DBR 2023, më e blertë se kurrë, ngroh zemrat, jo planetin
R.SH. / Vatican News
Takimi i të rinjve të botës në Lisbonë 2023 do të jetë një mundësi për të dëshmuar kujdesin ndaj Krijimit: ndërmjet nismave, kujtojmë edhe një aplikacion, që llogarit emetimet. Parku i Natës së fundit, që të rinjtë do ta kalojnë zgjuar, do të trashëgohet nga qyteti. E Lisbona, ka një ëndërr tejet të dëshiruar: të krijojë BBR-në më të gjelbër të kremtuar deri më sot. Që në fillim, organizatorët e Ditës Botërore të Rinisë patën si fanar kujdesin për krijimin, mësuar nga doktrina shoqërore e Kishës dhe riafirmuar nga enciklika Laudato si'. Pa harruar se iu desh të punonin shumë për të krijuar një ngjarje të madhe, por të qëndrueshme.
Po, sepse organizimi i Ditës Botërore të Rinisë që mbledh njerëz nga e gjithë bota ka ndikim të fuqishëm: së pari social, mbasi krijon lidhje të pashlyeshme, por edhe mjedisor. Kryeqytetit portugez iu desh të përgatitet me struktura dhe materiale për ardhjen e qindra mijëra njerëzve, duke përfshirë shtegtarët, vullnetarët, priftërinjtë dhe gazetarët që do të mbërrijnë me avion, autobus dhe tren e që, për një javë, do të jenë mysafirë të qytetit edhe në këndvështrimin e burimeve ushqimore dhe ujore.
Pikërisht nga këto konsiderata dhe nga ndërveprimi me të rinjtë, protagonistë të ngjarjes së madhe, por edhe me grupmoshat më të vëmendshme ndaj krizës klimatike, lindi ideja që skena ndërkombëtare e Ditës Botërore të përdoret si megafon, nga njëra anë për të ndezur reflektorët mbi emergjencën ekologjike e, nga ana tjetër, për të dëshmuar si mund të jetohen edhe ngjarjet e mëdha në emër të qëndrueshmërisë.
Para së gjithash, për të kompensuar të paktën një pjesë të gjurmës ekologjike të lënë nga logjistika dhe pjesëmarrja në ngjarje, Fondacioni Portugez DBR në bashkëpunim me shoqatën Global Tree Initiative ka nisur një fushatë të madhe mbjelljeje pemësh në mbarë botën. Individë, grupe dhe dioqeza u ftuan të zgjidhnin speciet më të përshtatshme për t'u rritur në zonën e tyre të origjinës, t’i mbillnin pemët, t'ia kushtonin ato DBR-së dhe në fund të kujdeseshin për to me kalimin e kohës. Nisma u përqafua muajt e fundit nga vende të ndryshme dhe sot ka tashmë 17,000 pemë të mbjella dhe të quajtura “Pemët e DBR-së”, të gjitha të vendosura në një hartë, në faqen zyrtare të Ditës rinore.
Bimët kanë lëshuar rrënjë kryesisht në Portugali, ku edhe të ftuarit e Qendrës Psikiatrike të Lisbonës shprehën dëshirën të kontribuonin duke mbjellë dhjetë drurë ulliri në oborr, të cilat më pas i quajtën me emërin e ngjarjes së madhe: shembull i shkëlqyer, që tregon se si mund të lidhet qëndrueshmëria mjedisore me atë shoqërore dhe në këtë mënyrë, të krijojë një vizion të blertë të vëllazërisë vërtet universale.
Në trashëgiminë e gjelbër, që DBR-ja portugeze dëshiron të lërë pas, është edhe "Campo da Graça", një park i madh mbi lumin Tago, që dikur ishte depo plehrash dhe që u shndërrua në shesh për kremtimin e Meshës përfundimtare të të rinjve me Papën. Fusha do t’i mbetet qytetit: mushkëri e gjelbër, që do të vazhdojë të krijojë emetimet e prodhuara nga Dita Botërore e Rinisë.
Në nivel individual, për të balancuar llogarinë që është gjithmonë e hapur me krijimin, të rinjtë e Lisbonës mund të përdorin edhe aplikacionin zyrtar të ngjarjes. Në mjetin dixhital, në bashkëpunim me dy shoqëri portugeze, që merren me mbeturinat, u integrua edhe një kalkulator i gjurmës së karbonit.
Duke mbledhur të dhëna me katër pyetësorë, aplikacioni analizon sjelljet dhe zgjedhjet e çdo shtegtari që mbërrin dhe e jeton Ditën Botërore të Rinisë e - bazuar në llojin e udhëtimit, zgjedhjen e akomodimit, ushqimin dhe pijet e konsumuara gjatë ngjarjes si dhe numrin e dusheve të bëra – vlerëson emetimet e gazeve serrë të shtuara në atmosferë. Për t’i ndihmuar të rinjtë të marrin pikat më të ulta të mundshme, kompletet e ofruara nga organizata për shtegtarët dhe vullnetarët përmbajnë shishe uji, për të kufizuar prodhimin dhe transportin e shisheve plastike; paketimi i tregtimit është reduktuar në minimum dhe mbetjet që do të krijohen në mënyrë të pashmangshme do të ndjekin një zinxhir grumbullimi të kontrolluar në pikat e diferencimit dhe riciklimit. Së fundi, një program më teorik i shtohet programit praktik të qëndrueshmërisë bashkëngjitur me atë të përgatitjes për Ditën Botërore të Rinisë. Ekologjia integrale - tema e reflektimit të takimeve përgatitore të RiseUp, të mbajtura në nivel lokal ndërmjet pjesëmarrësve - i jep titullin konferencës së katërt ndërkombëtare mbi kujdesin ndaj krijimit, e cila do t'i paraprijë DBR-së dhe do të mbahet në Universitetin Katolik të Portugalisë, më 31 korrik. Të rinjtë do të dialogojnë me ekspertë për të kërkuar stile të reja jetese, të përshtatshme për t'iu përgjigjur sfidave kulturore, shpirtërore, arsimore dhe mjedisore të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
(*) botuar në Avvenire