Fjala e Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘A’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, kësaj here meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘A’
Në liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj të diele të na propozohet përsëri tema e dashurisë ndaj më të fundmëve, të mbramëve të shoqërisë. Shfaqja e Zotit nuk është një manifestim i fuqisë, por i afërsisë, besëlidhjes, solidaritetit me njeriun dhe veçanërisht me njerëzit më të vegjël e më të nëpërkëmbur.
Edhe vetë paradoksi i krishterimit është pikërisht ky: shpëtimi i Zotit kalon nga më të vegjëlit, të varfërit, të cilëve u zbulohet misteri i mbretërisë së Hyjit, i fshehur për ata që besojnë se janë të mençur dhe të fuqishëm.
Leximi i parë nga Libri i Zakarisë profet shpall në mënyrë solemne shfaqjen e Mesisë në Jerusalem dhe dhuratën e paqes që ai i sjell mbarë botës. Liria që kemi fituar në Krishtin, thotë leximi i dytë nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, është vepër e Shpirtit: Shpirti Shenjt na bën pjesëmarrës në jetën e Jezu Krishtit.
Ungjilli i Mateut na përsërit fjalët e Jezusit: 'ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh'. Jezusi paraqitet zemërbutë dhe i përvujtë, ai nuk imponon ndonjë barrë dërrmuese, por bashkohet me ne gjatë udhëtimit të jetës për të na udhëhequr drejt Atit tonë në Qiell. Pasi na ka treguar për marrëdhënien intime mes tij dhe Atit, Jezusi e paraqet veten si zemërbutë dhe të përvujtë: ikonë, shembull për t'u imituar dhe gurrë prehjeje dhe gëzimi.
Liturgjia e Fjalës
Lexim prej Librit të Zakarisë profet (9, 9-10)
Kështu thotë Zoti: “Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! Ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvuajtur e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit! Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi. Do të copëtohet barku i luftës. Kombeve do t’u shpallë paqen. Sundimi i tij prej detit në det, prej lumit në skajet e tokës!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 145
I bekuar je ti, o Zot, Mbret i përvuajtur i lavdisë
Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
dhe do ta bekoj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës.
Çdo ditë do të të bekoj,
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd.
Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Le të lavdërojnë, o Zot,
të gjitha veprat e tua,
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë
sate, le të kuvendin për pushtetin tënd.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve (8, 9.11-13)
Vëllezër, ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
ALELUJA, aleluja.
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (11, 25-30)
Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve.
Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu.
Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë. Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë, që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.” Fjala e Zotit! Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XIV GJATË VITIT: MERRNI ZGJEDHËN TIME... UNË DO T’JU ÇLODH!
(Zak 9, 9-10; Ps 145 (144); Rom 8, 9.11-13; Mt 11, 25-30)
«Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh!». «Ejani» thotë Jezusi e ne të gjithë jemi gati ta ngrejmë dorën e të themi: «Po vij edhe unë, edhe unë, edhe unë». Kjo sepse secili prej nesh, në një masë apo në një tjetër, e ndiejmë se kemi nevojë për çlodhje, ngaqë, në një formë apo në një tjetër, e ndiejmë se na rëndon mbi shpatulla ndonjë barrë e rëndë.
I godituri nga pikëllimet e vdekjet, do të strukej në prehrin e Jezusit për të lypur pak ngushëllim; i dërrmuari nga sëmundjet do të kërkonte shërim; i përndjekuri në trup e në shpirt nga padrejtësitë e ndryshme, do të lypte drejtësi; ai që kërkon disa përgjigje në jetë, mungesa e të cilave nganjëherë turbullon e shkakton edhe ankth jo më pak të rëndë se ato që përmendëm më sipër, do të kërkonte pak dritë; mëkatari do të dëshironte ta mbështeste kokën në prehrin e Jezusit për t’u ndierë edhe një herë i falur, i dashur, i pastër... E kështu të gjithë me radhë.
Por, në Ungjillin e sotëm Jezusi vazhdon me këto fjalë: «Merrni mbi vete zgjedhën time!» Është shumë domethënëse një fjali e tillë, sepse duket sikur Jezusi vë në kundërshtim me njëra-tjetrën barrën e rëndë që na lodhte më parë dhe zgjedhën e Tij, e cila sjell çlodhjen. Si të thoshte se shkaku i lodhjes sonë gjendet në faktin se mbartim pesha të cilat nuk na janë dhënë prej Tij.
