Kërko

Raporti ACS 2023: liria fetare dhunohet në një ndër çdo tre vende

Në mbi 60 vende të botës ka forma persekutimi apo diskriminimi, për shkak të fesë, me përkeqësime të mëdha në vitin 2022. Vlerësohet se përsekutohen rreth 325 milionë të krishterë. Këto janë shifrat e raportit XVI të Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” (ACS), paraqitur më 22 qershor në Romë. Kryetari i tij, kardinali Piacenza: të gjitha të drejtat e njeriut rrjedhin nga liria fetare

R.SH. – Vatikan

 Ç’do të ndodhte sikur të na pengonin t’i lartonim sytë drejt qiellit e t’i lutemi Zotit? Pyetje e mirënjohur për të gjitha diktaturat e veçanërisht për atë komuniste në Shqipëri, ku pikërisht kjo u ndalua me ligj. Përgjigjja, tashmë, dihet. Por mohimi i Hyjit e persekutimi i atyre, që e besojnë, vijon akoma. Këtë vë në dukje edicioni i 16-të i Raportit mbi lirinë fetare në botë, hartuar nga Fondacioni Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” (ACS), paraqitur dje, më 22 qershor, në Romë, në ambasadën italiane në Selinë e Shenjtë.

Fonde për të krishterët e persekutuar

 Raporti i vitit 2023 dëshmon edhe një herë se kur cënohet liria fetare, dëmtohen rëndë themelet e strukturës shoqërore dhe antropologjike të njerëzimit, duke prishur harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet individëve dhe popujve. Në praninë e presidentit të Fondacionit, kardinalit Mauro Piacenza dhe të kryetares së degës italiane, Sandra Sarti, u vu në dukje nevoja e ndihmës për të krishterët e persekutuar. Italia njoftoi se do të japë një fond të parë prej 10 milionë eurosh për bashkësitë e përndjekura, por kështu bën edhe Hungaria e vende të tjera.

Persekutime gjithnjë e më të ashpra

 Vetë Raportin e paraqiti Alessandro Monteduro, drejtori i degës italiane të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, i cili theksoi se persekutimi i të krishterëve po ashpërsohet nga dita në ditë. Forma persekutimi a diskriminimi me natyrë fetare janë vërejtur në 61 nga 196 vende të botës. E drejta themelore e njeriut për lirinë e fesë shkelet në një ndër tre shtete (31%). Rreth 4.9 miliardë njerëz, ose 62% e popullsisë së botës, jetojnë në vende ku liria fetare kufizohet rëndë. Raporti nxjerr në pah jo vetëm shtimin e përndjekjeve, por edhe atë të mosndëshkimit të persekutuesve. Studimi mbulon periudhën ndërmjet janarit 2021 dhe dhjetorit 2022 dhe është bazë për të vetmin raport joqeveritar, që analizon respektimin dhe shkeljet e së drejtës për lirinë fetare, parashikuar në nenin 18 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Në 49 vende ku raportohen shkelje, shkruhet në të, janë qeveritë ato, që i persekutojnë qytetarët për arsye fetare, në heshtjen pothuajse të plotë të bashkësisë ndërkombëtare. E, përveç qeverive autoritare, radhët e persekutuesve mbushen me grupe ekstremizmi islamik dhe nacionalizmi etno-fetar. Sipas raportit, 28 shtete janë vendet më të rrezikshme në botë, ku feja nuk mund të praktikohet lirisht. Ato paraqiten me të kuqe, ndërsa 33 shtete të tjera shënohen me ngjyrë portokalli, për të vënë në dukje nivelet e larta të diskriminimit.

Zonat e Afrikës dhe Azisë, më të vuajturat

Afrika vazhdon të jetë kontinenti më i dhunshëm, ku sulmet xhihadiste janë shtuar aq sa gjendja e lirisë fetare është alarmuese. Pothuajse gjysma e vendeve ku persekutimi i të krishterëve është më i ashpër, pra 13 nga 28, ndodhen në Afrikë. Veprimtaria e xhihadistëve përqendrohet kryesisht në rajonin e Sahelit, rreth liqenit të Çadit, në Mozambik dhe në Somali, por po përhapet edhe në vendet fqinje. Kina dhe Koreja e Veriut mbeten dy vendet aziatike me shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë fetare. Shteti ushtron kontroll totalitar përmes mbikqyrjes dhe masave të rënda të shtypjes për popullsinë. Raporti i kushton vëmendje edhe Indisë, ku nivelet e persekutimit janë në rritje, përmes imponimit të një nacionalizmi të rrezikshëm etno-fetar, të dëmshëm sidomos për pakicat fetare. Ligjet kundër kthimit në fe të tjera janë miratuar, ose janë në shqyrtim, në 12 nga 28 shtetet e Indisë. Ato parashikojnë dënime deri në dhjetë vjet burg dhe përfshijnë përfitime financiare për ata që kthehen, ose rikthehen në fenë e shumicës. Episodet e kthimit me forcë në fenë e shumicës, rrëmbimet dhe dhuna seksuale (deri në skllavërim seksual), jo vetëm nuk janë pakësuar gjatë periudhës dyvjeçare në shqyrtim, por edhe injorohen krejtësisht nga forcat e policisë lokale dhe nga autoritetet gjyqësore, siç është rasti i Pakistanit, ku vajzat e krishtera dhe hinduiste, shpesh, rrëmbehen dhe martohen me forcë.

Kardinali Piacenza: persekutim me doreza të bardha

Së fundi, Raporti i Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” denoncon kufizimet në rritje të lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë në vendet, që i përkasin Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Në dy vitet e fundit, Perëndimi ka kaluar nga atmosfera e "persekutimit të sjellshëm" për ata, që duan ta shprehin dhe ta jetojnë fenë haptazi, në një lloj "kulture anulimi", karakterizuar nga presione të forta shoqërore për të ndjekur rrymat ideologjike më në modë. Kryetari i Fondacionit, kardinali Piacenza, përmendi shprehjen "përndjekje me doreza të bardha", përdorur edhe nga Papa Françesku. Duke nënvizuar se nuk ka pasur kurrë ndonjë periudhë historike, në të cilën të krishterët nuk janë persekutuar, kardinali theksoi se "liria fetare është nëna e të gjitha lirive, pasi ato janë të lidhura me të: liria e mendimit dhe e fjalës, liria e shprehjes dhe mbledhjes, liria e ndërgjegjes dhe e kultit".

Imzot Nare: xhihadistët cënojnë bashkëjetesën

Paraqitja e raportit përfundoi me dëshminë e Tabassum Yousaf, avokat në Gjykatën e Lartë të Sindh-it, në Pakistan, i cili mbron ligjërisht të krishterët e persekutuar, si edhe më atë të imzot Théophile Nare, ipeshkëv i Kaya-s, në Burkina Faso. Prelati afrikan tregoi se bashkëjetesa paqësore ishte realitet i përhapur në vendin e tij deri në vitin 2015, kur filloi të intensifikohej veprimtaria e grupeve ekstremiste islamike. "Aktet e terrorizmit islamik janë në rend të ditës në gjithë vendin", vuri në dukje ipeshkvi, që denoncoi sulmet, të cilat kanë shkaktuar viktima ndër meshtarë e laikë. Imzot Nare iu referua edhe përpjekjeve të krerëve fetarë e politikë për t’i ruajtur marrëdhëniet e mira ndërmjet grupeve fetare, por, pa dyshim, dhuna xhihadiste mund të çojë në përçarje.

23 qershor 2023, 09:56