DBR, të moshuarit nga të gjitha kontinentet ua dorëzojnë të rinjve Kryqin e Shtegtarit
R. SH. - Vatikan
A mund të gjindej rast më i mirë, se Mesha kushtuar gjyshërve dhe të moshuarve, për ta kaluar stafetën e DBR-së nëpër duar breznish? Pesë të moshuar do t'ua dorëzojnë Kryqin e Shtegtarit pesë të rinjve, që nisen për në DBR, në Lisbonë, në përfundim të kremtimit eukaristik, që do të kryesohet nga Papa Françesku në Bazilikën e Vatikanit sot, 23 korrik. Të pranishëm, me qindra pleq e të rinj, nga të gjitha kontinentet. Po kush janë?
Të moshuarit...
Motra Martin de Porres, Indiane, Misionare e Bamirësisë, 82 vjeç, bën pjesë në grupin e të moshuarve të zgjedhur për këtë gjest simbolik shumë domethënës. Jeton në shtëpinë rajonale të Shën Gregorio al Celio, në Romë dhe lutet çdo ditë për ata që po përgatiten të jetojnë ngjarjen e Lisbonës, me Papën. Më pas, Gebremeskel, 76 vjeç, nga Bashkësia katolike eritrease, në Romë. Jeton në Itali prej pesëdhjetë vjetësh. Amerika Latine përfaqësohet nga një peruviane. Është 70 vjeçe e jeton prej 23 vitesh në Romë. Edhe pse e vetme, rrethohet nga një rrjet i madh miqsh, me të cilët lidhet si të ishin familja e saj. Vjan pastaj, Micheli, 67 vjeç, romak, anëtar i Veprimit Katolik Italian, gjyshi i dy nipërve. Së fundi, Philippa, me origjinë nga Australia, e martuar me një italian, 81 vjeçe, gjyshe e katër nipërve.
...dhe të rinjtë
Ndër të rinjtë që do të marrin Kryqin nga duart e të moshuarve është edhe Ambrosi, më i vogli nga 8 fëmijët e familjes. 27 vjeçari është nga Uganda, bën pjesë në Kongregatën e Punëtorëve të Devotshëm Katekistë Fshtarakë (Missionari ardorini), me të cilët do të niset për në DBR-në e Lisbonës. Koe, me origjinë filipinase, 22 vjeçar, që po shtegton në Portugali me grupin e tij të Baritorisë Rinore, vjen nga Australia. Këto ditë ai po bën një ndalesë në Romë, përpara se të vazhdojë drejt Lisbonës. Aleesha, vajzë 22 vjeçare me origjinë indiane, jeton në Bolonjë, ku studion në universitet për farmaciste. Ajo do të shkojë në DBR me një grup prej 25 katolikësh indianë, ku edhe bën pjesë. Pastaj janë edhe Mateja, 29-vjeçari kroat dhe meksikanja Fabiola, 27-vjeçare. Të dy vullnetarë në Qendrën San Lorenzo-s, në Romë, ku ruhet Kryqi i DBR-së, që çdo vit mirëpret mijëra shtegtarë!