Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: martesa është dhurim i jetës për njëri-tjetrin

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës Benediktit XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet familjeve të mbledhura në Milano për Takimin VII Botëror të tyre, më 3 qershor 2012, gjatë meshës së kremtuar me to

R.SH. – Vatikan

Jemi të thirrur t’i pranojmë dhe t’i transmetojmë së bashku të vërtetat e fesë; ta jetojmë dashurinë për njëri-tjetrin dhe për të tjerët, duke ndarë gëzimet e vuajtjet, duke mësuar ta kërkojmë e ta japim faljen, duke vlerësuar karizmat e ndryshme nën udhëheqjen e barinjve të Kishës. Me një fjalë, na është besuar detyra për të krijuar bashkësi kishtare, të cilat duhet të jenë gjithnjë e më tepër familje, të afta për të reflektuar bukurinë e Trinisë Shenjte dhe për të ungjillëzuar jo vetëm me fjalë, por duke “rrezatuar” forcën e dashurisë së jetuar. Kështu u thoshte Papa Ratzinger familjeve të mbledhura për Takimin e tyre Botëror, në meshën e kremtuar në Milano më 3 qershor 2012.

E thirrur të jetë shembëllim i Zotit të Vetëm në Tri Vetje nuk është veç Kisha, por edhe familja e themeluar mbi martesën ndërmjet burrit e gruas. Zoti e krijoi njeriun mashkull e femër, me dinjitet të barabartë, por edhe me karakteristika të veçanta, që plotësojnë njëra-tjetrën, në mënyrë që të dy të jenë dhuratë e ta vlerësojnë njëri-tjetrin, duke realizuar një bashkësi dashurie e jete. Dashuria është ajo, që e bën njeriun shembëllim të vërtetë të Trinisë Shenjte, shembëllim të Zotit.

Të dashur bashkëshortë – u drejtohej Benedikti XVI familjeve të botës – kur e jetoni martesën, ju nuk i dhuroni njëri-tjetrit ndonjë gjë, ose ndonjë aktivitet, por krejt jetën. E, dashuria juaj është e frytshme, së pari, për vetë ju, sepse dëshironi dhe bëni të mirën e tjetrit, duke provuar gëzimin e kësaj marrëdhënieje.

Pastaj, është e frytshme përmes prokrijimit bujar e të përgjegjshëm të fëmijëve, në kujdesin për ta e në edukimin e urtë të tyre. Së fundi, është e frytshme për shoqërinë, sepse jeta familjare është shkolla e parë dhe e pazëvendësueshme e virtyteve shoqërore, si respekti për njerëzit, dhurimi falas, besimi, përgjegjësia, solidariteti, bashkëpunimi.

Të dashur bashkëshortë, kujdesuni për fëmijët e, në këtë botë të dominuar nga teknika, transmetojuni atyre, me qetësi e besim, arsyet për të jetuar, forcën e fesë, duke u treguar horizonte të larta dhe duke i mbështetur në vështirësi.

Por edhe ju, që jeni bij e bija, duhet të dini t’i ruani gjithmonë marrëdhëniet e dashurisë së thellë e të kujdesit për prindërit. Edhe marrëdhëniet ndërmjet vëllezërve e motrave duhet të jenë mundësi për t’u rritur së bashku, në dashuri – theksonte, së fundi, Benedikti XVI.

27 korrik 2023, 09:31