E kjo është e vërtetë. Duke iu drejtuar edhe një herë rasteve që përmendëm më sipër, mund të ndodhë që, ai i cili është i goditur nga pikëllimi i vdekjes, të lodhet tepër ngaqë po e përballon vdekjen ashtu si nuk na ka mësuar Krishti, duke e harruar shpresën e krishterë. I sëmuri, edhe pse nuk bën gabim që i kërkon Jezusit shërim, gjithsesi nuk duhet ta lërë mënjanë mundësinë që, nëpërmjet asaj sëmundjeje, Zoti mund të ketë në plan të arrijë rezultate të tjera për shëlbimin e vetë të sëmurit dhe të botës. Ai që pëson padrejtësi, duhet ta dijë se nuk është zgjedhë e Krishtit të shtrydhet e të ndrydhet nga zëmërimi për të keqen e pësuar. Kjo është barrë e jona. Zgjedhë e Krishtit është largpamësia, zemërgjerësia, maturia, lutja për atë që të përndjek dhe falja. Këto na bashkojnë me Krishtin, ato të tjerat jo. Apo ndoshta nuk e kemi fort për zemër dëshirën për t’u bashkuar me Të?
Mëkatari, duke vrapuar te Krishti, të jetë i sigurt për faljen e Tij. Por duhet të ketë kujdes dy gjëra: së pari, të mos e mbajë kokën pas në të kaluarën e tij duke e qarë pandërprerë mëkatin e vet, sepse kjo nuk është zgjedha e Krishtit. Krishti do të dëshironte vrullin drejt së mirës dhe drejt bashkimit me të. Së dyti, njëkohësisht, të mos e harrojë mëkatin e vet: kjo do ta ndihmojë të jetë i vetëdijshëm për dobësinë e tij, do ta ndihmojë të jetë i përvujtë, të jetë i mëshirshëm me mëkatarët e tjerë, vigjilent për rastet e tjera dhe ta falënderojë Zotin që i ka dhënë Hirin e largimit nga ajo rrugë ku ishte nisur.
Vazhdon Jezusi: «Pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë!» Besoj se kemi arritur në zemrën e leximeve të sotme. Në leximin e parë, Zoti thotë nëpërmjet profetit Zakari: «Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! Ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvujtë e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit». Gomari në atë kohë ishte “mjeti i transportit” për të varfërit, ndërkohë që, për të pasurit ishin kuajt e karrocat. Prandaj edhe teksti vazhdon kështu: «Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi.» Pra: do të lihen mënjanë shenjat e madhështisë e do të parapëlqehen ato të përvujtërisë. Në hyrjen e tij kremtore në Jerusalem, Jezusi zgjodhi pikërisht një gomar për të hipur mbi të. Teksti i leximit të parë, pra, na tregon se Hyji ynë është Hyj i përvujtë. Këtë përvujtëri të veten Ai na e ka treguar duke u bërë njeri i varfër, i thjeshtë dhe i lehtë për t’u takuar. «Zoti është vetë butësia e mëshira, / i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri. / Zoti është i mirë për të gjithë, / i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.» brohoret, i gëzuar, psalmisti në psalmin e sotëm.
Është shumë e rëndësishme që edhe ne të jemi të përvujtë. Nëse duam të takojmë atë që është i Përvujti absolut, duhet që edhe ne ta kemi përzemër përvujtërinë. Nëse jemi plot me vetveten, plot me egoizëm, nuk do të dimë të biem kurrë në sintoni me Hyjin tonë të përvujtë. Këtë na e dëshmon edhe fillimi i Ungjillit të sotëm, ku Jezusi brohoret: «Po të bekoj, o Atë, Zotëruesi i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit e ua zbulove të vegjëlve. Mirë, o Atë, pse ty të përlqeu kështu!». Para se të shqiptojë këto fjalë, Ungjilli i Mateut tregon se si Jezusi ishte duke folur për nevojën e kthimit kah Hyji, për nevojën e kapjes së shenjave të pranisë së Hyjit në jetën e botës dhe për shëlbimin e amshuar që kjo sjell. Por ata që mbahen si të mëdhenjtë e kësaj bote, nuk e vrasin mendjen për këto gjëra. E pra, për jetën e pasosur duhet menduar seriozisht. «Qëllimi i jetës së njeriut është të shohë Hyjin në Parajsë.» theksonte pa frikë në shkrimet e tij Shën Toma i Akuinit, teolog e filozof absolutisht i madh, që vetëm në këtë të vërtetë e shihte të realizuar njeriun.
Ka shumë njerëz në këtë botë që dijnë të bëjnë biznes, dijnë të bëjnë politikë, të fitojnë para andej e këndej, të njohin në hollësi se si funksionojnë ligjet e natyrës e të kozmosit, por që shpërfillin të jenë të përvujtë, të thjeshtë, njerëzorë. Janë të kapur kaq fort pas këtyre ideve, saqë kujtojnë se në to do të gjejnë kuptimin e jetës. Por janë tepër të mjerë, sepse kuptimi i jetës së njeriut gjendet në diçka tjetër, në bashkimin e lum me Hyjin në Parajsë.
