Kërko

 Një sallë e Memorialit të Martirëve të rinj në San Bartolomeo all’isola, në Romë Një sallë e Memorialit të Martirëve të rinj në San Bartolomeo all’isola, në Romë 

Don Romano: Gjaku i martirëve rrjedh nga thellësitë e historisë

Rektori i San Bartolomeo all'Isola, kisha romake e memorialit kushtuar atyre që humbën jetën për fenë, është një nga anëtarët e Komisionit të ngritur nga Papa Françesku për jubileun e vitit 2025. Do të mbledhë dëshmitë e martirizimit të 25 viteve të fundit. Njohja e tyre është themelore: janë "perlat e Ungjillit". Na çojnë ndër zonat e botës, për të cilat flitet shumë pak. Atje ku “gjaku i martirëve vijon të derdhet në emër të Krishtit të kryqëzuar!”.

R.SH. - Vatikan

Besimtarët koptë në Libi, vrarë nga Shteti Islamik, viktimat e sulmeve të Pashkëve në Sri Lanka, në vitin 2019. Motra Luisa Dall'Orto në Haiti dhe motra Maria De Coppi në Mozambik. Don Santoro në Turqi, At Hamel në Francë. Këta janë disa nga “dëshmorët e rinj” të 25 viteve të fundit, dëshmitë e të cilëve do të mblidhen prej Komisionit, ngritur nga Papa Françesku për jubileun e ardhshëm, siç ndodhi për atë të vitit dymijë. Ndërmjet anëtarëve, edhe Don Angelo Romano i Bashkësisë së Shën Egjidit, rektor i Bazilikës San Bartolomeo all'Isola, kushtuar pikërisht dëshmorëve të shekujve 20 dhe 21. Prej  kësaj Bazilike i flasin botës edhe dëshmorët shqiptarë, të cilët dhuruan gjakun për Krishtin, pre e dhunës më mizore, që vijon të trondisë mendje e zemra deri më sot, kur ka ende nga ata, që duke kujtuar martirët, përligjin xhelatët!

E pyetëm Don Romanon: cili është objektivi i Komisionit?

Kemi hyrë në një mijëvjeçar të ri dhe në një shekull të ri, prandaj është e nevojshme të mblidhen edhe një herë dëshmitë e atyre që dhanë jetën për Ungjillin. Kështu ripohohet edhe vlera ekumenike e kësaj pune. Kërkimi për këta dëshmitarë të rinj të fesë nuk ka të bëjë vetëm me Kishën Katolike, por do të shtrihet në të gjitha konfesionet e krishtera. Renditen të gjitha situatat e ndryshme që i dhurojnë Kishës dëshmorë. Në disa raste, edhe vetëm pjesëmarrja në Eukaristinë e së dielës do të thotë të rrezikosh jetën. Prandaj  është e domosdoshme vëmendja ndaj një Kishe, e cila, siç e ka theksuar shumë herë Papa Françesku, është kthyer përsëri në "kishë martirësh". Ndaj me të drejtë dëshiron ta njohë e, më pas, edhe ta ruajë historinë e të gjithë këtyre bijve e bijave të Zotit, që dhanë - e japin - jetën për Ungjillin

Papa, e nuk është hera e parë, shkruan se martirët janë më të shumtë në kohën tonë, se në shekujt e parë. Pse arritëm deri në këto numra që të trondisin e të prekin në thellësitë e shpirtit?

