Kërko

Ndjesa e Asizit 2022, Porciunkola, në Shën Marinë e Engjëjve Ndjesa e Asizit 2022, Porciunkola, në Shën Marinë e Engjëjve 

Festa e Ndjesës në Asizi, rast për vëllazërim dhe mëshirë

Edhe sivjet, si tetë shekuj më parë intuita e Shën Françeskut, ngjarja i mbledh përsëri shtegtarët nga e gjithë Italia e më gjerë në qytetin Umbrian. Hapja, më 1 gusht, me Meshën e kryesuar nga At Fusarelli, epror i përgjithshëm i Urdhrit të Fretërve të Vogël; me datën 2, kremtimi i kardinalit të ardhshëm Pizzaballa, patriark latin i Jeruzalemit. Në program, edhe Marshimi françeskan si dhe ngjarje dhe shfaqje të tjera

R. SH. - Vatikan

Siç ka ndodhur çdo vit, që prej tetë shekujsh, Festa e Ndjesës do të kremtohet në Asizi më 1 dhe 2 gusht. Të kremten ia kërkoi Zotit vetë Shën Françesku, për t’i "çuar të gjithë në Parajsë" dhe e krijoi Papa Honori III, sipas njoftimeve që kemi nga burimet françeskane. Ndër to lexojmë se Shenjti, një natë të vitit 1216, i përhumbur në lutje, në Porziuncola, u befasua nga një dritë shumë verbuese! “Pa, mbi altar, Krishtin dhe Nënën e tij, të rrethuar nga një mori engjëjsh". Ngjarja, si gjithmonë, do të ishte një mundësi për ta rijetuar Mëshirën e Zotit përmes sakramentit të Rrëfimit, Kungimit, gëzimit dhe vëllazërisë.

Shtegtarë nga Italia, e jo vetëm…

Çdo vit mijëra shtegtarë dynden nga vise të ndryshme italiane e më gjerë për të marrë pjesë në dy ditët, organizuar nga Fretërit e Vegjël dhe Dioqeza e Asizit, gjatë të cilave do të jetë e mundur të përfitohet ndjesa e plotë.

Programi

Festa do të nisë më 1 gusht me hapjen e Kremtimit Eukaristik, kryesuar, në orën 11, nga At Massimo Fusarelli, ministër i përgjithshëm i Urdhrit të Fretërve të Vegjël. Do të përfundojë me procesionin e "Hapjes së Ndjesës", të quajtur kështu, sepse nga ai çast - d.m.th. nga ora 12 e mesditës së 1 gushtit deri në mesnatën e datës 2 – ndjesa e plotë e Porziuncolës shtrihet në të gjitha kishat françeskane të përhapura në mbarë botën. Në orën 19, Mbrëmësoret e Para do të kryesohen nga Imzot Domenico Sorrentino, ipeshkëv i Asizi - Nocera Umbra - Gualdo Tadino e Foligno. Do të ndjekë dhurimi i kemit nga kryebashkiakja e Asizit, Stefania Proietti. Mbrëmësorja tradicionale e lutjes do të nisë në orën 21.15, kryesuar nga Fra Sergio Lorenzini, provincial i Fretërve të Vegjël Kapuçinë të Provincës Picena.

Më 2 gusht do të jetë e mundur të merret pjesë në kremtimet e shumta eukaristike solemne. Mesha e orës 11.30 do të kryesohet nga kardinali i ardhshëm, atë Pierbattista Pizzaballa, patriark latin i Jeruzalemit.

Marshi Françeskan

Duke nisur nga ora 14.30, të rinjtë dhe familjet e Marshimit të 41-të Françeskan, titulluar “Sot do të jesh me mua në Parajsë”, të ardhur nga të gjitha trevat e Italisë dhe nga disa vende të huaja, pas një shëtitjeje njëjavore, do të kalojnë portën e Porziuncolës. Provinciali i Fretërve të Vegjël i Umbrias dhe Sardenjës, At Francesco Piloni, do të kryesojë në   orën 19:00 Mbrëmësoren Solemne të Ndjesës. Gjatë dy ditëve të festës, Bazilika do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë ditës, për t’u krijuar shtegtarëve mundësinë të rrëfehen (nga ora 7 deri në 19). Në Sheshin e Bazilikës, ndërkaq, do të ketë dy shfaqje, korniza artistike të kremtimeve liturgjike të Bazilikës. Të gjitha ngjarjet dhe festimet kryesore do të mund të ndiqen drejtpërdrejt në Web TV të faqes www.porziuncola.org, nga kanali social Facebook dhe YouTube "Frati Minori Assisi.

31 korrik 2023, 15:11