Gjëja që është edhe më e madhe e që duhet të na bëjë të mendojmë shumë, është se vetë Hyji u fshihet këtyre njerëz, e shkon e u zbulohet të vegjëlve, të thjeshtëve, të përvujtëve: «I fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit e ua zbulove të vegjëlve.» Ah, sikur këta njerëz t’i ruanin të gjitha ato aftësi të bukura, por duke mos harruar përvujtërinë, sa shumë do të merrnin nga Hyji!
«Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj.»: vetëm kështu njeriu gjen pushim. Po kur do të na mbushet mendja se pushimin njeriu (duke filluar qysh në këtë jetë) do ta gjejë vetëm kur të fillojë të pëlqejë gjërat e përvujta më fort se madhështitë?
Vazhdon Jezusi: «Sepse, vërtetë, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.» «E ëmbël». Një ndër shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt, që marrim në krezmim, është edhe dhurata e urtisë. Kjo nuk ka për qëllim që të na bëjë më të mençur se të tjerët në aspektin njerëzor, por na bën të aftë të ndiejmë kënaqësi në gjërat e Hyjit. Na bën ta shijojmë Hyjin. Kur dëgjojmë Fjalën e Tij, kur bëjmë vullnesën e Tij, kur marrim sakramentet me devocion, kur përqeshemi apo përndiqemi se i kryejmë të gjitha këto: në të gjitha na shoqëron njëfarë kënaqësie, një farë ëmbëlsie në shpirt. Është Shpirti Shenjt që, zgjedhën e Krishtit, na e bën të ëmbël. Prandaj Shën Pali, në leximin e dytë, thotë: «Vëllezër, ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por në atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banoni në ju.» Në disa shenjtër, kjo shije e ëmbël prekte edhe shqisat trupore. Shën Françeskut të Asizit i ndodhte deri edhe që të lëpinte buzët kur përmendte emrin e Jezusit, kaq ëmbëlsi i shkaktonte në shpirt e në trup një gjë e tillë.
«E lehtë»: po, sepse është zgjedha e Tij e jo barra e jonë. Kur Ai na jep zgjedhën e vet, na jep edhe Hirin që ta mbartim atë, aq sa të na duket deri edhe e lehtë. Të martuarit e kanë më «të lehtë» martesën dhe të qenit prindër, ngaqë Hiri i martesës, i dhënë atyre në sakrament, fillon të veprojë e nuk resht kurrë së vepruari. Të kushtuarit do të kenë «të lehtë» kushtimin e tyre ngaqë Hiri, të cilin Hyji e përgatit pikërisht për ta, do t’u vijë në ndihmë. E pastaj, edhe në jetën e përditshme, në varësi të detyrave që na duhet të marrim përsipër, ekziston edhe një hir i posaçëm që lehtëson dhe ëmbëlson gjithçka, edhe pse, patjetër, nuk na e zëvendëson shpirtin e sakrificës e të përkushtimit që duhet ta kemi gjithnjë.
Pastaj ka edhe shembuj të tjerë tejet të fortë që tregojnë se deri në ç’pikë Krishti mund ta bëjë «të lehtë zgjedhën e tij». Në vitin 1535, Shën Tomë Mori, ministri i famshëm i mbretit anglez Enriku VIII, qe dënuar me vdekje ngaqë nuk pranonte të mohonte primatin e Papës në Kishë. Në çastet kur po e ngjitnin në podiumin e gijotinës ku do t’i pritej koka, ai i kishte thënë me humor xhelatit që po e shoqëronte: «Më ndihmo të ngjitem, se për të zbritur do të zbres vetë.» Duke ia lejuar vetes pak fantazi këtu, mund ta imagjinojmë lehtë xhelatin se si nuk arrin ta kuptojë domethënien e një kërkese kaq të çuditshme e cila, në fakt, nuk kishte asnjë kuptim tjetër përveçse të ishte thjesht një batutë humori. Një batutë humori... në ato çaste!
Ta lusim, pra, Jezusin dhe ta lejojmë Atë që të na e «mësojë» edhe ne përvujtërinë e Tij. Ta pranojmë në këtë jetë «zgjedhën e Tij» e të mos i ngarkojmë vetes zgjedha që nuk janë të Tijat. Kështu, Ai do të na japë «pushim për shpirtrat tanë» e... do të na «çlodhë».
Dom Dritan Ndoci