Të çudit më shumë vetë fakti, sepse gati-gati kishim harruar se sa shumë "të trondit" dëshmia e të krishterëve në situata kaq të tmerrshme. Edhe sot. Kur të krishterët, për shembull, në kontekste të kontrolluara nga krimi i organizuar, edukojnë të rinjtë, mirëpresin të varfërit, i ndihmojnë pa qëllime të fshehta... Përfaqësojnë kështu, një element shumë të padëshirueshëm për organizatat kriminale, të cilat më pas, në fund, si ndodh në kontekste të ndryshme latino-amerikane, nuk ngurrojnë të vrasin, madje edhe priftërinj e deri ipeshkvij. Dëshmia e krishterë është sa "e butë", aq edhe “e fortë”. E dashuria e fortë shumë herë në një farë mënyre shkakton shpërthimin e urrejtjes, që fatkeqësisht shkon deri në marrjen e jetës. Në shumë pjesë të botës, të krishterët vuajnë sepse janë pakicë ose pse jetojnë në një shoqëri, që nuk është ende në gjendje ta konceptojë plotësisht lirinë fetare. Nga ana tjetër, e reduktojnë përvojën e krishterë në një akt të thjeshtë adhurimi. Bëhen, kështu, përpjekje për ta gjymtuar jetën e Kishës në shumë aspekte themelore. Mjafton të kujtojmë ndihmën për më të varfërit, për arsimin. Është problem i ndërlikuar, i cili megjithatë na kujton se Ungjilli, në një farë mënyre, e ndryshon realitetin, nuk e lë ashtu siç është dhe kjo duket qartë se shkakton reagime, e reagime gjakatare. Fuqia e Ungjillit shpesh ka këto lloj pasojash nga ana e atyre që duan ta shuajnë dritën e shpresës, atë majà që, në një farë mënyre, siç e shohim, e shndërron botën!

Ju jeni rektor i San Bartolomeo all'Isola në Romë në një kishë kushtuar martirëve të shekujve 20 dhe 21 ku ka edhe një memorial që i kujton ata. Cilat janë figurat më të shquara në këtë çerek shekulli të fundit?

Në 25 vitet e fundit u flijuan padyshim shumë personalitete. Mendoj veçanërisht për historinë e At Hamelit, i cili në këto ditë kur Franca tronditet nga dhuna shumë e dhimbshme, është shenjë e kundërt. Njeri i paqes, njeri i vëllazërimit, i cili kishte dhuruar tokën e famullisë për ndërtimin e një qendre islame, që t’u krijonte myslimanëve kushte të faleshin dhe që vritet nga dy ekstremistë shumë të rinj, ndërsa kremtonte liturgjinë. Mbresëlënëse, frytet e kësaj ngjarje tragjike. Po gjaku i dëshmorëve lëviz në mënyrë misterioze diçka të thellë në histori, gjë që shihet vazhdimisht, në shumë situata. Është dëshmia e tyre e krishterë, në dukje disfatë, po, paradoksalisht, simbol fitoreje. Në historinë e tyre ne shohim shenjat e shkëlqyera të fitores të së mirës mbi të keqen dhe të jetës mbi vdekjen.

Si mund të jenë historitë e martirëve shembull për të krishterët sot, në vitin 2023?

Tashmë njohja e tyre është diçka themelore. Detyra e Komisionit, siç shihet edhe nga letra e Papës Françesku, e cila atëherë ishte edhe detyrë e Komisionit të Dëshmorëve të Rinj në funksion të Jubileut të vitit 2000, është pikërisht mbledhja e tregimeve, pra mbledhja e dëshmive mbi këto ngjarje, në mënyrë që ato të njihen. E vërteta është se shumica e këtyre dëshmitarëve të fesë jetojnë në një kontekst për të cilin nuk flitet ose flitet shumë pak, siç është Haiti, siç është Kivu në Republikën Demokratike të Kongos, apo në disa cepa të Lindjes së Mesme. Të njohësh historitë e tyre do të thotë gjithashtu të grisësh vellon e heshtjes që shpesh na pengon t'i njohim dhe t'i vlerësojmë. Por ato janë histori tërheqëse, janë histori të bukura, janë perla të Ungjillit, që duhen menduar absolutisht. Ato na shtyjnë në soditje, admirim dhe mirënjohje ndaj një jete që ka arritur atje ku në mënyrë njerëzore nuk duhet të arrijë kurrë, pra në dhurimin e jetës, por përmes një rruge, që ndriçohet nga hiri i Zotit.

