Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: kuptimi i jetës mësohet në familje

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet të rinjve dhe familjeve në Palermo, më 3 tetor 2010 dhe familjeve katolike kroate në Zagreb, gjatë meshës së 5 qershorit 2011

R.SH. – Vatikan

Marrëdhëniet ndërmjet prindërve e fëmijëve – u thoshte Papa Benedikti XVI të rinjve të Palermos – janë themelore, por jo vetëm sepse kështu e do tradita. Ka diçka më tepër, të cilën na e ka mësuar vetë Jezu Krishti: është pishtari i fesë, që transmetohet nga brezi në brez; ajo flakë, që është e pranishme edhe në ritin e Pagëzimit, kur meshtari thotë: “Merrni dritën e Krishtit, shenjë e Pashkëve, flakë që duhet ta ushqeni vazhdimisht”.

Familja është themelore, sepse aty lind në shpirtin njerëzor perceptimi i parë i kuptimit të jetës. Lulëzon në marrëdhënie me nënën e babain, të cilët nuk janë pronarë të jetës së fëmijëve, por bashkëpunëtorët e parë të Zotit për transmetimin e jetës dhe të fesë.

Imazhi i pemës është shumë domethënës për të paraqitur njeriun. Ai na thotë se secili prej nesh ka nevojë për një terren pjellor, ku të shtrijë thellë rrënjët e veta, për një terren të pasur me substanca ushqyese, që e rrisin njeriun: ato janë vlerat, por sidomos, dashuria dhe feja, njohja e fytyrës së vërtetë të Zotit, vetëdija se Ai na do pa fund, me besnikëri, me durim, derisa jep jetën për ne. Në këtë kuptim, familja është “Kishë e vogël”, sepse transmeton Zotin, transmeton dashurinë e Krishtit, me forcën e sakramentit të Martesës. Dashuria hyjnore, që e bashkon burrin me gruan dhe i bën prindër është në gjendje të vadisë në zemrën e fëmijëve filizin e fesë, pra, dritën e kuptimit më të thellë të jetës. Familja, për të qenë “Kishë e vogël”, duhet të jetojë e të integrohet mirë me “Kishën e madhe”, pra, me familjen e Zotit, që Krishti erdhi të formojë mbi këtë tokë. Së bashku me familjen e origjinës, është themelore familja e madhe e Kishës, takuar dhe eksperimentuar në bashkësinë famullitare, në dioqezë; edhe lëvizjet dhe shoqatat kishtare nuk i shërbejnë vetvetes, por Krishtit e Kishës.

Dihet nga të gjithë se familja e krishterë është shenjë e veçantë e pranisë dhe e dashurisë së Krishtit, si edhe është e thirrur të japë një kontribut të posaçëm dhe të pazëvendësueshëm për ungjillëzimin. Kështu u thotë Joseph Ratzinger familjeve katolike kroate në Zagreb, gjatë meshës së 5 qershorit 2011, me rastin e Ditës së tyre Kombëtare. Familja e krishterë, vijon Papa Benedikti XVI, ka qenë gjithnjë rruga e parë e transmetimit të fesë e, edhe sot, bart mundësi të mëdha për ungjillëzimin në shumë fusha.

Sot, falë Zotit, shumë familje të krishtera bëhen gjithnjë e më të vetëdijshme për thirrjen e tyre misionare, prandaj, impenjohen seriozisht në dëshmimin e Jezu Krishtit Zot. Në shoqërinë e sotme është më e nevojshme dhe më urgjente se kurrë prania e familjeve të krishtera shembullore. Fatkeqësisht, na duhet të vërejmë, sidomos në Evropë, përhapjen e një shekullarizimi, që sjell mënjanimin e Zotit nga jeta dhe shpërbërjen në rritje të familjes. Absolutizohet liria pa impenjim për të vërtetën dhe kultivohet si ideal mirëqënia individuale, përmes konsumit të pasurive materiale dhe të përvojave kalimtare, duke lënë mënjanë cilësinë e marrëdhënieve me njerëzit dhe vlerat njerëzore më të thella; dashuria reduktohet në emocion sentimental dhe në kënaqjen e pulsioneve instinktive, pa impenjimin për të pasur lidhje të qëndrueshme, brenda të cilave njerëzit t’i përkasin njëri-tjetrit dhe pa menduar për jetën e re, pra, për fëmijët. Jemi të thirrur për ta kundërshtuar një mendësi të tillë!

Krah fjalës së Kishës, ka shumë rëndësi dëshmia dhe impenjimi i familjeve të krishtera, dëshmia juaj konkrete – u thoshte Papa familjeve kroate në vitin 2011 – sidomos për të afirmuar paprekshmërinë e jetës njerëzore, nga zënia e deri në fundin e saj të natyrshëm; për të mbrojtur vlerën unike dhe të pazëvendësueshme të familjes së bazuar mbi martesën; nevojën e masave legjislative, që mbështesin familjen në detyrën për të lindur e për të edukuar fëmijë.

20 korrik 2023, 09:22