At João Chagas: DBR-së 2023 përvojë feje dhe shprese për botën
R.SH. / Vatican News
Nga kryeqyteti portugez, Lisbonë, ku ndodhet prej një jave, fjalët e kreut të Zyrës së Rinisë të Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën At João Chagas: gëzimi i të rinjve tashmë ndjehet kudo, në stacionet e metrosë, në famullitë kishtare dhe në familjet e portugezve që i presin vullnetarisht të rinjtë nga mbarë bota. Të dielën e kaluar u pritën simbolet e DBR-së: Kryqi dhe ikona e Virgjrës Mari, që i paraprijnë takimit rinor. Programi për të rinjtë është i pasur me ngjarje e mbahet në komunitetet kishtare dioqezane, nga data 26 deri më 31 korrik, për të përgatitur shtegtarët dhe për t’i njohur me qytetet dhe bukuritë e tyre në Portugali.
"DBR 2023” ka shumë mundësi të jetë sukses". Parashikimet optimiste për Ditën Botërore të Rinisë, e cila do të mbahet në Lisbonë nga 1 deri më 6 gusht të vitit të ardhshëm, janë të At João Chagas, kreut të Zyrës Rinore të Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën. Rregulltari, që po ndihmon komitetin lokal të kryeqytetit portugez për organizimin e veprimtarisë, shpjegon se në të gjithë botën, pas rilindjes nga pandemia, "ka një dëshirë të madhe për të filluar nga e para, për t'u takuar". Disa delegatë nga konferenca të ndryshme ipeshkvijsh më thanë se të rinjtë e presin me padurim DBR-në, edhe pse kanë kaluar më shumë se katër vjet nga takimi i fundit. E gjithë kjo premton shumë dhe, shton At Chagas, "Jam i sigurt se do të ketë një pjesëmarrje të madhe".
Çfarë ndihme po i jep Komitetit Lokal për DBR-në 2023 Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën?
Dikasteri ruan kujtesën e të gjitha DBR-ve të mëparshme: jemi pikë bashkimi dhe garantuese e besnikërisë ndaj projektit origjinal, krijuar gjatë rrugës. Prandaj kemi një memorandum, një skemë operative. Siç thotë Papa Françesku: duhet të kujtojmë të shkuarën, për të pasur guxim në të tashmen dhe shpresë në të ardhmen. Ne jemi kujtim i së shkuarës e përpiqemi t’i japim zemër së tashmes, duke ecur së bashku me komitetin organizator lokal.
Sipas jush, si ndikon pandemia dhe lufta në Ukrainë mbi përgatitjen për DBR-në 2023?
Ndikimi i parë konkret është se kjo DBR u shty një vit: duhet të ishte kremtuar në vitin 2022. Në vitet 2019 dhe 2021 takimet përgatitore të komiteteve organizative lokale dhe qendrore në Romë nuk ishin aq të shpesha, por tani gjërat po intensifikohen. Megjithatë, ndryshimi i datës po na ndihmon shumë në përgatitje.
A do ta ndjekin të rinjtë DBR-në 2023, pavarësisht nga atmosfera shqetësuese ndërkombëtare?
Për mendimin tim, të rinjtë do ta ndjekin festën e tyre edhe më shumë se të mëparshmet. Kur ka vështirësi, të rinjtë vënë në shërbim të të tjerëve çfarë kanë më të mirë në vetvete: qëndrueshmërinë, guximin për të kapërcyer pengesat. Dhe kjo ndodh kur ke forcën e fesë. Për këtë na bind mënyra sesi vullnetarët e Portugalisë e të Lisbonës po japin gjithçka për t’i organizuar ngjarjet në një klimë që mbetet e sigurt.
A mendoni se DBR-ja e këtij viti do t’i tërheqë edhe të rinjtë që janë larg nga feja?
Në Romë ka një qendër baritore rinore të lidhur me dikasterin tonë e cila ruan kryqin origjinal të DBR-së. Atje takoj shpesh shumë grupe nga vende të ndryshme si dhe të rinj ateistë ose besimtarë, por jo praktikantë. Ju siguroj se kanë shumë interes për DBR-në dhe për Kishën. Një herë, një nga këta të rinj, pasi mori pjesë në një audiencë papnore, më tha se ishte shumë i mahnitur nga fakti që një figurë si Papa mund të ishte pikë e jashtëzakonshme bashkimi për kaq shumë njerëz të kulturave dhe realiteteve të ndryshme. Prandaj mund të themi se DBR-ja është për të gjithë, sepse përvoja e besimit të jetuar atje pasqyrohet në shumë tema, të përbashkëta edhe me jobesimtarët.
Si do të përfshihen të rinjtë që nuk mund të shkojnë në Lisbonë, në mënyrë që të mos krijohet rreziku i përjashtimit?
Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe Komiteti Organizativ i Lisbonës synojnë ta bëjnë DBR-në 2023 sa më mediatike. Shumë konferenca dhe dioqeza ipeshkvnore në mbarë botën po përgatisin ngjarje në lidhje me Lisbonën, në mënyrë që kush nuk mund të marrë pjesë, të ndjekë jo vetëm ngjarjet me Papën, por edhe veprimtaritë e shumta kulturore e shpirtërore, që do të zhvillohen gjatë atyre ditëve.