Kërko

Katolke indiane në lutje Katolke indiane në lutje  (ANSA)

Feja e palëkundur e të krishterëve indianë në Odisha, përballë linçimit dhe torturës

Bashkësitë vendase në rrethin e Kandhamal, skenë e dhunës së ashpër në vitin 2008, mirëpritën me gëzim lajmin e krijimit të një Komisioni vatikanas për martirët dhe dëshmitarët e rinj të fesë, me rastin e Jubileut të 2025-ës.

R. SH. - Vatikan

E dëshmuan fenë në mes të dhunës dhe persekutimit, e disa dhuruan edhe jetën! Të tjerët, duke duruar poshtërimin dhe torturën me butësi ungjillore e, më pas, duke i falur vrasësit! Kjo është përvoja e të krishterëve në shtetin e Odishës (ish-Orisa), në Indinë lindore, ku në vitin 2008 u krye ajo, që organizatat e të drejtave të njeriut e quajtën fushata më e dhunshme, më e përhapur dhe më e organizuar e "spastrimit etnik" në historinë indiane kundër besimtarëve në Krishtin.

Sot bashkësitë lokale në rrethin e Kandhamal, skenë e asaj dhune të egër,  ndjekur me indiferencë nga aparati administrativ dhe policia, e pritën me gëzim lajmin e krijimit të një Komisioni të Vatikanit për dëshmorët e rinj dhe dëshmitarët e besimit, që do t’i flasin jubileut të vitit 2025.

Ata që u torturuan dhe u vranë, madje u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, kryesisht për shkak të urrejtjes fetare, janë "shembull i fesë së palëkundur, që i shoqëroi në krahët e Atit Qiellor" - vuri në dukje John Barwa, Kryeipeshkëv i Cuttack-Bhubaneswar, në territorin e së cilës ndodhën masakrat. Prifti Ajay Kumar Singh, koordinator i Forumit Kombëtar të Solidaritetit (NSF), në një konsorcium prej mbi 70 organizatash dhe grupesh të shoqërisë civile, krijuar pas dhunës, e përkufizoi nismën e Papës Françesku "hap në drejtimin e duhur". Ai është një nga shtatë anëtarët e komitetit, që përgatiti një raport të hollësishëm mbi gjithë tragjedinë, me titull "Kandhamali i masakruar nga dhuna antikristiane më 2008-tën" dhe ia dërgoi Selisë së Shenjtë, duke i quajtur të paktën 36 persona "dëshmorë katolikë".

Institucioni i Komisionit u mirëprit nga të mbijetuarit

"Duke kujtuar gjakun e derdhur nga ata njerëz të pafajshëm, i jam mirënjohës Papës", tha Asalota Nayak, e veja e Bikram Nayak, një nga 36 emrat në dosje. Ajo dhunë e pajustifikuar vrau më shumë se 100 besimtarë, zhvendosi të paktën 64,000 njerëz, rrënoi më shumë se 360 ​​kisha, shembi 6,000 shtëpi e la më shumë se 12,000 fëmijë pa shkollë.

Kisha vendase, për të bërë të frytshme dëshminë e atyre që refuzuan ta mohonin e ta braktisin Krishtin, duke e paguar këtë qendrim me çmimin e jetës, feston çdo vit, më 25 gusht, "Ditën e Kujtimit" të veçantë kushtuar viktimave të masakrave, pësuar nga të krishterët e Orissa-s. Përkujtimet përfshijnë takime lutjesh, liturgji e kremtime të tjera për të kujtuar fushatën e ashpër të persekutimit. NSF denoncoi se "qeveria dështoi plotësisht në përpjekjen për t’i fshehur krimet e tmerrshme, duke i paraqitur masakrat si mosmarrëveshje ndërfisnore, në vend që t’i pranojë krimet e tmerrshme të kryera nga njerëzit e saj".

“Njerëzit u mbytën, u keqtrajtuan, u ngacmuan, u përdhunuan dhe u dogjën gjallë. Të mbijetuarit si dalitët, adivasis, peshkatarët, gratë, vijojnë luftën për të drejtat e tyre” - vë në dukje Sasi K.P., regjisor dhe dokumentarist. Pas kryerjes së një hetimi në terren, gazetari Anto Akkara, botoi, në vitin 2016, librin e titulluar “Kush e vrau Swami Laxmanananda?”. Shkaku i dhunës - shpjegon ai - ishte vrasja e liderit fetar hindu Lakshmananda nga grupet gjakatare maoiste. Propaganda e urrejtjes e ekstremistëve hindu fajësoi të krishterët për vrasjen, duke nxitur më tej masakrën. Kisha Katolike në Orisa ka qenë gjithmonë pranë familjeve të viktimave me nisma dhe solidaritet njerëzor, shpirtëror e material, duke u siguruar asistencë ligjore dhe psikologjike. Tani për përjetësinë e tyre po interesohet vetë Papa!

16 korrik 2023, 14:14