhte farën kudo: në tokë të mirë, në ferra, në zallinë e madje edhe pranë udhës. Cili mbjellës nuk do ta qortonte një shpërdorim të tillë të farës? Por të gjithë ne e kuptojmë menjëherë se çfarë nënkupton ky detaj: tregon se Fjalën e Tij Hyji nuk e kursen asnjëherë: Ai i flet si të drejtit, ashtu edhe të padrejtit, si të dëgjueshmit ashtu edhe të të padëgjueshmit, si shenjtit ashtu edhe mëkatarit më të madh. Hyji nuk kursehet, por flet. Flet me të gjithë.
Së dyti të bën përshtypje se si Jezusi turmës i fliste me shëmbëlltyra, ndërsa nxënësve të vet ua shpjegonte ato të gjitha veçmas. Është njëra prej shumë mënyrave me të cilat Jezusi tregon vullnetin e Tij për të lënë në tokë disa njerëz që e përfaqësojnë atë, pra njerëz të cilët do t’ua “shpjegojnë” turmave Fjalën e Hyjit. Kështu neve na duhet ta dimë e ta besojmë se ekziston një autoritet kishtar, i cili na mëson se si duhet t’i kuptojmë pjesët e ndryshme të Shkrimit Shenjt, të cilat nuk mund të shpjegohen në mënyrë arbitrare prej të gjithëve, apo «sipas trillit të kujtdo», siç thotë Shën Pjetri në letrat e veta.
Së treti, pastaj, vëmendjen na e tërheqin kategoritë e ndryshme të cilat Jezusi i përshkruan në shëmbëlltyrë. Duke folur për kategoritë e terreneve mbi të cilët bie fara, Jezusi flet për kategoritë e ndryshme të dëgjuesve të Fjalës së Tij.
Le t’i marrim me radhë këto kategori.
«Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’.» Duhet ta besojmë se ekziston i Keqi, djalli, mashtruesi i vjetër. Shën Injaci i Lojolës e quante armiku. Ai tundon, gënjen, josh, manipulon, motivon me qëllime të tjera, në dukje të larta, por që atij i mjaftojnë për ta shmangur njeriun nga vullnesa e Zotit dhe nga Fjala e Tij shëlbuese. Gjithë këtë ai e arrin me ata të cilët jetojnë në tokë e shkelmuar, sikurse e tillë është toka pranë udhës. Puna e të Keqit është më e lehtë aty ku njeriu është i shkelmuar nga veset e ndryshme, nga ideologjitë dashakeqe, nga egoizmi i pakufi. Ai, i Keqi, bën çmosin që Fjala e Hyjit në ato realitete të mos hyjë aspak. Edhe kur hyn, ai vjen menjëherë dhe përpiqet ta shkulë atë dhe njeriut ia «rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër», edhe pse, në fakt, na mbetet gjithnjë në zemër një farë lirie për ta pranuar kurdoherë Fjalën e Hyjit, sado të zhytur që mund të jemi në mëkate. Por, mjerisht, njeriu mundet të vazhdojë të zgjedhë të jetë i shkelmuar nga veset dhe nga egoizmi e këtu i Keqi ka dorë më të lirë pastaj.
«I mbjelli në ‘zallinë’ është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete, pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë apo salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin.» Është rasti i të mos pasurit një “shtyllë kurrizore”, i mungesës së qëndrueshmërisë. Nuk e kemi idenë se sa shumë na duhet të punojmë me veten tonë për të “ngulur pak rrënjë”. Shpeshherë mbase Zoti na lejon të biem në tundime të ndryshme pikërisht për të na bërë ta shohim me sytë tanë se sa të paqëndrueshëm e të parrënjë jemi. Kështu e prekim me dorë se, ajo që ne e quanim fe, ishte thjesht një autosugjestion. E shohim se deri tani paskemi qenë të mbushur vetëm me koncepte, me fraza, por jo me fe të gjallë e me bindje. Sa shumë herë qëllon që dëgjimi i Fjalës së Zotit fillimisht na bën të fluturojmë në qiellin e shtatë, por, kur ndeshemi me ndonjë provë, me ndonjë frikë apo me ndonjë kërcënim të jetës, zhgënjehemi dhe menjëherë bëjmë zgjedhjet që bënim gjithmonë kur nuk besonim, zgjedhje që janë shumë larg fjalës së Zotit.
«E i mbjelli ‘në ferra’ është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt.» Mes atij që nuk kujdeset aspak për jetesën e përditshme dhe atij që kujdeset me tepri për të, unë do të pëlqeja më fort këtë të dytin, por edhe kjo paska rreziqet e veta. «Kujdeset e tepruara të kësaj bote» janë si puna e atyre sirenave mashtruese nëpër përralla, të cilat nuk vonojnë e ta gllabërojnë mendjen e zemrën, duke të shtyrë që të bësh zgjedhje të dëmshme të cilat, pak nga pak, të çojnë larg vetvetes, larg dashurisë e përzemërsisë me të tjerët e, shumë shpejt, edhe larg Hyjit. Kështu, kujdesi i tepruar, «ia merr frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt». Fjala kishte zënë vend në zemër dikur, por tashmë asaj i është «zënë fryma». Të njëjtën logjikë mashtruese si «kujdesi i tepruar i kësaj bote» ndjek edhe «gënjimi i pasurisë».
«E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqind fish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.» Të bën të mendosh fakti se, për Jezusin, nuk ka fort rëndësi se sa fish jepet fryt, por që të jepet sadopak fryt. Nëse feja hyn në jetën tonë të përditshme, në zgjedhjet tona, ajo do të japë fryte patjetër, diku më shumë e diku më pak. Sasia nuk është përgjegjësi e jona, sepse varet nga dhuratat që Zoti i ka dhënë secilit prej nesh. Përgjegjësi e jona qenka vetëm fryti, pra bashkëpunimi me Zotin.
Toka e mirë: gjithnjë do të ketë tokë të mirë, gjithnjë do të ketë njerëz që i hapen Fjalës së Hyjit dhe që e bëjnë atë të japë fryte. Prandaj Hyji nuk shkurajohet kurrë e nuk e ka problem të tregohet i shkujdesur me hedhjen e farës, sepse e di se diku ajo do të mbijë, do të ngulë rrënjë e do të japë fryt. Leximi i parë na tregon këtë siguri të Hyjit: «Fjala ime, që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt.»
Le ta meditojmë secili prej nesh në vetmi e në heshtje këtë shëmbëlltyrë! Kështu do të kuptojmë se çfarë toke jemi dhe se cilës kategori i përkasim. Kjo pasqyrë e dhuruar nga Jezusi, do të na ndihmojë më së miri në shqyrtimin e ndërgjegjes sonë.