Kërko

Fides, një video tregon historinë aktuale të Kishës në Mongoli

Reportazhi bazohet në kujtimet e kardinalit Sepe, i dërguar i Gjon Palit II në fillim të viteve 2000 për të vizituar vendin aziatik, ku u takua me meshtarin e ri, Atë Giorgio Marengo, sot kardinal dhe prefekt apostolik në vend

R.SH. / Vatican News

Pafundësi stepash, kuaj të egër që vrapojnë në tufa dhe një kishë që në fillim të shekullit të 21-të ishte ende filiz i brishtë. Kujtesa e kardinalit Crescenzio Sepe kthehet mbrapa në kohë e ai nis e flet e kujton shtegtimin në vendin e largët, që i ka mbetur në zemër si përvojë e paharrueshme. Vijon, kështu ta kujtojë Mongolinë, të cilën e vizitoi dy herë. Së pari, në  vitin 2002. Së dyti, më 2003, si i dërguar i Gjon Palit II. Kardinali Crescenzio Sepe nis e tregon historinë e shtegtimit të tij në këto vise të serta, duke e shoqëruar tregimin me pamjet e një video-je, realizuar nga Teresa Tseng Kuang yi në emër të Agjencisë Fides, e cila ka nisur një seri programesh në Mongoli, ku do të shkojë Papa nga 31 gushti deri më 4 shtatorin e ardhshëm.

Kisha në shkretëtirë

Në cilësinë e prefektit të Kongregatës së atëhershme të Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Sepe kishte me vete në udhëtimin e tij të dytë një letër nga Papa Wojtila, i cili donte të shkonte personalisht në Mongoli, por nuk mundi, i penguar nga shëndeti i ligështuar. Dhe kështu ngarkoi kreun e Propaganda Fides që të zëvendësonte “sytë dhe shpirtin e tij baritor në një vend ku të krishterët ishin një grup i vogël”- ndërsa sot numërojnë rreth 1,450 të pagëzuar. Kardinali Sepe kujton edhe "marrëdhëniet e shkëlqyera" që pati gjithnjë me autoritetet në Ulaanbaatar, udhëtimet e tij të gjata me makinë në mes “të askundit”, duke soditur natyrën e jashtëzakonshme e, në veçanti, udhëtimin e asaj dite përgjatë shkretëtirës së Gobit për të arritur në bashkësinë e vogël katolike, të themeluar nga misionari i ri i Zojës Ngushëlluese, Atë Giorgio Marengo, të cilin e pyeti “si jeton në një vend kaq larg  të afërmve?” - për të marrë përgjigjen: “njerëzit këtu më duan".

Në pritje të Françeskut

Sot Giorgio Marengo, 49-vjeçar, është kardinal, prefekt apostolik në Mongoli dhe pasardhës i Imzot Wenceslao Padilla-s, misionarit filipinas të Kongregatës rregulltare të Zemrës së Papërlyer të Marisë, që ndërroi jetë në 2018 e që kardinali Sepe e pati shuguruar pikërisht në shtegtimin e  2003. Në video, nënvizon agjencia e lajmeve Fides, flasin edhe gratë, që vijojnë të punojnë në serrën e madhe për prodhimin e perimeve, një nga veprimtaritë e para të nisura nga bashkësia kishtare e sapolindur, për t’i ndihmuar qindra familje të hanë ushqim të mirë, që u pëlqen të gjithëve, si gjest bamirësie”. Njëmbëdhjetë minuta, për të treguar historinë e kohëve të fundit të Kishës Mongole, në pritje që vizita e Françeskut ta pasurojë me një kapitull të ri!

21 korrik 2023, 11:13