Disa çaste në Bazilikën romake San Bartolomeo all'Isola

Në kriptën e Bazilikës romake San Bartolomeo all'Isola e cila, me dëshirën e Gjon Palit II, u bë vend simbol i të krishterëve, që u martirizuan për fenë në shekullin e njëzetë, mund të nderohen dhjetëra relike dhe objekte martirësh nga pesë kontinentet. Riorganizimi fillestar i këtij vendi të shenjtë, realizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit me ndihmën financiare të Kryedioqezës së Çikagos vijon t’i tregojë botës se: "Në historinë e Kishës nuk ka pasur kurrë kaq shumë të persekutuar”.

Aty janë petkat liturgjike të Imzot Óscar Romeros, vrarë në San Salvador në 1980 dhe stola e Don Pino Puglisit, vrarë nga mafia në Palermo, më 1993. Libri i lutjeve i Massimiliano Kolbes, i cili vdiq në Aushvic. Mjetet me të cilat Charles de Foucauld ndërtoi vetmitoren e tij në shkretëtirën e Saharës, por edhe breviari i At Jacques Hamel, që u qëllua për vdekje nga xhihadistët në Francë, në vitin 2016 dhe objektet liturgjike të kryeipeshkvit kaldeas Bulos Faraj Rahho, të priftit kaldean Ragheed Aziz Ghanni, vrarë në Mosul nga Shteti Islamik e të sa e sa të tjerëve. Sepse janë shumë, ngaqë shumë gjak u derdh e derdhet për Krishtin!

Në San Bartolomeo mund të takohesh edhe me Martirët shqiptarë

Në Shën Bartolomeo mund të soditësh edhe relike, që të kujtojnë martirët shqiptarë të vrarë mizorisht nga diktatura më e egër komuniste: ostensorë, rruzare, petka meshe, ardhur nga kohë që vazhdojnë t’i kujtojnë njerëzimit martirizimin e pashoq të Kishës së vogël, trimneshë! Ruhen në kapelën e tretë, më të djathtën, kushtuar Shën Françeskut të Asizit. Të bie menjëherë në sy një kelshenjt, që u përkiste disa priftërinjve shqiptarë, për kremtimin e fshehtë të Eukaristisë në burgun e Shkodrës, në kohën e regjimit komunist. Më pas, natyrisht, një kryq, nga ata që shpërndaheshin në mënyrë klandestine në Shqipëri, pas ndalimit nga regjimi, në vitin 1967, të çdo manifestimi të adhurimit fetar e relike të tjera, si ato që i shikojmë tashmë në Muzeun e Martirizimit, në Shkodër, në një vend që fillimisht ishte strehë e përgatitjes së fretërve e më pas u kthye në burgun më të tmerrshëm të kohës, në Degën e Punëve të Brendshme, prej nga ditë-natë dilnin britmat e thekshme të të torturuarve! Doemos Rruzarja, pastaj. E, dy hapa më tej, edhe diskoteka e Aleksandër Men', priftit ortodoks rus, vrarë në vitin 1990;  ose Skapulari i Sofiàn Boghiu, murg rumun, i cili vdiq në 2002 e  Relikja e të Lumit Jerzy Popiełuszko, prift polak, i vrarë në 1984.

Pikërisht në këtë vend kushtuar dëshmorëve të “kohëve moderne” do të vendosen, pasi të mblidhen, edhe dëshmitë e martirizimit të të krishterëve 25 vitet e fundit.

 Ky vend që në kohën e romakëve ishte tempull me një pus kushtuar perëndisë së mjekësisë Eskulapius, të cilit njerëzit i luteshin për të rifituar shëndetin, u kthye në vend dëshmie për martirët. Simbolik, ky kënd, ku dhjetra objekte dhe dëshmi radhiten sipas kritereve gjeografike, për të dëshmuar se në të gjitha vendet e botës, edhe sot rrezikohet jeta për Fenë në Krishtin! E se njerëzimi i sëmurë ka shumë nevojë të lutet, për të rifituar “shëndetin e humbur!”.

05 korrik 2023, 18:40