Kërko

Familja në Kishë Familja në Kishë

Çelësi i fjalëve të Kishës: familja, shprehje e dashurisë së Zotit

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger mediton mbi sigurinë se Zoti na do e mbi rëndësinë e familjes në shoqëri, përmes fjalës së mbajtur në Kuvendin kishtar të dioqezës së Romës, më 5 qershor 2006 dhe në atë për mbylljen e Takimit V Botëror të Familjeve, më 8 korrik 2006

R.SH. – Vatikan

Burimi i gëzimit të krishterë – u thoshte Papa Benedikti XVI anëtarëve të klerit të Romës, në vitin 2006 – është siguria se Zoti na do, Krijuesi ynë e do secilin prej nesh, Ai që ka në dorë krejt universin e do familjen njerëzore me dashuri plot pasion e besnikëri, me një dashuri më të madhe se pabesitë e mëkatet tona, me dashuri që fal. Kjo dashuri “është kaq e madhe sa Hyji shkon deri kundër vetvetes”, siç duket më se qartë në misterin e Kryqit: Zoti e e do kaq shumë njeriun sa, duke u bërë ai vetë njeri, e ndjek deri në vdekje e, në këtë mënyrë, e pajton drejtësinë me dashurinë” (Deus caritas est, 10).

Me fjalë të tjera: Jezusi na ka thënë se Ai është “udha”, që na çon tek Ati Qiellor, përveçse edhe “e vërteta” dhe “jeta” (shih Gjn 14,5-7). Atëherë, ngrihet pyetja: si mund ta gjejnë të rinjtë në Të – nga pikëpamja praktike dhe ekzistenciale – këtë udhë shpëtimi e gëzimi? Pikërisht për këtë mision të rëndësishëm ekziston Kisha, si familje e Zotit dhe si bashkësi miqsh, në të cilën hyjmë përmes Pagëzimit që të vegjël, duke u rritur në fe, në gëzimin e në sigurinë se Hyji na do. Prandaj, është e domosdoshme që brezat e rinj të bëjnë brenda Kishës përvojën e bashkësisë së besueshme të miqve, që u qëndron afër në çdo çast e në çdo rrethanë të jetës – si në ato të gëzueshme, ashtu edhe në ato të vështira e të errëta – një shoqëri, që nuk të braktis kurrë as në vdekje, sepse bart në vetvete premtimin e amshimit.

Familja – reflektonte më tej Joseph Ratzinger në Takimin V Botëror të Familjeve, po në vitin 2006 – është institucion i ndërmjetëm mes individit e shoqërisë, prandaj, asgjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë plotësisht. Ajo vetë e ka bazën kryesisht në marrëdhënie të thella ndërpersonale mes burrit e gruas, që e mbështesin njëri-tjetrin me dashuri dhe mirëkuptim. Për këtë arsye, merr ndihmë të madhe nga Zoti, në Sakramentin e martesës, që është thirrje e vërtetë për shenjtëri. Urojmë që fëmijët të provojnë më shumë çaste harmonie e dashurie nga prindërit se sa çaste mosmarrëveshjeje a indiference, sepse dashuria ndërmjet babait e nënës u jep siguri të madhe dhe u mëson bukurinë e dashurisë besnike e të qëndrueshme.

Familja është pasuri e nevojshme për popujt, bazë e domosdoshme për shoqërinë dhe thesar i madh për bashkëshortët, gjatë gjithë jetës së tyre. Është pasuri e pazëvendësueshme për fëmijët, që duhet të jenë fryt i dashurisë, i dhurimit të plotë e bujar të prindërve. Të shpallim të vërtetën e plotë për familjen, themeluar mbi martesën, si “Kishë shtëpiake dhe si shenjtërore e jetës”, është përgjegjësi e madhe e të gjithëve.

06 korrik 2023, 09:53